Forumi i Biznesit: Klima e të bërit biznes në Shqipëri mbetet e vështirë

Tiranë, 24 maj 2018 – Forumi Kombëtar i Biznesit vlerësoi se klima e të bërit biznes në Shqipëri mbetet e vështirë, sidomos për investimet.

Në Raportin e Monitorimit mbi zbatimin e rekomandimeve të axhendës së biznesit, i cili u publikua sot, në konferencën vjetore të forumit,  theksohet se pengesa kryesore është ndryshimi i shpeshtë i tatim-taksave dhe rritja e ngarkesës fiskale.

“Informaliteti mbetet një problem kryesor, që duhet zgjidhur sa më parë, sepse kjo konkurrencë e pandershme dhe të tjera e rëndojnë klimën e biznesit”, tha Esmeralda Ballesha, koordinatore e Forumit Kombëtar të Biznesit.

Raporti nënvizon se klimën e biznesit e rëndojnë gabimet në zbatimin e akteve nënligjore dhe rregullave të prokurimit nga administrata tatimore.

Në këtë forum, komuniteti i biznesit kërkoi më shumë qëndrueshmëri në politikat fiskale të qeverisë, në mënyrë që të bëjnë parashikime për plane biznesi.

Pjesëmarrësit kërkuan zgjerimin e dialogut me qeverinë mbi politikat ndaj biznesit.

“Fakti që ju vet e thoni se 70 për qind e kërkesave tuaja po trajohen nga qeveria, flet për qasjen pozitive dhe vullnetin e autoriteteve për të ndërtuar një dialog të dobishëm, ndaj është përcaktuar një ministre për këtë detyrë”, tha Sonila Qato, ministre shteti për sipërmarrjen.

Raporti i monitorimit nga Forumi i Biznesit u bazua në dokumente zyrtare, anketime të nëpunësve dhe biznesmenëve.

Ata u shprehën për gjoba të pamerituara, kontrolle të paarsyeshme, mungesë informimi dhe mospërgatitje profesionale e inspektorëve.

“Institucionet ndërkombëtare pohojnë se informaliteti në Shqipëri shkon në 40 për qind, ndërsa ato shqiptare nuk japin të dhëna. Nëse vazhdon kështu, biznesi do të mbetet skeptik dhe do të rrudhet”, tha Edlira Prenga, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës.

Raporti i Monitorimit analizon 62 rekomandimet për Kontrollin Tatimor, për TVSH-në e diferencuar, për informalitetin dhe për Dialogun Publik-Privat, bazuar mbi34 takime monitoruese dhe advokuese me përfaqësuesit e sektorit publik dhe komunitetin e biznesit.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)

Comment

*