“Foleja e Horrave” që rrëzoi Marrëveshjen e Detit me Greqinë

Trashëgim Sokolaj

Nga Trashgim Sokolaj*

Marrëveshjen e Kufirit Detar me Greqinë e ktheu mbrapsht Gjykata Kushtetuese.

Çmendi Ministria e Jashtme dhe Qeveria, çmenden 13 anëtarët e Komisionit Ndërshtetëror, lajthiti edhe Parlamenti.

Të gjithë zbatuan urdhrat që morën horizontalisht dhe vertikalisht për t’i falur detin Greqisë. Por, i ndali ajo gjykatë që Kryeministri i sotëm e quan një “Fole Horrash”.

I ndali ajo gjykatë e korruptuar edhe pse presidenti i kohës nuk pati hapësirë për të bërë më shumë se sa të refuzonte dhënien e Plotfuqishmërisë.

Kryeministri thotë se ajo fole horrash tani është pastruar. Thotë edhe që do të zëvendësohet shumë shpejt me gjyqtarë prej qelibari.

Dakord, Gjykata Kushtetuese ishte një fole horrash. 90 për qind prej anëtarëve të saj ishin të korruptar. Askush nuk thotë që të mos shkarkoheshin.

Por, më mirë të rrinin në punë ata “horra” edhe një vit apo dy vjet, derisa të gjenim këta gjyqtarët e qelibarit, se sa të mbetet vendi pa institucione.

“Horrat” le të shkonin atje ku e kanë vendin, por politika duhet të garantonte një rotacion të butë pa cenuar funksionimin e institucioneve.

Jo vetëm që nuk e bënë këtë, por shembën Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykaten e Lartë me një të rënë të lapsit, duke qenë koshientë për pasojat.

Dhe sot, është për të ardhur keq që Oficerë të Policisë Gjyqësore të paaftë që kanë hetuar jo më shumë se vjedhje të energjisë elektrike, pas disa vitesh punë si sekretarë në ministri, kanë marrë tagrin të vendosin çfarë është dhe ëfarë nuk është kushtetuese?!

Të vjen keq kur në një debat kaq “të shenjtë” i sheh të flasin më shumë me nerv se sa me logjikë, më shumë me tifozllëk se sa me literaturë, më shumë si partiakë se sa me praktikë gjyqësore.

I kemi shkatërruar institucionet e vendit dhe kemi bërë hapa pas duke e interpretuar dhe zbatuar Kushtetutën në rrugë dhe në studio televizive.

Nuk kemi një institucion që të vulosë të bardhën e as të zezën.

Jemi në pikë të hallit me një fjalë, në anarki ku drejtimin e përcakton më i forti, me padrejtësi dhe arbitraritet.

Reforma në Drejtësi mund të jetë progres, ndonëse e diskutueshme është edhe kjo, por gropa që është krijuar me mungesen e institucioneve si Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është shumë e madhe dhe do t’i kushtojë fort këtij vendi për shumë vite me radhë.

*Redaktor në televizionin “Ora News”

Comment

*