Fotografi italian Bruno Kalvo: “Ju shqiptarët nuk bëni dot demokraci, por vetëm kaos”

Ylli Polovina
(Fotografi nga Qerim Vrioni, tetor 2017)

Shkrimi i njëzetë e tetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

 

Ylli Polovina

Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Në fundgusht 1998 ishte e bërë e dukshme në shtypin italian, sidomos në rastet e analizave, ideja se Sllobodan Millosheviçi dhe ushtria e tij ia kishin dalë jo vetëm frenimit të luftës së armatosur të shqiptarëve të Kosovës, por edhe pothuaj likujdimit të saj. Njoftimet nga Beogradi që shpërndaheshin me ngulm në të gjithë kontinentin e jo pak prej tyre edhe në Romë, përpiqeshin të dëshmonin se prej sulmeve të armatës serbe grupe të tëra dhe individë të rezistencës kosovare qenë larguar për në Tiranë, madje vendosur masivisht aty, pa u shkuar mendja sërish të rikapërcenin kufirin dhe t’i ktheheshin luftës.

Ngjarjet e Shtatorit të Zi në kryeqytet kishin nisur në këtë situatë tërheqjeje dhe, duhet thënë, krejt papritur. Siç e vumë në dukje në shkrimin paraardhës, hija e këtij Shtatori u shfaq që në 24 gusht 1998, ndërsa një ditë më parë, nëpër natë, në orën 01.00 të 23 gushtit të porsanisur, Prokuroria e Përgjithshme pati arrestuar gjashtë eksponentë të njohur të Partisë Demokratike në opozitë, duke i akuzuar për vepra të rënda penale gjatë trazirave të vitit 1997.

Në shkrimin e shkuar nisëm të pasqyronim si e përshkrua nga media italiane kjo gjendje e re në trojet e shqiptarëve, duke e zhvendour vëmendjen e saj dhe merakun e bashkësisë ndërkombëtare nga çështja jetike e shpëtimit të Kosovës prej shtypjes millosheviçiane, tek Shqipëria që sapo kishte kaluar në 1997 një trazirë të madhe dhe kishte nevojë të mblidhte veten e të gjente sadopak energji dhe burime materiale për të ndihmuar vëllezërit e vet etnikë.

Në politologji kjo dukuri e kalimit të një krize nga terreni i saj, prej andej ku është krijuar, në një vend tjetër jo shkaktar të këtij kolapsi , quhet “hedhja e patates së nxehtë”.

Në fundgusht 1998 në territoret e banuara historikisht prej shqiptarëve po ndodhte kjo dukuri. “Hedhja e patates së nxehtë” realizohet në mënyrë të komanduar, organizohet, siç edhe ngjan që e shkakton dhe e sjell rastësia.

Më duhet t’i pohoj lexuesit se pikërisht ky hetim ishte ideja ime e parë, por edhe detyra ime ato çaste jo Prishtina, por Tirana u bë pika përvëluese. Media italiane dhe protagonistët e saj mund të më ndihmonin për një rezultat të besueshëm analize për t’ia dërguar qendrës.

Të mos harrojmë: për këtë Shtator (të Zi) flitej edhe shumë më parë se prokurorët shqiptarë me në krye Agim Tiranën, një bashkëpunëtor, ndihmës dhe mbrojtës juridik të Fatos Nanos gjatë periudhës së tij të burgimit për korrupsion në përvetësimin dhe keqpërdorimin e ndihmave ushqimore italiane dhënë Shqipërisë në ndërrim të sistemit shoqëror politik nga i mbyllur në i hapur.

Deri në Romë, në ambasadë, veçanërisht prej Tiranës vinin fjalënaja të shkëputura që trasmentonin mesazhin se në muajin shtator diçka do të ndodhte dhe me këtë rast nënkuptohej destabilizimi i rendit publik në vend. Pra do të ndodhte një lloj 97-te, një përgjigje e kësaj prej partisë tjetër, një marrje hak për atë që i kish ndodhur një mot më herëtë.

Sipas shtypit shqiptar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kishte protestuar menjëherë, sapo u zbardh nata e gjashtë arrestimeve, pra që në 24 gusht. Ai e emërtoi ngjarjen, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, si një përshkallëzim të madh të dhunës së klikës në pushtet ndaj opozitës shqiptare. “Na kanë shpallur luftë, kishte deklaruar ai, dhe ne duhet të qëndrojmë e të sakrifikohemi në emër të idealeve të lirisë. Kush të dojë të qëndrojë, ai që nuk është në gjëndje të përballojë qëndresën të largohet”.

