Fitore befasuese, e bukur, por pa vlerë 3-1 në Austri e 21-vjeçarëve

Kjo ishte fitorja e dytë në dy ndeshje jashtë fushës, pas asaj të 14 nëntorit 2013 në Hungari, një tjetër rezultatat befasues 2-0 i skuadrës që drejton trajneri Skënder Gega

Denion Ndrenika

21-vjeçarët e Shqipërisë arritën një fitore befasuese, të bukur, por fatkeqësisht pa asnjë vlerë në Austri 3-1 për kualifikueset e Kampionatit Europian.

Djemtë e rinj të trajnerit Skënder Gega e patën tërë ndeshjen nën kontroll dhe në asnjë çast nuk lanë të kuptohej se po luante një skuadër e dobët në fushën e vendit të dytë në grup.

Enis Kavazaj në minutën 19 shënoi i pari, por pa mbaruar pjesa e parë e lojës erdhi goli i dytë me Vasil Shkurtajn në minutën 43. Goli i tretë u shënua nga Herolind Shala në minutën 57.

Në fund të minutës së tretë shtesë për austriakët shënoi golin e  ngushëllimit Mikael Gregoriç (Michael Gregoritsch) nga gjuajtja e 11-metrave.

Kjo ishte fitorja e dytë në dy ndeshje jashtë fushës, pas asaj të 14 nëntorit 2013 në Hungari, një tjetër rezultatat befasues 2-0 i skuadrës që drejton trajneri Skënder Gega.

Pavarësisht këtyre dy fitoreve të shënuara ndaj kundërshtarëve tradicionalisht të vështirë dhe thuajse kurdoherë të pathyeshëm, Shqipëria mbetet në vendin e fundit të grupit me 6 pikë, po aq sa Bosnje e Hercegovina dhe Hungaria, por që kanë edhe nga dy ndeshje pa zhvilluar bashkë me Spanjën kryesuese.

One Response to “Fitore befasuese, e bukur, por pa vlerë 3-1 në Austri e 21-vjeçarëve”

Read below or add a comment...

  1. Pellumb Daci says:

    Z. Ndrenika ju pershendes, dhe ju falenderoj per shkrimin.Mendoj qe djemte tane moren nje fitore te bukur. Nuk me vjen mire te lexoj qe fitorja e djemve shqiptare me Austrine historikisht te veshtire nuk ka vlere. Kuptohet qe po te ishte ne kohen dhe vendin e duhur me ekipin e duhur, rezultati do te ishte shume me i ndryshem pasi do te kishim marre pike. Mendoj qe nje fitore e tille, vleren e saj te vertete e ka tek bukuria e lojes dhe skemat italiane te saj te zbatuara besnikerisht nga lojtaret dhe traineri Gega. Duke e ndjekur nga afer skuadren tone mendoj qe fizionomia e saj i pershtatet se tepermi lojes se U -21 te ekipit italian. Bravo cuna!!

Leave a Reply to Pellumb Daci Cancel reply

*