FMN: Duhet ende kohë për bashkimin e Administratës Tatimore dhe Doganës

Prishtinë, 25 nëntor 2017 – Qeverisë së Ramush Hradinajt nuk po i ngutet të realizojë projektin e Qeverisë së Isa Mustafës për bashkimin e dy agjencive kryesore që e mbushin buxhetin e Kosovës, Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ndonëse projektligji që i hap rrugë bashkimit të këtyre agjencive ishte paraparë të procedohej për miratim në Kuvendin e Kosovës deri më sot, më 25 nëntor.

Ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që kanë qëndruar në Administratën Tatimore të Kosovës për të parë nëse ajo është e gatshme t’i nënshtrohet procesit të bashkimit me Doganën janë skeptikë. Ata kanë thënë se janë skeptikë se bashkmi i këtyre dy agjencive mund të bëhet shpejt, raporton KTV.

Në dokumentin që e ka siguruar KTV-ja, ekspertët e FMN-së kanë dhënë një numër detyrash për ATK-në, rrjedhimisht për Ministrinë e Financave që duhet t’i kryejë para se të nisë procesi i bashkimit.

Raporti i FMN-së sugjeron ndërmarrjen e masave të menjëhershme për rritjen e efikasitetit të ATK-së, rishikimin e rrjetit të ATK-së në terren, krijimin e një sistemi efektiv të menaxhimit të performansës së zyrtarëve, përmirësimin e menaxhimit të rrezikut dhe rritja e besimit se burimet e ATK-së përdoren në mënyrë efikase.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave thonë se këto masa do të nisin t’i ndërmarrin që nga janari i vitit të ardhshëm, bashkë me bashkimin e disa departamenteve të ATK-së.

Nga ana tjetër, përfaqësues të bizneseve thonë se ata nuk janë konsultuar fare për procesin e bashkimit të ATK-së dhe Doganës. Ata kërkojnë që bashkimi të bëhet në mënyrë të kujdesshme, në mënyrë që të mos i dëmtojë bizneset.

Qeveria e kaluar e Kosovës kishte planifikuar që dy agjencitë kryesore për mbledhjen e taksave të bashkoheshin në janar të vitit që po përfundon. Mirëpo, edhe atëherë, FMN-ja  kishte sugjeruar që ky proces të mos niste të paktën deri në vitin 2018. (r.m.)

Comment

*