Flamuri Kombëtar dhe Himnet e tij

Anton Çefa

Nga Anton Çefa

Flamuri ynë Kombëtar është flamuri i Principatës arbërore të Kastriotëve, që Skënderbeu e ngriti në Krujë, më 28 Nëntor 1443, dhe me të cilin populli ynë luftoi kundër fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, Perandorisë Turke, dhe mbrojti pavarësinë për një çerek shekulli. Eshtë flamuri që qëndroi gjithnjë në ballë të kuvendeve dhe kryengritjeve shqiptare gjatë shekujve të gjatë të robërisë turke, është flamuri që u ngrit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, nga dora e plakut të urtë, patriotit të madh, Ismail Qemali.

Historia tragjike e vendit tonë ka bërë që Flamuri ynë Kombëtar të jetë flamuri i një shteti të cunguar, që përfaqëson vetëm një pjesë të Atdheut, por hija e tij ogurmire mbulon gjithë hapësirën ku jetojnë shqiptarët. Ky flamur është relikja e shenjtë e arbëreshëve dhe e “gjakut të shprishur” shqiptar, që kullon në të gjitha kontinentet.

Në atë shtrojë pëlhure ngjyrë gjaku, ku qëndron krahëhapur shqiponja e zezë dykrenare, janë endur indet e historisë sonë të lavdishme, është endur nderi, krenaria, sakrifica, vetëmohimi, gatishmëria , etja e pashuar për liri e bashkim kombëtar. Shenjtëria e Flamurit, përkushtimi ndaj tij nuk mund të jetë kurrë një sëmundje atavike nacionalistësh, siç na e thotë ndonjë që i ka marrë koka erë, erë e duhmë internacionalistësh, gjoja modernë e kozmopolitë.

Të gjitha kombet e shtetet ruajnë dhe nderojnë me xhelozi flamurët e tyre. Mëgjithëse Evropa e Bashkuar ka flamurin e saj, të gjithë popujt që bëjnë pjesë në të kanë flamurët e tyre, që i nderojnë më së tepërmi në krahasim me të parin.

Errësira e gjatë pesëshekullore e robërisë turke mjegulloi kujtesën shqiptare dhe siç duket, megjithëse konservativë të skajshëm e shëmbullorë në ruajtjen e tharmit të tyre etnoshpirtëror, shqiptarët filluan dalëngadalë ta harrojnë atë. Por, siç duket, malësorët e Malësisë së Madhe e të Dukagjinit dhe, ndoshta, edhe të atyre krahinave të tjera malore të Jugut, që gjatë periudhës së pushtimit turk gëzuan njëfarë autonomie vetëqeverisëse mbi bazën e së drejtës zakonore, e ruajtën flamurin, bile jo vetëm në kujtesë. At Donat Kurti që së bashku me At Benedikt Demën mblodhi dhe stilizoi aq bukur thesarin më të madh të folklorit tonë, ciklin e këngëve të kreshnikëve dhe përrallat popullore të malësorëve, duke shkruar për ngritjen e Flamurit në Deçiq, më 6 prill 1911, nga kryengritësit malësorë të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, vë në dukje:“Me gjithë që kishin flamuj komtar me shumicë (malësorët, A.Ç.) s’mujshin me e ngrehë flamurin kund me madhni e solemnitet, pse veheshin në rrezik me u gjetë ndërmjet dy zjarmijesh e mos me pasë ma kalimin lirshem kah Mali i Zi. Shka veç se malsorët nuk i mshehshin ndjesit e veta komtare e prandej nuk mungojshin rasa të veçueme nder të cilat ata trimnisht ngrehshin flamurin e tyre në ndonjë maje”. (Donat Kurti “Flamuri Komtar në krahinë të Shkoders”, “Hylli i Dritës”, 1937, nr.11, f.521). Të dhënat për këtë artikull, At Donat Kurti i mori nga malësorët, që kishin marrë pjesë në kryengritjen  Malësisë së Madhe të vitit 1911, të cilët ai i permend me emra.

Bashkësia shqiptare e Amerikës ka të drejtë të mburret, sepse emigrantët e këtushëm e ngritën Flamurin tonë Kombëtar, që në vitin 1907.

