FITON AMERIKA!

Frank Shkreli

Ja, më në fund, edhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara u mbajtën.  Votat u numëruan. Ish -Zëvendës Presidenti Joe Biden i Partisë Demokrate u shpall fitues i zgjedhjeve, ndërkohë që Presidenti Donald Trump ende E konteston në gjykata numërimin e votave në disa shtete të Amerikës. Me gjithë këto kundërshtime dhe disa sfidave ligjore – të cilat nuk janë të parat – dhe besoj as do të jenë të fundit në historinë e zgjedhjeve në Amerikë – me 20 Janar, 2021 transferimi i pushtetit do të ndodhë ashtu si gjithmonë dhe sipas Kushtetutës, pikërisht siç ka ndodhur për më shumë se dy shekuj më parë. Një ceremoni vërtet unike në botë që ne, këtu në Amerikë, e konsiderojmë krejt normale, pas një fushate politike dhe debateve shpesh të ashpra për të zgjedhur kandidatin që mendohet se do të jetë më i miri për Amerikën, në katër vitet në vijim.

Pa dashur të largohem shumë nga tema e këtij shkrimi të shkurtër e modest, do të dëshiroja që, me rastin e transferimit të pushtetit në Shtetet e Bashkuara, t’i këshilloja – në qoftë se më lejohet — udhëheqësit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë që të frenohen nga deklarata të papërgjegjshme, siç ka ndodhur herë të tjera, në lidhje me njërin apo tjetrin kandidat për president të Amerikës. Amerika nuk është as Trumpi as Biden, por është populli amerikan, i cili, për mirë ose për keq, i voton ata me një shumicë votash.  Ashtu siç kam shkruar edhe katër vite më parë – marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan janë tepër të rëndësishme për t’u përgojuar me paragjykime ndaj njërit ose tjetrit kandidat të veçantë për president.

Duhet të ishte e qartë tanimë se marrëdhëniet midis dy popujve tanë duhet të zhvillohen bazuar në miqësinë dhe mbështetjen historike të Amerikës për kombin shqiptar, si edhe në vlerat dhe interesat e përbashkëta dhe jo në paragjykime mbi njërin ose tjetrin kandidat, bazuar në konsideratat ideologjike. Në fund të fundit, duhet të respektohet vendimi i votës së shumicës së amerikanëve, pasi ata janë zgjedhësit të cilët votojnë kandidatin që ata e konsiderojnë si më të mirin për president dhe për të ardhmen e tyre. Marrëdhëniet e shqiptarëve në Ballkan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë dhe nuk duhet të jenë të lidhura me ndonjë udhëheqës të veçantë amerikan ose shqiptar, por janë të lidhura, përjetësisht midis dy popujve tanë dhe, si të tilla, duhet të trajtohen me përgjegjësi kombëtare, si nga Tirana ashtu dhe nga Prishtina zyrtare.

Vura re debatet e nxehta, sidomos në studiot e Tiranës – sikur Shqipëria nuk ka probleme tët jera – në lidhje me zgjedhjet në Amerikë. Pyetja kryesorja ishte ç’bëri Trumpi për Shqipërinë dhe çdo të bëjë Bideni për Shqipërinë. Askush nuk e bëri pyetjen se si shqiptarët duhet të punonin së bashku me Amerikën – aleatin e tyre të fortë – në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe sigurisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë, pa marrë parasysh se kush është në Shtëpinë e Bardhë.

Nuk ka dyshim se shpeshherë demokracia mund të duket një sistem vazhdimisht në rrëmujë. Uinston Çurçilli ka thënë se “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të të gjitha të tjerave”.

Nuk ka dyshim se zgjedhjet e këtij viti, këtu në Amerikë, provuan se, siç ka thënë Çurçilli, ndoshta për disa, demokracia nuk është një shembull i mirë qeverisjeje. Por, kur konsideron alternativat e tjera, sistemi demokratik – megjithëse jo i përsosur – mbetet, mbi të gjithë të tjerët, sistemi në të cilin triumfojnë dinjiteti dhe të drejtat bazë të njeriut.  Gjatë katër viteve të kaluara, Shtetet e Bashkuara dhe bota u përballën me sfida të mëdha, përfshirë pandeminë Covid-19 dhe jam i bindur se edhe katër vitet e ardhshme nuk do të jenë të lehta as për Amerikën dhe as për botën, sepse do të përballen me problemet e pazgjidhura aktuale, por edhe me sfida të reja. Zgjedhjet kanë pasoja, zgjedhjet sjellin ndryshime.  Ndryshimet në qeverisje, jo vetëm që janë pozitive, por edhe të doemosdoshme. Nuk duhet të kemi frikë as të shqetësohemi nga ndryshimet, sado të dhimbshme qofshin ato për mbështetsit e njërës apo të tjetrës palë. “Ndryshimi është ligj i jetës. Dhe ata të cilët shikojnë vetëm të kaluarën dhe të tashmen, kanë gjasa të humbasin të ardhmen”, ka thënë ish-presidenti amerikan, Xhon Kenedi.

Atyre që gjatë katër viteve të fundit kanë parashikuar dhe ndoshta edhe dëshiruar fundin e Amerikës dhe të demokracisë si sistem qeverisjeje në SHBA, u them qetësohuni, mos u shqetësoni! Me gjithë fushatën e ashpër për president midis dy palëve dhe me gjithë sfidat aktuale të brendshme dhe ndërkombëtare, si dhe problemet me të cilat do përballet, në të ardhmen Amerika, “Amerikanët, ashtu si edhe në të kaluarën, kanë kapacitetet të bëjnë gjithçka që duhet bërë për të ruajtur këtë bastion (Amerikën) të fundit dhe të madh të lirisë”, është shprehur dikur ish-Presidenti amerikan, Ronald Reagan. Ndërsa, fjalët e një tjetri president të Amerikës, Xhon Kenedit, në inaugurimin e tij, pikërisht 60-vjet më parë, në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë amerikane, tingëllojnë ender aktuale për shumë amerikanë. Ato gjithnjë pasqyrojnë përkushtimin e këtij vendi në mbështetje dhe mbrojtje të lirisë, jo vetëm në këtë vend, por kudo. “Le ta dijë çdo komb, nëse na dëshiron të mirën apo të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do mbajmë cilëndo barrë të rëndë, do përballemi me çdo vështirësi, do mbështesim çdo mik dhe do kundërshtojmë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.

Në zgjedhjet e këtij viti, ashtu si edhe në të kaluarën, votuesit amerikanë hodhën votën e tyre duke pasur parsysh të metat dhe problemet e këtij vendi, por duke qenë, njëkohësisht, edhe krenarë për vlerat dhe demokracinë e këtij vendi, si edhe për mundësitë që ofron demokracia e vërtetë, duke qenë të vetdijshëm se me votën e tyre të lirë, pa marrë parasysh se cili kandidat fiton, më në fund fiton Amerika.

Me gjithë ndarjet aktuale politike që, tani për tani, mund të duken të thella në politikën amerikane dhe si rrjedhim edhe në radhët e publikut amerikan, Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë dhe përvojën historike që politika amerikane dhe amerikanët në përgjithësi — në dialog dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin, t’i kapërcejnë ndasitë me sukses dhe, si gjithmonë, në interes të Amerikës.

“Ne mund të jemi kundërshtarë, por nuk jemi armiq”, siguroi amerikanët Presidenti i zgjedhur Joe Biden, në një fjalim drejtuar Kombit.

Comment

*