Ai kishte akuzuar qeverinë dhe Fatos Nanon. PD ishte ngritur në këmbë dhe nisi protestat në rrugët qendrore të Tiranës.

Ndërkaq prej strukturave afër kabinetit qeveritar, siç qe Policia në Ministrinë e Punëve të Brendshme, u përhap zyrtarisht edhe një njoftim tjetër, paralel me atë të funksionarëve të PD-së, i papritur edhe ky, madje si të qe i montuar posaçërisht: njëzetë e katër orë më parë nga prangimi nëpër natë i gjashtë funksionarëve, në orën 21.00, qenë ndaluar disa të huaj të dyshuar për veprimtari terroriste. Prangimi i tyre ishte kryer “në bashkëpunim me zbulime të vendeve të tjera për një bazë të tyre klandestine ku mbanin armatim dhe mjete të tjera, që ndalohen nga ligji”.

Radiotelevizioni i Tiranës, duke shpërndarë më së pari këtë lajm, si të dytë pati dhënë një njoftim tjetër, sipas të cilit “Në Kosovë forcat serbe ndërmorrën sot një ofensivë…”.

Këtë 22 gusht, në ora 20.30, pati ngjarë edhe një histori kriminale: qe goditur me armë nga të panjohur makina e drejtorit të Bankës në Lushnjë. Në 23 gusht, ora 12.00, ishte vrarë një polic tek ambasada amerikane, kurse në mesnatë  njerëz me maska i kishin vënë eksploziv një fabrike. Në 24 gusht, në orën 23.45, në Mirditë, i qe vënë tritol shtëpisë së shefit të krimeve në Pukë.

Në 25 gusht e përditshmja politike e opozitës, “Rilindja Demokratike”, mes titujve kryesorë kishte edhe “Klika Nano urdhëron drejtësinë: Të gjithë në burg”, “Pesëdhjetë mijë qytetarë të Tiranës demontrojnë kundër diktaturës së Nanos. Përmbysje për qeverinë e krimit, kontrabandës dhe mafies”, “Tirana thërret: Vdekje Komunizmit”, “Mijërat e protestuesve rrethojnë Kryeministrinë, Ministrinë e Brendshme, vilën e Nanos dhe selinë e Partisë Socialiste”, “Berisha: Nanos, këtij barbari duhet t’i përgjigjemi me mënyrën që meriton”, “Shqiptarë, ngrihuni! Nesër do të jetë vonë”.

Nëpër këtë ditë të nxehtë të 25 gushtit 1998, ndërsa e ritheksojmë, në Kosovë kishte nisur një ofensivë e armatës serbe kundër forcave çlirimtare, në orën 20.00, në ekranin e televizionit shtetëror, ato kohë ende i vetmja medie vizive e Shqipërisë, u shfaq Fatos Nano.

Ai tha: “…Me cilësinë e kryetarit të qeverisë shqiptare, deklaroj sot me përgjegjësi përpara jush se, të gjitha akuzat e opozitës, sipas të cilave Fatos Nano është ideatori i këtyre arrestimeve, janë krejtësisht të pavërteta, janë shpifje dhe kanë për qëllim nxitjen e armiqësisë midis popullit dhe qeverisë së vet…”

Më pas: “Si një ish-i burgosur nëpërmjet një gjyqi farsë, të orkestruar nga maja e piramidës shtetërore, vetëm e vetëm sepse përfaqësoja mendimin kundërshtar dhe alternativ të Sali Berishës, unë e di më mirë se kushdo tjetër se çdo të thotë të jesh viktimë e varësisë së pushtetit gjyqësor nga ai politik. Duke ju vështruar drejt në sy mund t’ju them me plot gojën se ajo eksperiencë aq e hidhur për mua, gruan, fëmijët, shokët dhe partinë time, ma ndalon kategorikisht që të përdor ndaj kundërshtarëve të mi politikë po ato mjete që ata përdorën kundër meje…”

Në vijim: “Pavarësisht nga çfarë thuhet, nga çfarë bërtitet ose ulërihet rrugëve, çndokush me një fije arsye e di që frymëzues dhe përgjegjës i drejt për drejtë për shthurrjen e shtetit, të ushtrisë, të forcave të rendit dhe rrënimin e të gjitha institucioneve të tjera janë ish-presidenti Berisha dhe klani i tij primitiv, është politika e tyre absurde e “ndërtimit të demokracisë” me mjete të dhunshme, është vjedhja masive që ata i bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve përmes rrjetit të krimit të organizuar ekonomiko-politik”.

