Fitime marramendëse të bankave në Kosovë, për 6 muaj 45.6 milionë euro

Prishtinë, 21 gusht 2017 – Dhjetë bankat komerciale që operaojnë në Kosovë, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kanë arritur ta krijojnë një profit të pastër prej hiç më pak se 45,6 milionë eurosh.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, bankat komerciale në kosovë e kanë rritur profitin neto për 7.9 milionë euro, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se gjatë 6-mujorit të parë të hyrat e bankave në Kosovë kanë qenë 119.7 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ato kanë qenë 113,7 milionë euro.

Sipas raportit të BQK-së, të hyrat nga interesi kanë arritur në 86.8 milionë euro, ndërsa shpenzimet kanë arritur në 74.1 milionë euro. Nga kjo shumë, 8.4 milionë euro janë shpenzime të interesit, ndërsa 50.6 milionë euro janë shpenzime administrative, shkruan tutje “Zëri”.

Sipas të dhënave të BQK-së, gjatë kësaj periudhe kohore, vlera e kredive është rritur 10 për qind apo 2.3 miliardë euro, ndërsa vlera e depozitave është rritur për 7.2 për qind apo 2.8 miliardë euro.

Gjatë kësaj periudhe kohore, gjithnjë duke iu referuar të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, norma mesatare e interesit për kredi ka rënë në 6.8 për qind. Për ekonomi familjare norma mesatare e interesit të bankave është 7.1 për qind, ndërsa për ndërmarrjet norma mesatare e interesit është 6.6 për qind.

Në këtë periudhë, edhe norma e interesit të depozitave ka rënë në nivelin më të ulët të mundshëm, në 1.1 për qind. Për ekonomitë familjare normat mesatare e interesit në depozita është 0.9 për qind, ndërsa për ndërmarrje është 1.7 për qind.

Sipas të dhënave të BQK-së, 88.3 për qind e pronësisë së sektorit bankar është e huaj, ndërsa 11.7 për qind u përket biznesmenëve vendorë. (r.m.)

Comment

*