FMN: Shqipëria ka nevojë për rritje ekonomike më të qëndrueshme

Tiranë, 20 nëntor 2018 – Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)  tha se Shqipëria duhet të bëjë edhe shumë që rritja ekonomike të jetë më e qëndrueshme dhe të eleminojë arsyet për emigracion.

Shefi i misionit, Jan Kees Martijn, tha se për vitin e ardhshëm FMN-ja pret një rënie të ritmit të rritjes ekonomike në 3.7 përqind.

Thuajse të njejtin parashikim kanë bërë dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, si Banka Botërore apo Banka Europian për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Por, ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, mbrojti parashikimet e qeverisë për një rritje prej 4.3 për qind.

Për periudhën afatmesme, FMN e sheh më pozitivisht aktivitetin ekonomik të Shqipërisë.

“Parashikojmë që shkalla e rritjes të jetë rreth nivelit 4 për qind, e mbështetur nga rritja e eksporteve, përfshirë turizmin dhe investimet në infrastrukture”, tha Martijn.

“Është e rëndësishme të vendosen amortizues më të fuqishëm, sidomos tani që janë rritur risqet ndaj së ardhmes ekonomike të Evropës. Në reformat kyçe përfshihet fuqizimi i shtetit ligjor dhe institucioneve ekonomike, heqja e pengesave ndaj rritjes së investimeve dhe kursimeve private dhe zvogëlimi i borxhit publik me ritëm më të shpejtë nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit të investimeve publike dhe zgjerimit të bazës së të ardhurave fiskale”, thuhet në vlerësimin përmbyllës të misio nit të FMN-së.

Sipas këtij institucioni ndërkombëtar financiar, lidhjet e forta ekonomike të Shqipërisë me Bashkimin europian e ekspozojnë atë ndaj zhvillimeve në këtë rajon.

“Një ngadalësim në këto vende do të kishte ndikim edhe në Shqipëri, përmes rënies së eksporteve, dërgesave të emigrantëve dhe investimeve të huaja të drejtpërdrejta (IHD). Gjithashtu, shtrëngimi i pritur në kushtet financiare botërore do ta rriste koston e financimit të Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.

“Krahas këtyre, ka edhe risqe të rëndësishme të brendshme. Duke vështruar përpara, nëse përparimi në reformat strukturore, përfshirë menaxhimin e financave publike, sektorin energjetik dhe sistemin gjyqësor është i pamjaftueshëm, mund ta zbehë besimin dhe ta vonojnë konvergjencën me vendet e tjera të rajonit. Kushtet e këqija të motit mund ta cënonin prodhimin e energjisë elektrike, duke krijuar kështu risqe ndaj buxhetit”, thekson FMN.

Lidhur me borxhin publik, misioni i FMN-së vlerëson se ulja e parashikuar e këtij borxhi do të jetë më e ngadalshme se sa do të rekomandonin ekspertët.

“Për të arritur objektivin e autoriteteve për uljen e borxhit publik në nivelin 60 për qind të PBB-së brenda vitit 2021 në mënyrë të qëndrueshme, do të nevojiten korrigjime të mëtejshme fiskale”, thekson FMN.

Lidhur me politikat fiskale, FMN nxit autoritetet shqiptare që të mos shtojnë ulje, përjashtime apo trajtime preferenciale tatimore ad hoc dhe të konsiderojnë anulimin e uljeve të miratuara tashmë. “Ato e bëjnë më të komplikuar dhe më pak të parashikueshëm sistemin tatimor, çka e cenon klimën e investimeve dhe mbledhjen e tatimeve”, tërheq vërejtjen FMN.

Misioni i FMN-së shpreh përsëri shqetësimin për rritjen e projekteve të Partneritetit Publik Privat (PPP).

“Rritja e shpejtë e PPP-ve i ka rritur risqet fiskale, çka kërkon përmirësime të tjera shtesë, në kuadrin për investimet publike”, thuhet në raport.

FMN-ja ka vërejtje se projektet e bazuara në formulën e PPP-ve kryesisht propozohen nga privatët.

“Këshillojmë nxitjen e një procesi me oferta konkurruese, duke mos pranuar më propozime të pakërkuara për PPP-të. Ndonëse shpenzimet e parashikuara për PPP-të mbeten poshtë tavanit ligjor prej 5 për qind të të ardhurave tatimore, kjo lë pak hapësirë për projekte të tjera PPP-sh me fonde shtetërore”.

Misioni i FMN-së ka bërë thirrje që të trajtohet pa vonesë rritja e detyrimeve të prapambetura buxhetore që nga 2016.

Lidhur me gjendjen e sistemit bankar, FMN paralajmëron për rritjen e  kompleksitetit të mbikëqyrjes.

“Ruajtja e stabilitetit financiar ndërkohë që arkitektura e sektorit bankar është duke ndryshuar e rrit kompleksitetin e mbikqyrjes financiare”, tërheq vërejtjen FMN.

“Ndërkohë që pronësia e bankave po u kalon grupimeve vendase dhe të vendeve jashtë Bashkimit Evropian, mbikëqyrja bankare ka një rol shumë të rëndësishëm për të mbajtur nën kontroll risqet që rrjedhin nga kreditimi i palëve të lidhura, kreditimi ndërkufitar dhe ekspozimet e mëdha”, thekson FMN. (r.m.)

Comment

*