Pastaj: “Mirëpo për t’i çuar përpara gjyqit të krejt asaj ndërmarrjeje mafioze që ishte pushteti i djeshëm, duhen prova të pakundërshtueshme dhe nuk mjaftojnë as kujtimet e hidhura, as etja e natyrshme për drejtësi. Unë shpresoj që, kur ka dhënë mandatin e arrestit për gjashtë ish-funksionarët e pushtetit të Partisë Demokratike, prokuroria t’i ketë mbledhur këto prova dhe ta ketë hedhur këtë hap mbi një bazë solide argumentimi të akuzës. Sepse, nëse nuk do të rezultojë kështu, atëhere arrestimi i këtyre personave do të jetë një tjetër pengesë serioze në rrugën e normalizimit të vendit e të konsolidimit të demokracisë. Dhe për më tepër për vetë kushtet në të cilat ndodhemi, kjo histori nuk do të kalojë pa pasoja edhe mbi vetë qeverinë e koalicionit…”.

Kur gdhiu e nesërmja, 26 gushti, në konferencën e shtypit të rradhës Sali Berisha deklaroi: “Nano duhet të largohet nga Blloku për një javë”.  Ndërkohë këtë ditë gazeta “Koha Jonë” vërente se në mbledhjen e degës së Partisë Demokratike për Tiranën Azem Hajdari pati deklaruar: “Thirrja “o djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri” është aktuale edhe tani”. Sipas “KJ”, Berisha kishte deklaruar: “Në rast se kërkesat tona nuk përmbushen deri më 31 gusht, atëhere ne, përveç protestave paqësore e mjeteve demokratike do t’i përgjigjemi qeverisë me të gjitha format”. Në orën 1.00 të gdhirjes së të nesërmes shpërtheu tritol në rrugën kombëtare për në Mamurras.

Në 27 gusht u vra në Tepelenë një oficer i repartit special të “Briskut”. Ndërkaq sipas shtypit të Tiranës, turma e manifestuesve në mitingun e Partisë Demokratike të një dite më parë kishte thërritur vazhdimisht “vdekje Nanos”. Në 28 gusht në orën 24.00 në një lokal të Hasit kishte shpërthyer, duke e shkatërruar, një masë e madhe tritoli. Në orën 03.13 në Gjirokastër ishin hedhur granata mbi postbllokun e policisë.                   

Ndërkohë “Rilindja Demokratike” në faqen e parë rreshtonte titujt e nëntitujt “Tirana i jep ultimatumin Nanos”, “Mbi pesëdhjetë mijë demokratë pushtojnë sheshin “Skënderbej” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, “31 gushti, dita e lirisë për të burgosurit politikë dhe çlirimi i bllokut nga bllokqenët”, “Luftën po e kërkon Nano…”

Këtë ditë të 28 gushtit “Koha Jonë” informonte se të katër komisariatet e policisë së Tiranës ishin në gatishmëri dhe qe dhënë urdhëri që policët të paraqiteshin në punë edhe pasdite. Gazeta e mësipërme vinte në dukje se kishte masa të forta ruajtjeje pranë institucioneve kryesore. Po kështu ishin vënë në gjendjen e sigurisë më të lartë edhe burgjet, sidomos kryesori, i Tiranës, i quajturi “Reparti 313”.

“Koha Jonë” kishte edhe një artikull me autor pronarin dhe drejtorin e saj, Nikollë Lesin.Thuhej në të: “Pas zhvillimeve politike të këtyre ditëve të fundit nuk mund të rri pa shkruar për lexuesit atë çfarë di apo mendoj me këtë prishje “qetësie politike” dhe rifillim të “rrëmujës”.

