FMN: Mos e rritni numrin e veteranëve të luftës!

Prishtinë, 12 dhjetor 2017 – Udhëheqësja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Stephanie Eble, u ka bërë thirrje autoriteteve të vendit që të mos rritet numri i skemave pensione jokontributdhënëse.

Në një konferencë për media, bashkë me ministrin e Financave, Bedri Hamza, ako ka kërkuar një “riklasifikim kredibil” të kategorive të luftës.

“Programet për përfitime sociale duhet të reformohen për të adresuar më mirë. Kjo përfshin po ashtu një riklasifikim kredibil të veteranëve të luftës, për të qëndruar në suaza të ndarjeve buxhetore për vitin 2018. Po ashtu, bëjmë thirrje që të mos shtohen ose rriten skemat e pensioneve jo kontribuuese, me çka do të ruhej sistemi i shëndoshë pensional, kurse efikasiteti i shpenzimeve në arsim dhe shëndetësi duhet të përmirësohet. Rritjet buxhetore për vitin 2018, si edhe efikasiteti i reformave në sektorin shëndetësor dhe arsimor duhet të rishikohen, pasi të futet në zbatim skema pensionale e sigurimeve shëndetësore”, ka thënë Eble, transmeton Koha.net.

Shefja e FMN-së në Kosovë ka sugjeruar që paga minimale të mbetet në suaza të mekanizmave të paraparë për përcaktimin e saj.

Eble ka thënë se kompozicioni i buxhetit mund të përmirësohet, me kalimin e kohës.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Bedri Hamza, duke folur për skemat sociale, ka thëne se ministria është e obliguar të veprojë në përputhje me ligjin.

“Ne si institucione jemi të obliguara të veprojmë në përputhje me legjislacionin në fuqi’, ka thënë ai.

Duke folur për normën e papunësisë, Hamza ka thënë se ajo është e lartë, prandaj duhet të krijohen kushte për zhvillimin e sektorit privat, i cili është gjenerues i vendeve të punës.

“Ne kemi dëgjuar shifra të ndryshme. Shifrat e fundit, nëse i referohemi Agjencionit të Statistikave të Kosovës, sillen diku rreth 27 për qind. Pra, do të thotë është normë e lartë, qoftë 25 apo 30 për qind, është normë e lartë e papunësisë. Ne kemi nevojë të krijojmë kushte për sektorin privat që ai të jetë udhëheqës në rritjen ekonomike dhe gjenerues i qëndrueshëm i vendeve të punës”, ka thënë Hamza.

Ai po ashtu ka vlerësuar se ekonomia e vendit ka pasur progres, ku e ka ritheksuar se papunësia mbetet në nivel të lartë.

Ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se kosova ka një sistem të shëndoshë financiar, me një likuiditet të jashtëzakonshëm, me kapital të lartë dhe me nivel të ulët të kredive joperformuese. (r.m.)

Comment

*