Në rrafshin e argumentimit dokumentar “rizbulonjësi i Flamurit të Skendërbeut”, siç është shprehur Noli, është Faik Konica. Në nr. e 15 shtatorit të vitit 1901 të revistës së tij “Albania”, në mbështetje të veprës së autorit francez Lavardin “Historia e Gjergj Kastriotit, i quajtur Skendërrbeg, mbret i Shqipërisë”, botuar në Paris më 1621, Konica shkruan: “Flamurët e Skënderbeut, që ishin të gjithë të kuq, kishin një shqiponjë dykrerësh të zezë”. Më vonë, në vitin 1909, mbasi i thëlloi studimet e veta, Faiku, i mbështetur tek nji botim më i hershëm i Lavardinit (v.1576) dhe sidomos tek Biemmi (v.1742), i cili gjoja i referohet një Anonimi të Tivarit (v.1480), e argumentoi rishtas një gjë të tillë. Po në këtë shkrim, Konica i drejtohet Marin Barletit, humanistit e historianit të madh shqiptar me famë evropiane, që luftoi me armë në dorë kundër turqve në rrethimin e Shkodrës, në vitet 1478-1479 dhe që njohu në mërgim personalisht shumë bashkëluftëtarë të Skënderbeut. Barleti në veprën “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, botuar në Romë në vitin 1508, në fletën XV shkruan:”Skënder Beu mbante flamurë të kuq të shtruar me shqiponja të zeza dhe dy krerësh”.

Historiografia e sotme shqiptare i çoi më tej studimet në këtë lëmë, megjithëse ende mbetën mjaft çështje për t’u sqaruar rreth këtij argumenti. Aleks Buda, duke u mbështetur në kritikën moderne historiografike, sidomos tek F.Babinger dhe F. Pall, mohon ekzistencën, autenticitetin dhe vlerën e Anonimit dhe pohon që Biemmi qe thjesht një falsifikues profesionist, që sendërgjoi Tivarasin, tek i cili gjoja ai u bazua për të shkruar veprën e tij. (Duhet thënë se falsifikime të tilla nuk kanë qenë të pakëta, sidomos në mesjetë). Pëfundimisht, dëshmia e parë historike autentike e Flamurit shqiptar deri më sot i takon Barletit, mbi veprën e të cilit janë mbështetur më vonë pothua të gjithë biografët e Skëndërbeut.

Do të ishte i mangët një shkrim për Flamurin Kombëtar, nëse do të linim në harresë duart që qëndisën atë Flamur, që u ngrit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912. Ja çfarë na thotë për këtë Mustafa Kruja, një ndër nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë: “Në një shtëpi modeste të Vlorës, kishte kohë që zonja Marigo Poze, nji zonjë orthodokse shqiptare me mish e me gjak e me shpirt, po qëndiste me duart delikate e t’afta të saja e me nji dashuni pa skanj nji shqipe të madhe dykrenshe, të zezë mbi pëlhurë të kuqe. Ishte Flamur’i Shqipnisë së lirë. Këtë Flamur, ditën 28 Nanduer 1912 orën 17.30, porsa patën prajtun brohorit’ e rezolutës së Kuvendit për pamvarësinë Kombtare, vet’ thinjosh’i përnderuem Ismail Kemali e ngriti ὰmadhnisht tue iu dridhun duert nga mallëngjimi, në nji dritore qendrore të ndërtesës historike.(“Hylli i Dritës”,v.1995,nr.5-6,f.91).

 

*     *     *

Çfarë përfaqëson për ne shqiptarët shqiponja e zezë me dy krerë dhe ngjyra e kuqe e pëlhurës së tij, a mishërojnë ato një simbolikë kombëtare? Dihet që për popullin tonë, shqiponja, si një shpend i fuqishëm që jeton në gërxhe të larta malore, mbahet si simbol i lirisë, i trimërisë dhe i madhështisë, atribute që përputhën aq mirë me etjen tonë të përjetshme për liri dhe me krenarinë tonë kombëtare. Si e tillë, ajo ndeshet dendur në folklorin gojor, në punimet më të ndryshme artistike të realizuara në pëlhurë, gur, dru a metal, në letërsinë artistike, pikturë, muzikë etj. Atë e gjejmë të gdhendur në dyert e shtëpive feudale që në shek. XII-XIII.

Në mitologjinë greke, shqiponja është shpendi i shenjtë i Zeusit, që i rri gjithnjë pranë fronit. Tek popujt e lashtë, ajo është trajtuar si shpend kulti dhe si totem dhe, si e tillë, është shndërruar në emblemë të fiseve e të popujve, që e kanë fytyrësuar në parὰ, armë, mburoja dhe sidomos në flamuj. Mendohet se Leka i Madh të ketë qenë i pari që nxori parὰ me figurën e shqiponjës. Që atëherë, shumë popuj e kanë përdorë si emblemë të tyren dhe sot numërohen së paku 19 popuj ta kenë shqiponjën në monedhat e tyre. Shqiponja është emblemë shtetërore e Shteteve të Bashkuara, e përshtatur si e tillë, në v. 1875.