Le të fillojmë. Berisha sapo humbi pushtetin politik, menjëherë deklaroi për reabilitimin të PD-së dhe për zgjedhje të parakohshme. E pranueshme për çdo humbës pushteti e aq më tepër një njeri si Berisha, që nuk pranon kurrsesi humbjen, ndonëse lufta politike mbart brenda vetes si humbjen ashtu edhe fitoren. Nga ana tjetër pushteti i koalicionit, që gjithnjë ka për lider Nanon, gjatë këtyre muajve iu fut punës për ndërtimin e shtetit të shkatërruar, por me një ide tjetër për funksionimin e tij. Ndërkohë ish-presidenti i rrëzuar vazhdonte manifestimet dhe presionet e përditshme, deri sa një ditë u lodh, por për të rifilluar përsëri. Ky është Berisha, i dytë nuk mund të gjendet. Nano me një filozofi paksa të ngatërruar vazhdonte në anën tjetër të lumit, atje ku ndërtohej shteti. Kryeministri i la të lira demonstratat e opozitës, nuk ndërhyri dhunshëm si dikur kundërshtari i tij politik, çka solli inat të Berishës, por edhe kredibilitet të Nanos në qarqet perëndimore…Me shumë përkushtim, ndonëse me disa gabime në përzgjedhjen e kabinetit qeveritar, kryetari i PS po ecte në një rrugë që e çonte drejt vitit 2000. Arsyet se përse ai e kishte të sigurtë vitin 2000 ishin qeverisja e tij në koalicion, respektimi në një masë të pranueshme i opozitës (ndonëse një opozitë mjaft e egër), raportet e mira me FMN dhe Bankën Botërore, lufta në Kosovë dhe akordimi i telave me SHBA për zgjidhjen e problemit kosovar, rruga drejt një kushtetute moderne, pluralizmi dhe oponenca brenda PS-së, fillimi i punëve publike si rrugë, uji etj. Gjithsesi kryeministri po punonte me dëshirën për të ndërruar imazhin e vendit, ndonëse nuk arriti të presë fijet e korrupsionit dhe të kontrabandës. Por Nano harroi se e keqja shumë herë të vjen ose nga kundërshtari ose nga ai që ke më pranë vetes. O Zot më ruaj nga “miqtë”, se nga armiqtë ruhem vetë.  Dhe pikërisht kështu ka ndodhur. Arrestimet i erdhën nga krahu tjetër i PS-së. Nuk kishte përse lideri aktual socialist të kërkonte për ta radikalizuar situatën politike apo për t’i dhënë një kartë persekutimi politik Berishës. Pothuajse e kishte në dorë situatën…Tani loja ka filluar…”.

Për lexuesin ritheksojmë nga shkrimi i mësipërm se Nikollë Lesi e konsideronte arritje të qeverisë Nano “luftën në Kosovë dhe akordimin e telave me SHBA për zgjidhjen e problemit kosovar”.

Në 29 gusht “Gazeta shqiptare” shkruante se “…Kishin kaluar kështu dhjetë minuta nga mbyllja e mitingut të PD-së, kur një telefonatë në zyrat më të larta të Rendit ka sjellë edhe njëherë ndezjen e sirenave. Një zë anonim sapo kishte telefonuar në zyrën e rojes së turnit të kryeministrisë dhe kishte kërcënuar ashpër “Do t’ju djegim të gjallë aty ku jeni, komunistë”.  Më tej janë lëshuar edhe sharje dhe kërcënime për dikastere të rëndësishme të vendit, deri edhe te Presidenca”.

“Rilindja Demokratike”, po në këtë ditë, në krye të faqes së parë: “Protesta, ora e provës për demokratët. Të gjithë shqiptarët në rrugë për lirimin e të burgosurve politikë”, “Më 31 gusht Nano të shporret nga blloku”.

Sipas “Koha Jonë”, 30 gusht 1998, “një diplomat shqiptar që për motive diplomatike preferoi të mbetej anonim, i tha dje “KJ” se dy kongresmenët e SHBA, të cilët do të vinin në Shqipëri me misionin për të ulur në një tryezë dy të mëdhenjtë e politikës shqiptare, kanë anulluar këto ditë vizitën e tyre në datat e paracaktuara”.

Më 31 gusht, në mitingun e paralajmëruar të Partisë Demokratike u thërritën shumë fjalët “Vdekje Fatos Nanos”.

