FMN: Projektet PPP – rrezik për ekonominë e Shqipërisë

Tiranë, 29 janar 2019 – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tërheq vërejtjen se projektet e Partneritetit Publiko-Privat do të kthehen në një rrezik për ekonominë e Shqipërisë.

FMN, në raportin vjetor, tërheq vëmendjen për ndryshimin e shpeshtë të fondeve që janë dhënë për këtë skemë dhe thekson se përzgjedhja e firmave fituese duhet të bëhet përmes konkurrencës.

Për FMN shqetësim janë dhe detyrimet e prapambetura, të cilat arrijnë në 24.5 miliardë lekë.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, u ka bërë thirrje politikbërësve në Shqipëri që të marin masa dhe të dëgjojnë rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare.

“Këto paralajmërime nuk merren parasysh, sidomos për përfitime afatshkurta politike ose edhe jo politike. Pasojat rëndojnë tek taksapaguesit shqiptarë dhe kriza e borxheve mbetet një risk potencial mbi ekonominë shqiptare”, ka thënë ai.

Malaj ka sugjeruar që Qeveria të jetë më transparente në lidhje me gjendjen financiare të vendit.

“Rregulla strikt për të analizuar koston apo përfitimin e çdo qindarke që ne hedhim si shpenzim apo investim në ekonominë tonë”, ka shtuar ai.

Sa i përket rritjes ekonomike, FMN parashikon që qi të jetë 3.7 për qind. (r.m.)

Comment

*