Flamuri i Kosovës të valojë në Sheshin e Flamurit, në Prishtinë

Prishtinë, 9 shkurt 2018 – Shumë qytetarë të Kosovës po kërkojnë që Flamuri Shtetëror i Kosovës të vendoset te rrethrrotullimi në Sheshin e Flamurit, në Prishtinë.

Kjo kërkesë, e cila ka marrë mbështetje të madhe, është shprehur përmes një faqje të rrjetit social Facebook, e cila është krijuar nga katër persona.

Autorët e faqes janë motivuar nga përvjetori i dhjetë i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Te rrethi, në Sheshin e Flamurit, gjendet Flamuri Kombëtar Shqiptar. Para dhjetë vjetësh, kur është shpallur pavarësia e Kosovës, aty ishte vendosur Flamuri i shtetit të Kosovës. Ai është zëvendësuar me Flamurin Kombëtar Shqiptar, kur pushtetin në kryeqytet e mori Vetëvendosje.

Pak ditë më parë, artisti Driton Selmani e hoqi Flamurin Kombëtar dhe në vend të tij e vendosi flamurin e “Offside-it” të lojës së futbollit, me ngjyrë të verdhë dhe të kuqe. Kështu ai në mënyrë simbolike shprehte indinjatën e tij ndaj udhëheqësve shtetërorë e politikë të vendit, të cilët i akuzonte se me sjelljet dhe veprimet e tyre e kanë kaluar vijën e “Offside-s”.

Vetëvendosje nuk e njeh Flamurin shtetëror rë Kosovës, të cilin e quan flamur të imponuar kundër vullnetit të popullit shumicë dhe insiston se shqiptarër nuk pranojnë për flamur të tyre asnjë tjetër përveç flamurit kombëtar. Zyrtarët e përfaqësuesit e kësaj partie e shfrytëzojnë pothuaj secilin rast për ta afishuar Flamurin Kombëtar Shqiptar në vend të Flamurit Shtetëror të Kosovës.

Flamurin Shtetëror të Kosovës nuk e njeh as komuniteti serb në Kosovë. Në komunat ku qeverisin serbët apo e përbëjnë shumicën, serbët e përdorin Flamurin Shtetëror të Serbisë. Flamuri i këtij shteti fqinj përdoret edhe në zyrat dhe në filialet e institucioneve dge organeve shtetërore të Kosovës në këto komuna.

Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore në Kosovë ka shumë mangësi, prandaj çështja e përdorimit zyrtar të këtyre simboleve në Kosovë mbetet kryekëput në vullnetin e partive politike dhe të qytertarëve.

Liderët e Kosovës deri më sot i kanë kaluar heshturazi edhe rastet eklatante të shkeljes së ligjit, me gjasë, nga droja e një reagimi që do ta polarizonte edhe më shumë skenën politike të Kosovës.

(Ramadan Muçolli, Illyria)

Comment

*