Në 1 shtator për zhvillimet në Shqipëri e përditshmja italiane “La Repubblica” nuk tregonte vëmendje të dukshme. U hapte vend vetëm në rubrikën “Shkurt”, në faqen 18: “Shqipëri. Berisha në shesh. Rrëmbehen armët. Teksti shoqërohej me një foto të vogël të Sali Berishës dhe thoshte saktësisht: “Manifestim i ri kundër qeverisë socialiste të Fatos Nanos në Tiranë. “Do të rrëzojmë Nanon” ka shpallur ish-presidenti Sali Berisha përpara të paktën tre mijë veprimtarëve të Partisë Demokratike që protestonin kundër arrestimit të gjashtë  ish-ministrave dhe ish-funksionarëve të akuzuar se kanë bërë krime të rënda gjatë revoltës së vitit të shkuar. Dje në mëngjes në Krujë, 50 kilometra nga Tirana, është sulmuar dhe plaçkitur një depo armësh”.

Në 1 shtator “Il Manifesto” dukej më e zemëruar se koleget e saj. Ajo botonte në faqen 9 një artikull, i cili zinte gjysmën e hapësirës së saj. Kishte titullin “Rikthimi i çakejve të Berishës”. Autor qe  Tonino Perna. Në këtë artikull këmbëngulej se në Shqipëri këto ditë mbretëronte një klimë frike se mos po ktheheshin sërish ditët e kaosit e të dhunës si vitin e kaluar. Dhe autori Perna shtonte se kjo gjë do të ishte mëkat, sepse ekonomia shqiptare pas një viti po rimëkëmbej, ndërmarrja e madhe shtetërore energjetike italiane ENEL kishte bërë një investim prej 60 miliardësh, patën nisur nga qeveria Prodi programet sociale prej 20 miliardësh etj. Dhe autori shkruante: “Por forca të errëta politike, ndërkombëtare dhe lokale, po bëjnë që gjithçka të hidhet në erë”.

Më pas ai i referohej “Financial Times-it” të 24 gushtit, sipas të cilës kishte një ikje të urdhëruar të amerikanëve nga Shqipëria dhe se kjo gjë parafliste për keq. Në fund të shkrimit Tonino Perna vinte në dukje se “klani i Berishës ka objektiv të qartë, edhe pse të padeklaruar, për të përdorur islamizmin që ta çojë Shqipërinë drejt një konflikti etniko-fetar, brenda të cilit fshihen interesat e vërteta që luhen”. Paragrafi i fundit i shkrimit: “Është e nevojshme të mbështetet me forcë qeveria, e cila me gjithë kufizimet e saj, është e vetmja që mund ta shmangë vendin e vet nga humnera…”.

“La Gazzetta del Mezzogiorno” botonte që në faqen e parë të saj shkrimin “Berisha lëshon besnikët e tij “Do të rrëzojmë Nanon”. Ajo e informonte lexuesin italian se Sali Berisha me njerëzit e tij “ka kaluar në mënyrë kërcënuese para zyrës së kryeministrit Fatos Nano për të kërkuar lëshimin e gjashtë eksponentëve të opozitës në burg…”, se pati deklaruar që “do t’i drejtohemi të gjitha mjeteve politike” për t’i nxjerrë nga burgu ata gjashtë”, se “Duam që ata ta dinë se jemi të gatshëm ta luftojmë diktaturën me të gjitha mjetet”, “Partia Demokratike nuk i ka harxhuar të gjitha mjetet paqësore për të çliruar të arrestuarit”. Gazeta shënonte se “manifestimi u krye pa incidente”.

Në 2 shtator televizioni italian nuk publikoi asnjë kronikë me  figurë mbi protestat e opozitës në Shqipëri. Në mbrëmjen e vonë teleteksti i RAI-t dha lajmin se Sllobodan Millosheviçi u ofronte shqiptarëve të Kosovës “një farë autonomie vetadministrimi” për një kohë të kufizuar nga 3-5 vjet. Për këtë televizionet e rrjetit Mediaset heshtën. Gazeta “La Stampa” botoi në krye të faqes 7 shkrimin e shkurtër “Kosovë, një propozim i ri i Millosheviçit”. Këtë lajm e botonte edhe “Il Manifesto” në rubrikën “Shkurt”. E veçantë e këtij shkrimi ishte se përmendej edhe deklarimi i Adem Demaçit, i cili refuzonte çdo marrëveshje me serbët po qe se ata nuk ndërprisnin sulmin dhe dhunën e tyre kundër shqiptarëve. Ndërkohë “La Repubblica” publikonte në faqen 13, në rubrikën “Opinione nga bota”, referimin ndaj gazetës “Herald Tribune” me titull “Turpi i Kosovës”. Në këtë citim përmendej fakti se serbët po shkatërronin me të gjitha mjetet shoqërinë paqësore të shqiptarëve të Kosovës (deri edhe ushqimet e tyre) dhe se SHBA e Evropa rrinin e shihnin, në mos qenë edhe bashkëfajtorë.

