FMN angazhohet për stabilitetin financiar të Kosovës

Prishtinë, 17 maj 2017 – Përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen, tha se ky institucion do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën dhe kërkoi veprime të fuqishme të politikave dhe disiplinë fiskale.

Përmes një komunikate, Fondi Monetar Ndërkombëtar bëri të ditur se do ta mbështesë Qeverinë e re të Kosovës, e cila do të formohet pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit.

“Fondi vazhdon të jetë i përkushtuar në mbështetjen e Kosovës gjatë mandatit të tij, si dhe është i gatshëm të angazhohet me Qeverinë e re pas zgjedhjeve”, thuhet në komunikatë.

Pasi përkujton se gjatë dy vjetëve të kaluara objektivat e përgjithshme të programit kanë qenë  përmirësimi i situatës fiskale, ruajtja e stabilitetit financiar dhe krijimi i kushteve për rritje të qëndrueshme, FMN thekson se është e rëndësishme që të sigurohen veprime të fuqishme të politikave, duke përfshirë disiplinë fiskale “meqë ato janë thelbësore për të përshpejtuar konvergjencën e të ardhurave dhe për të trajtuar papunësinë e lartë në vend”

“Të gjitha zotimet fiskale dhe veprimet përkatëse duhet të jenë në përputhje me rregullën fiskale dhe ligjin për pagat e sektorit publik”, thuhet po ashtu në këtë komunikatë

Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë vlerësimit ekonomik të Kosovës kishte vërejtur edhe mosmarrëveshje brenda koalicionit qeverisës. (r.m.)

Comment

*