FMN – Qeverisë së Kosovës: Mos e shtoni numrin e skemave sociale

Uashington, 18 dhjetor 2018 – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parasheh që rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2019 të jetë 4,2 për qind.

Por, sipas FMN-së, kjo rritje mund të jetë më e madhe, nëse ka përparim në reformat, veçanërisht në tregun e punës dhe në fushat e qeverisjes.

Megjithatë, sipas FMN-së, ka rrezik se presioni i shpenzimeve dhe mungesa e të ardhurave nga taksat mund ta rrisin deficitin fiskal.

“Rregullat fiskale vazhdojnë të jenë brenda politikave fiskale në buxhetin për vitin 2019 edhe pse ka rreziqe. Në buxhet ka rritje të madhe të pensioneve dhe hapësirë për iniciativa të reja për pagat dhe benefite të tjera sociale, duke u mbështetur në përfitimet e mëdha dhe të paqëndrueshme nga reformat në reformat e administratës tatimore dhe pensionet për veteranët e luftës”, thuhet në një raport të FMN- së.

FMN ka sugjeruar që autoritetet në Kosovë të jenë të kujdesshme në prezantimin e skemave të reja sociale.

“Për të mbajtur nën kontroll presionin nga përfitimet sociale është e nevojshme që të ketë reforma sa i përket veteranëve të luftës dhe të mos prezantohen skema të reja sociale, të tilla si për mësuesit, policinë apo edhe skema të tjera, ndërsa çdo rritje e pensioneve duhet të kufizohet vetëm në pensionin bazë”, thuhet në raportin e FMN-së.

FMN vlerëson se në Kosovë “kanë ngecur” shumë reforma, si pasojë e situatës “komplekse politike” dhe thekson se janë rritur “vendimet populiste” të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka thënë se buxheti për vitin 2019 do të jetë 2,3 miliardë euro. Në këtë buxhet janë përfshirë edhe disa skema të reja sociale. Partitë opozitare e kanë kritikuar rritjen e skemave sociale dhe kanë tërhequr vlerësuar se ky buxhet nuk garanton zhvillim ekonomik. (r.m.)

Comment

*