Flamuri që u ngrit në Vlorë dhe Kastrioti i pestë, Aleandro

Ylli Polovina

Shkrimi i katërt i ciklit për jubileun e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut

 

Në shkrimin e javës së shkuar vumë në dukje se Memorandumin e Shqiptarëve të Italisë dërguar në janar 1913 përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës, midis 17 anëtarëve të Komitetit drejtues të tij katër qenë Kastriotë: Markezi Xhovani Kastriota Skanderbeg (kryetar nderi) dhe, si anëtarë, Filipo Kastriota Skanderbeg (baron), Françesko Kastriota Skanderbeg (markez) dhe Ferdinando Bideri Masrek Kastriota.

Kur pothuaj një muaj më pas kësaj ngjarjeje ose gjysmë viti më vonë nga shpallja e Pavarësisë, në ditët 1 deri 4 mars 1913, në Trieste do të mbahej një kongres veprimtarësh shqiptarë, aksion në mbështetje dhe mbrojtje të 28 nëntorit 1912, prej katër Kastriotëve do të ndodhej aty vetëm njëri prej tyre.

Qe, deri këtë kohë, më i shquari, më i zoti për të qenë në krye.

Në një farë mënyre edhe me kaq mund të konsiderohet përgjatë Rilindjes Shqiptare si udhëheqësi i pasardhësve natyralë të Skënderbeut në Itali. Pse jo i pajisur edhe me pretendimin se e kishte shtatin e prijësit politik edhe për tërë atdheun e të parëve të tij.

Ky ishte markezi Xhovani.

Ndërkaq duhej të saktësojmë se nxitësi më aktiv i këtij kongresi të mbajtur në Triste në ditët e para të marsit 1913 qe Faik Konica.

Prania e sidomos ndërhyrja me një fjalim të posaçëm i Xhovani Kastriota Skanderbeg në procesverbalin e mbledhjes është fiksuar kështu: “Si maruene brohorimet Faik Konica thotë me emnue kreitar nderet prencin Gjon Kastrjotin Skanderbeg, markesi i Aulettes, e n’salon e pelqejnë fjalen e tij menji trokitje t’gjatë duersh. Markesi Gjon Kastrjoti falet nderës pik s’parit per nderim t’posaçëm qi i ban kongresi, pershndedë Fuqiit qi diftojnë migësii per Shqypënii e tuej shpresue mirë per flamuer t’Shqypëtariis, qi po del n’drit mbas saa vjet s’gjedhet e myllë biseden tuej britë “Pandoftë Shqypenija” – e t’gjith kongresistat i bashkohen”.

(Shënojmë se në Trieste, në 18 nëntor 1912, ishte mbajtur një kongres tjetër, i mëparshëm, i shqiptarëve në nxitje të përpjekjes për t’u pavarësuar dhe në këtë qytet që ka luajtur rol shumë të rëndësishëm për çështjen tonë kombëtare, duke qenë realisht “Vlora” jonë ballkanike, në 22 nëntor mbërriti nga Vjena Ismail Qemali dhe i hipi vaporit të Llojd me drejtim zbarkimin e tij në Durrës).

Shkrimet e mëvonshëm do të na japin mundësi t’ju informojmë më hollësisht si u rrjedh jeta katër veprimtarëve nacionalistë Kastriotë si edhe cili prej tyre është pasardhës i vërtetë natyral dhe kush jo, pra me identitet fals, i vetësajuar.

Por duke qenë se në kronologjinë e ciklit tonë jemi në muajt e parë të pavarësimit, pra të asaj dite të shënuar që ne shqiptarët e perifrazojmë edhe me togfjalëshin “Ngritja e Flamurit Kombëtar në Vlorë”, duhet të rikthejmë në kujtesë, prej Kastriotëve në mbështetje të çështjes tonë kombëtare, faktin se ekziston edhe një i pestë i tyre.

Quhet Aleandro.

Edhe pse kishte bërë jetë në Paris ai ishte spanjoll, çfarë do të thotë se në gjuhën e vet emri i shkruhet dhe i shqiptohet Alejandro. Me pak fjalë Alesandro. Skënder në turqisht, në ringjallje të Aleksandrit të Madh, siç edhe ishte emërtuar Skënderbeu.

Për t’ja arritur një njohjeje hë për hë të shpejtë të Aleandro Kastriotit, çfarë më vonë do të rritë përmasat, po i drejtohemi librit të shumënjohur të Eqrem bej Vlorës “Kujtime 1985-1923”.

“Një javë pas kthimit tim në Vlorë çova Murat bej Toptanin dhe Hydai efendinë (nipin e babait tonë të teqesë në Janinë), duke iu lutur të më kthenin flamurin që u pajta huajtur. Më pranuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Pozio (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qendisur flamurin e ri.

E pra, në 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesi tipike shqiptaro-lindore, ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte se si ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im, Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti a mund të merrej pa qenë aty i zoti. Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri, që dikur don Aleandro Kastrioti ma kish dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte pranë, në dritare”.

E vazhdon menjëherë Eqrem Vlora rrëfimin e tij të jashtëzakonshëm për historinë tonë: “Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopsht, duke brohoritur “rroftë, rroftë!” edhe pse shumë prej tyre nuk kuptonin edhe aq se ç’po bëhej”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë më 2 tetor 2017

Trieste në fillim të shekullit të shkuar.

Comment

*