Shqiponja-edhe ajo me dy krerë-haset shpesh në simbolikën e shumë popujve indoevropianë, si tek rusët, austriakët, gjermanët, dalmatët, etj. Në se shtyhemi më thellë në kohë, ajo na del edhe tek persianët, grekët, romakët,etj. Legjionet romake, në krye të herës së tyre, mbanin në flamurët e tyre një arí, ujk ose kalë; më vonë, i zëvendësuan këto kafshë me shqiponjën. Ndoshta kemi të bëjmë këtu me vullnetin e perandorëve me origjinë ilire. Shqiponja u bë e shenjtë për ushtarët romakë; ata vdisnin me dëshirë nën hijen e flamurit të tyre me shqiponjë.

Nga e mori Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skendërbeu, shqiponjën e stilizuar me dy krerë, që e vuri në Flamurin dhe në vulën e tij mbretërore? Ka mendime të ndryshme. Ende nuk mund të thuhet përfundimisht diçka e saktë. Faik Konica, në një shkrim të botuar në “Diellin” e dt. 26 nëntor të vitit 1921, shkruan:“Nuk është çudi që Skënderbeu, ca nga kujtimi i Bizantit, ca nga armët që kish parë në Itali, ndofta edhe se shqiponja me dy krerë ka qenë shënja e shtëpisë së tij, e përdori në flamurët”. Nuk duhet përjashtuar edhe rasti që ajo është trashëgimi e lashtë ilire pagane me funksion kulti ose si totem. Ngjyra e kuqe e pëlhurës, ku shqipja nden krahët, në ndërgjegjen popullore lidhet me ngjyrën e gjakut, që kanë derdhur shqiptarët historikisht për të mbrojtur trojet e të parëve. Konica, në artikullin e çekur më lart, shkruan se ngjyra “nuk duhet të ketë pasur ndonjë kuptim të veçantë, ajo ndofta u zgjodh si ngjyra më popullore e Shqipërisë”.

 

Himnet e Flamurit

Si të gjithë popujt e tjerë, edhe populli ynë, duke mishëruar tek Flamuri historinë shekullore, pajën shpirtërore dhe aspiratat kombëtare, i ka thurur himne atij, dhe jo vetëm një. Në periudhën e Rilindjes Kombëtare u bë pothuajse modë që kushdo që merrte penën të shkruante vargje, thurte edhe një himn për Flamurin. Sigurisht një frymëzim i tillë lindte nga dëshira për ta parë Atdheun të lirë, të begatë e të qytetëruar.

Në numrin e madh të himneve, spikatën tre: “Betimi mbi Flamurin” i Asdrenit, që u bë himni zyrtar, “Porsi fleta e Ejllit të Zotit” i At Gjergj Fishtës, dhe “Himni i Flamurit” i Fan Nolit.

Na vjen mbarë të përmendim këtu që edhe bashkësia shqiptare-amerikane thuri himne për Flamurin. Një himn i tillë, i Kristo Floqit, është botuar në “Diellin” e 16 shkurtit 1983 dhe një himn tjetër të bukur, me titullin “Flamuri i vendit tim”, e shkroi Nexhat Peshkëpia për nxënësit e shkollës shqipe të New Yorkut.

Ç’është ky himn që na i mbush zemrat me mall e sytë me lot, që na ngjall aq nderim e krenari, aq dhimbje e dashuri, që na bën të ngrihemi në këmbë dhe të përjetojmë magjinë e ndjenjës kombëtare dhe të dëshirës së flaktë për bashkim e vëllazërim, që na përbeton në zotimet më të fisme për t’u flijuar për idealet më të larta njerëzore, që na kujton se jemi vëllezër të një gjaku, bij të një barku, filiza të një rrënje, banorë të një trualli, folës të një gjuhe? E cili prej nesh nuk e këndon atë pa dhimbje të thellë kraharori?

Fati e merita e krijimit të himnit tonë kombëtar i përkasin emrit të Asdrenit, pseudonimi poetit Aleksandër Stavre Drenova (1872-1947). Të djegur nga dëshira për ta parë Atdheun të lirë dhe nga malli për të , atdhetarët mërgimtarë të kolonisë shqiptare të Rumanisë krijuan një himn kombëtar, duke u mbështetur në poezinë e Asdrenit me titull “Betimi mbi Flamurin”, shkruar në vitin 1907 dhe duke huajtur melodinë e një shoqate të Bukureshtit, të kompozuar nga kompozitori rumun Ciprian Porumbescu.

