Filmi kosovar “Zgjoi” i fitoi tri çmime në Sundance Film Festival

Prishtinë, 3 shkurt 2021 – Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji të Blerta Bashollit i ka fituar tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival.

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) njoftoi se ky film ka fituar çmimet: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe çmimin e publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara.

“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipën, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithe ne”, u shpreh Basholli, përmes një video mesazhi.

Y2 1

“Kemi punuar shumë dhe gjatë që ta sjellim këtë film para jush, publikut, dhe jemi shumë të nderuar që na shpërblyet”; “Duam t’ia dedikojmë këtë çmim vendit tonë të dashur dhe të bukur, Kosovës”, u shpreh Yll Uka, producenti i filmit me rastin e pranimit të çmimit të Publikut dhe çmimit Filmi më i mirë (Grand Jury Prize).

Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila, në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes. Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj.

Rolin e Fahrijes e luan aktorja, Yllka Gashi. Në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj

Filmi ‘Zgjoi’ është filmi i parë i gjatë i Bashollit dhe pas festivalit ‘Sundance’ ka një rrugëtim nëpër festivale të tjera. Për publikun kosovar do të shfaqet në fund të këtij viti.

‘Zgjoi’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cineforom, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi në Shqipëri. Ky film është prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio në bashkëprodhim nga Alva Film Production, Blac Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV.

(r.m.)

Comment

*