Në mëngjesin e 2 shtatorit tek porta e hekurt e Ambasadës u shfaq Bruno Kalvo. Ai ishte fotograf, për shumë mote punuar edhe në RAI, grup publik televiziv me të cilin ende bashkëpunonte. Dy vite më parë, në 1996, kur ndodhnin nga brigjet shqiptare valët e emigrantëve, kishte ardhur në përfaqësinë diplomatike shqiptare, ku propozoi botimin e një albumi fotografik për Shqipërinë. Fotot qenë të vetat dhe për realizimin e tyre në udhëtimin nëpër Shqipëri e kishte ndihmuar shumë regjisori i Radio-Televizionit Shqiptar Ylli Pepo. Nga Ambasada kërkonte vetëm t’ia lexonin dhe t’i korrigjonin ndonjë pasaktësi drejtshkrimore, emrash dhe datash sidomos. Nuk kishte nevojë për asnjë financim, sepse për këtë kishte gjetur një mbështetës: Miki Grauzo.

Albumi u publikua në shkurt 1997, ndërsa trazirat në Shqipëri ndiheshin në ajër, por nuk kishin dalë dukshëm në rrugë, me hyrjen e vendit në destabilizim. Botimi qe nga “Cosarda editrice”. Kishte 216 faqe të ilustruara me ngjyra, me format të madh, si edhe lëndë me foto e tekst shoqërues për 16 kapituj, mes tyre edhe për qytetet e Apollonisë, Ardenicës, Gjirokastrës, Beratit, Butrintit, Krujës, Durrësit, Korçës,  Lezhës, Shkodrës, dhe Tiranën. Madje edhe për Thethin. Përreth ballinës në një shirit të kuq të lëvizshëm, në gjuhën italiane qenë shkruar fjalët: “Pas ikjeve të dëshpëruara të këtyre ditëve janë pasuritë e pashkatërrueshme të një toke dhe të një populli me tradita të lashta.

Nënë Tereza e Kalkutës është bijë e këtij populli dhe ky libër rrefen me pamje të rralla emocionusese”.

Albumi “Shqipëria, vendi i shqiponjave”, ishte më i miri i publikuar në Itali deri ato çaste. Bruno e furnizoi Ambasadën me shumë kopje. Ai ishte një burrë i shkurtër, i ngjeshur, me flokët si Hemiguej. Dukej krenar dhe me një lloj besimi kokëfortë në vete. Ngjante i gatshëm për sherr. Kësaj rradhe, në 2 shtator 1998, tha se kishte ardhur vetëm sa t’i përshendeste dhe t’u afronte gratis kopje të tjera të albumit, në se kishin nevojë. Pastaj për pak kohë bëri shaka. Më në fund shqiptoi pyetjen “si e keni gjendjen e brendshme”. Iu kthye përgjigja “normale”. “Kam dëgjuar për disa mitingje të rrëmujshme dhe thirrje për dorëheqje të kryeministrit tuaj”, tha. “Janë pjesë e pluralizmit”, iu kthye përgjigjia. “Prandaj është e nevojshme diktatura”, kërciti fjalët Kalvo. “Vetëm diktaturat i shpëtojnë shoqëritë”, shtoi. “Aha, vetëm diktaturë jo, e provuam dhe e dimë se çfarë tmerri është”, ia kthyen.

“Diktaturë, diktaturë, shqiptoi tjetri, të paktën ju shqiptarët keni nevojë për diktaturë, për rregull në shtetin tuaj. Kjo që ju po e mburrni si demokraci nuk është gjë tjetër veç kaos dhe anarki. Kaq kisha për të thënë”.

Dhe u ngrit në kembë të ikte. Kishim dëgjuar se qe komunist.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 16 korrik 2019

 

Comment

*