FMN: Kosova e Shqipëria pritet të kenë rritjen më të madhe ekonomike në rajon

Uashington, 10 prill 2019 – Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike në Shqipëri gjatë këtij viti.

Në projeksionet e pranverës, FMN-ja vlerëson se ekonomia shqiptare do të rritet me 3.7% në vitin 2019, një ulje kjo e ndjeshme krahasuar me vitin 2018, kur rritja vlerësohet se ishte 4.2%.

Sipas vlerësimeve paraprake të Institutit të Statistikave, në vitin 2018 ekonomia e Shqipërisë u rrit me 4.06%. Kështu, ekonomia shqiptare e ka ndjekur të njëjtën tendencë me ekonominë globale, sidomos me atë evropiane, raporton ScanTV.

Kështu, FMN-ja i bashkohet Bankës Botërore, që pak javë më parë parashikoi një rritje prej 3.8% për ekonominë e Shqipërisë gjatë këtij viti. Ndërsa, qeveria shqiptare është shprehur shumë më optimiste, duke parashikuar një ekspansion prej 4.3%, për vitin 2019.

Në krahasim me raportin e tetorit, FMN-ja e ka rritur vlerësimin për ekonominë shqiptare për vitin 2018 nga 4 në 4.2%. Për dy vitet e ardhshme, 2020 dhe 2021, ky institucion financiar ndërkombëtar me bazë në Uashington parashikon një rritje ekonomike prej 3.9% dhe 4%, respektivisht.

Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se inflacioni në Shqipëri për vitin 2019 pritet të arrijë në 2.2%, kurse për vitin 2020 parashikohet të arrijë në 2.6%.

Sipas parashikimeve të FMN-së, në vendet e rajonit, rritjen më të madhe në vitin 2019 pritet ta regjistrojë Kosova, me 4.2%, më pas renditen Shqipëria me 3.7%, Serbia me 3.5%, Bosnja me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 3% dhe Mali i Zi me 2.8%.

Sipas FMN-së, rritja ekonomike në Eurozonë, e cila është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ngadalësohet më shumë se ç’pritej. Rritja ekomike në këtë zonë në vitin 2019 pritet të arrijë vetëm 1.3%. Kjo shihet si pasojë e pasigurive mbi politikat fiskale dhe ngadalësimit të investimeve, sidomos në Itali e në Francë, si edhe pasigurisë lidhur me daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. (r.m.)

Comment

*