Formohen qendrat e bizneseve shqiptare në Amerikë dhe Kanada

Në vazhdën e këtij aktiviteti gjatë javës që e lamë pas këto rrjete u formuan në Londër, Toronto, Detroit, Chicago dhe Dallas

 

Nga Halil Mula

Ministria e Diasporës së Kosovës, e mbështetur nga IOM dhe UNDP, financuar nga qeveria e Finlandës, javën e kaluar vazhdoi me projektin e organizimit të Diasporës përmes krijimit të qendrave të bizneseve shqiptare nëpër botë, projekt ky që ka për qëllim përafrimin e biznesmenëve shqiptarë dhe bashkëpunimin mes tyre përmes projekteve të përbashkëta dhe investimeve në trojet shqiptare.

Në vazhdën e këtij aktiviteti gjatë javës që e lamë pas këto rrjete u formuan në Londër, Toronto, Detroit, Chicago dhe Dallas.
Delegacioni i Ministrisë së Diasporës i Republikës së Kosovës përbëhej nga ministri i Diasporës Ibrahim Makolli, drejtori për diasporë Naim Dedushaj, Ardian Spahiu nga UNDP, Robert Cansel nga IOM, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, Irena Kashtell, Elmi Berisha e Besim Malota nga shoqata e biznesmenëve të Kroacisë dhe Nju Jorkut.
Ndalesa e parë në kontinentin veriamerikan ishte Toronto e Kanadasë, qytet ky ku jeton një numër jo i vogël i bashkëkombasve tanë. Me këtë rast u formua dega e rrjetizimit të bizneseve për Kanada dhe u zgjodh kryesia 9 anëtarëshe që do të drejtohet nga biznesmenët Bashkim Breznica kryetar dhe Afrim Gashi nënkryetar.
Gjatë qëndrimit në Toronto ministri Makolli takoi edhe z. Robert Bejns nga Këshilli për NATO i Kanadasë, i cili është edhe koordinator i shoqërisë kanadeze-shqiptare për NATO me të cilin bisedoi për bashkëpunimin dhe ndihmën e këtij këshilli për Kosovën.

Ndalesa e radhës ishte shteti Michigan, respektivisht qyteti Detroit, ku gjithashu u formua kryesia koordinuese e degës së rrjetizimit të bizneseve shqiptare për Michigan që do të udhëhiqet nga Prenk Gjokaj dhe John Goci.
Në Detroit delegacioni i ministrit Makolli vizitoi fabrikën HTC, pronë e bashkëkombasit tonë Gjergj Juncaj, fabrikë kjo që prodhon profile precize metalike që përdoren edhe në industrinë e ndërtimit të aeroplanëve, e cila zë vendin e tretë në SHBA në këtë lëmi dhe punëson rreth 200 punëtorë.
Delegacioni i Ministrisë së Diasporës qëndroi edhe në Chicago, ku gjithashtu formoi degën e rrjetizimit të bizneseve shqiptare për shtetin e Illinois. Biznesmenët në Chicago zgjodhën kryesinë 14 anëtarëshe të shoqatës së bizneseve, që do të koordinohet nga biznesmenët Gani Ahmetaj, Valton Hoti, Sedat Sadiku, Afrim Sejdiu e Pajazit Murtishi.
Në Chicago, respektivisht në qytetin Cortland në periferi të Chicago-s u hap edhe Qendra Kulturore Shqiptaro – Amerikane. Hapjen solemne të kësaj qendre e bëri minisri Ibrahim Makolli i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e vet dhe aktivistë të komuitetit.
Ndalesa finale e delegacionit kosovar ishte qyteti Dallas i Teksasit, ku jetojnë një numër solid bashkëkombasish, rreth 5 mijë, por të stabilizuar mirë ekonomikisht dhe të organizuar në baza kombëtare, ku gjithashtu u formua qendra e rrjetizimit të bizneseve për Teksas. Me këtë rast u zgjodh edhe kryesia 15 anëtarëshe e shoqatës së bizneseve, që do të koordinohet nga veprimtari, kryetar i komunitetit të Dallas-it, biznesmeni Nazar Mehmeti, Ramiz Tafilaj e Ismet Smajli do të jenë nenkryetarë, Kreshnik Bishani sekretar, Bruno Ceka arkëtar dhe Gani Fejza zëdhënës.
Qëllimi i projektit të rrjetizimit të bizneseve shqiptare nëpër botë është përafrimi i biznesmenëve shqiptarë dhe bashkëpunimi mes tyre përmes projekteve të përbashkëta dhe investimeve në trojet shqiptare.

One Response to “Formohen qendrat e bizneseve shqiptare në Amerikë dhe Kanada”

Read below or add a comment...

  1. Avdullah Bytyqi says:

    Pershendetje

    Ju uroje perzemersisht per suksesin dhe angazhimin per ti ndihmuar vllezerit shqipetar kudo qe jan.
    Mendoje se shum familje skamenore ne Trojet shqipetare kan nevoje per ndihmen tuaj andaje shpresoje se edhe rruga e humanitetit nuk do te mungoje ne shpirtin tuaj.
    Jam humanist dhe aq sa kam mundesi me disa firma ne kosove ju dalim ne ndihm familjeve ne nevoje te cilat jetojn ne kushte te veshtira ekonomike.
    une shpresoje se do kemi bashpunim edhe me kompanit te cilat i perfaqesoni.
    Ne vitin 2019 kam pranuar dhjetra kerkesa nga familjet ne nevoje te cilat familje kan nevoje per strehim por mundesit reale jan te pakta prandaje shpresoj ne mbeshtetjen tuaj.

    Zoti Ju Bekoft

Comment

*