 

Himni Kombëtar

 

Rreth Flamurit të përbashkuar,

Me një dëshirë dhe një qëllim,

Të gjithë Atij duke iu bashkuar,

Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ay largohet,

Që është lindur tradhëtor,

Kush është burrë nuk friksohet,

Po vdes, po vdes si një dëshmor.

Në dorë armët do t’i mbajmë,

Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,

Të drejtat tona ne s’i ndajmë,

Këtu armiqtë s’kanë vend.

Se Zoti vetë e tha me gojë,

Që kombe shuhen përmbi dhe,

Po Shqipëria do të rrojë,

Për të, për të lutojmë ne.

 

Atdhetari e poeti Hil Mosi, në veprimtarinë letrare të të cilit, si edhe në atë të Asdrenit, të Mihal Gramenos e disa të tjerëve, numërohen disa marshe patriotike, e solli këtë himn në Atdhe, në vitin 1910, dhe ua mësoi shqiptarëve, tek ndjenjat e të cilëve himni gjeti një mishërim të plotë e fatlum. Grupi koral i Korçës e këndoi këtë himn, në mes të një vaji e brohoritje të përgjithtë, më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, me rastin e Shpalljes së Pavarësisë. Qysh prej asaj kohe, ai u përhap në gjithë vendin tonë dhe u bë Himni i Flamurit Kombëtar. U krijuan edhe himne të tjera, por asnjë nuk arriti ta zëvendësojë.

Teksti i Asdrenit është një vjershë fare e thjeshtë në pikëpamje artistike, por me një pathos kushtrimorë të fuqishëm, që mishëron plotësisht frymën e kohës, duke u përshkuar nga dëshira e zjarrtë, një vullnet i pamposhtur dhe nga një gatishmëri e skajshme për ta parë Atdheun të lirë, të pavarur. Në krijesën poetike të Asdrenit i sheh shqiptarët të përbashkuar nën hijen e Flamurit të japin besën për të luftuar deri në vdekje për shpëtimin e Shqipërisë, të dënojnë tradhtinë, të përbuzin frikën, të nderojnë burrërinë dhe të shpallin vetëflijimin për idealin e tyre më të lartë, lirinë. Një frymë hyjnore duket sikur lëvrin në vargjet e këtij kushtrimi, që përhapet nga Zoti vetë, që ka dëshmuar përjetësinë e Shqipërisë, dhe frymëzohet nga vetë shenjtëria e Flamurit, së cilës i përkushtohen shqiptarët deri në flijim dhe nëpërmjet shenjtërimit të Flamurit shenjtërohen edhe ata vetë. Kushtrimi dhe betimi janë realizuar në një poezi strofike katërvargëshe, me vargje nëntërrokëshe, me një kadencë ritmike marciale dhe rimë alternative, pa një dallim ndërtimor metrik në mes strofës dhe refrenit.

Shumë i përhapur ka qenë, gjithashtu, himni i poetit kombëtar, At Gjergj Fishtës, me titullin “Porsi fleta e Ejllit të Zotit”, që u këndua për të parën herë më 13 qershor 1913, me rastin e ngritjes së Flamurit Kombëtar në Shkodrën e rrethuar prej forcave malazeze, që pretendonin ta kishin kryeqytet të tyre, ndërsa vetë Shkodra me këtë gjest shpallte para botës bashkimin e saj me Qeverinë e Vlorës. Ky himn, që u këndua për vite me radhë në Shkodër dhe në viset nën ndikimin kulturor të këtij qyteti të lashtë, gjithashtu sendërton momentin historik të kohës e të ngjarjeve, nën ndikimin e të cilave është shkruar. Ideja e kushtrimit dhe e bashkimit, të ngjizura me pajën etnoshpirtërore të populli tonë, kumbojnë fuqishëm, duke realizuar në një varg popullor tetërrokësh një ritmikë luftarake mobilizuese, që është më e shtrirë tek strofa dhe më e mprehtë tek refreni.

Himni i Fishtës u kompozua prej qytetarit shkodran Lec Kurti, atdhetar i flaktë, diplomat, shkrimtar e kompozitor, mik i ngushtë i Luigj Gurakuqit, Faik Konicës, Imzot Bumçit, Mithat Frashërit, eksponent i Ballit Kombëtar.

Në vitin 1921, Ministria e Arsimit e shtetit të ri shqiptar, që kishte filluar të formësohej, organizoi një konkurs për një himn kombëtar. Juria, një shkëlqim i fuqishëm patriotik dhe letrar, përbëhej nga At Gjergj Fishta, Fan Noli, Mithat Frashëri dhe Luigj Gurakuqi. Konkursin e fitoi poeti i ri 18 vjeçar, Ernest Koliqi. Nuk e njohim tekstin e këtij himni dhe nuk e dimë në se u kompozua dhe në se u këndua ndonjëherë. I veshur që në krye të herës me magjinë e Vlorës, vazhdoi të këndohet “Betimi mbi Flamurin” dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, si një vlerë e shenjtë, që ruhet brez pas brezi.

Shqiptarit, që gjithnjë i ka munguar buka, por që ka pasur aq pasuri morale e artistike në shpirt, duket se nuk i mjaftuan tërë ato himne. E mori penën Noli për të na dhënë një perlë poetike, që do të na magjepsë e do të na trondisë sa herë ta lexojmë e ta kujtojmë. Më i begatshëm në realizimin ideor dhe më i fuqishëm në atë artistik, himni i Nolit u ngjit në kulmet më të epra të poezisë shqipe. I thurur në mërgim, mbas dështimit të asaj kthese historike madhore, që ne i kemi vënë emrin Revolucioni Demokratik i Qershorit, ky himn dëshmon gjurmët e një kohe më të vonshme se dy himnet e para. Më 1925, a ndonjë vit më vonë, kur është shkruar dhe botuar së pari në gazetën “Lirija Kombëtare”, që botohej në Vjenë nga Komiteti Nacional Revolucionar (Konare), kishte një Flamur, megjithëse nuk valëvitej i lirë mbi të gjitha trojet, por ishte Flamur Kombëtar. Nën trysninë e shtysën e këtyre rrethanave historike, kushtrimit e përbetimit i ndjehet vetëm jehona e largët, gati-gati e shuar, që duket sikur ka mbetur e davaritur shtresave mjegullore të qiellit shqiptar; por ama, është aty diku.

Në poezinë e Nolit sendërtohet i gjallë e i fisëm Flamuri ynë, me vlerat etnike, me ngjyrat kombëtare, me emblemën dhe, më së forti, me pajën e tij shpirtërore dhe një sintezë të plotë historike. Në pajtim me trajtimet idealizuese e përlavduese të rilindasve dhe aspiratave demokratike të Nolit, Flamuri ynë nuk është vetëm “flamur bujar për njerëzi”, “djell për vatanë”, “i madh për vegjëli”, por edhe “yrnek për fqinë” dhe, mos u çuditni :“për botën ëndr’e qjell i ri”. Dhe ç’është ky ëndërrim, ç’është ky “qjell i ri” që i hapet botës, na e shtjellon vetë poeti:

 

“Flamur që lint Shën Kostandinin,

Pajton Islamn’ me Krishtërimin,

Çpall midis feve vëllazërimin”

 

Çdo koment vetëm do ta varfëronte domethënien e madhe të këtyre vargjeve. Duke aluduar në origjinën ilire të perandorit romak Kostantini i Madh (287-337), që e bëri kristianizmin fe zyrtare të Perandorisë Romake dhe, pa e ndjekur paganizmin-pra “me metoda demokratike”, siç do të shpreheshim ne sot,-ia hapi rrugën për Evropë. Në këtë hulli veprimi, tipike shqiptare, se sa i duhet gjithë botës një flamur që “shpall midis feve vëllazërimin” jo vetëm historia e së kaluarës, po aty – këtu, edhe ajo që po ndodh edhe sot e kësaj dite në vise të ndryshme të planetit, po na e dëshmon më së miri. Sintezën e historisë luftarake të kombit tonë , të realizuar me një ngjeshje artistike të lakmueshme, na e ka dhënë, në mënyrën më të saktë e më të kursyeshme, Mitrush Kuteli:“Rron brenda kësaj vjershe gjithë historia shqiptare dhe sidomos fryma Teftane e pardjeshme, sulmi Kruetan i djeshmë dhe vrulli Vlonjat i sotmë dhe i përhershmë”.

Të gjithë atyre që u kullon gjak shqiptari në dejtë e trupit kanë mall ta dëgjojnë e ta ndjejnë Himnin e Flamurit, ta dinë dhe ta këndojnë; por nuk mjafton ky mall, kjo dashuri. Duhen bërë përpjekje për ta mbajtur lart nderin e tij, duhet luftuar për prestigjin e tij, duke mos kursyer as jetën, ashtu siç kanë vepruar gjithnjë të parët tonë dhe siç e ka kënduar rapsodi popullor në këngën e tij:

 

“Shqipëri, o shkëmb e gur,

  Vrite, prite për Flamur”.

Comment

*