Franklin Delano Roosevelt, presidenti i 32-të amerikan (1933-1945)

Albana M Lifschin

Nga Albana M Lifschin

Frenklin Ruzvelt (Franklin Delano Roosevelt) ka qëndruar në postin e presidentit më gjatë se çdo president tjetër në historinë e Amerikës, që nga viti 1933 deri në 1945. Ai e udhëhoqi vëndin përmes dy krizave më të mëdha që ishin parë deri atëhere: Periudhës së Depresionit të madh që kaloi SHBA gjatë viteve 30-të dhe Luftës së Dytë Botërore. Ai frymëzoi tek miliona njerëz besimin për një jetë më të mirë dhe fitore. Njerëzit e thjeshtë e shikonin në sy dhe e prisnin fjalën e tij si  ilaç për zgjidhjen e problemeve të tyre. Ata armiq që kishte, nuk guxonin t’ia zënë emrin në gojë, por i referoheshin me “Ai, në Shtëpinë e Bardhë.”

Paraardhësit e Frenklin Ruzveltit datohen të ardhur në SHBA nga Hollanda që në 1620, madje sipas nënës se tij, anija “Mayflower,” kishte pjestarë të gjinisë së saj.

I ati i vdiq kur ishte student në universitetin e Havardit. Franklini, binte në sy midis studentëve të tjerë edhe për vetë mbiemrin e tij të dëgjuar. Ai ishte kushëri (ndonse i largët) i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Teodor Rusveltit. Në mëndjen e Frenklinit kishte filluar të lindte idea për të ecur në gjurmët e tij. Kjo ide e guximshme e bëri të riun të afrohej me lidhjet e familjes. Në një nga vizitat e tij në rethin e largët familjar ai u njoh me mbesën e presidentit, Eleanora Ruzveltin. Atë kohë, Eleonora ishte një vajzë e ndrojtur, e tërhequr edhe pse ishte e mbesa e presidentit, madje mbesa më e preferuar e tij. Babai i saj kishte qënë vëllai i vogël i presidentit Ruzvelt. Frenklini filloi të interesohej më shumë rreth karakterit të Eleonoerës se sa shoqërimit të saj nëpër mbrëmje. Frenklinit i pëlqente natyra e saj e sinqertë dhe jo dominuese dhe shpejt ra në dashuri me vajzën. Të rinjtë u martuan një vit pas diplomimit të Franklinit nga universiteti i Kolumbias kur sapo kishte filluar praktikën e tij si avokat në Nju Jork.

Frenklin Ruzvelti ndoqi gjurmët e ish presidentit Tedi Ruzveltit duke filluar nga zgjedhja si senator në senatin e Nju Jorkut dhe në moshën 31 vjeçare si sekretar i marinës detare, post që dikur e kishte mbajtur gjithashtu Ted Ruzvelti, xhaxhai i Eleonorës. Ndryshimi midis tyre ishte se ish presidenti qe anëtar i partisë republikane, ndërsa Frenklini i parties demokratike.

Në vitin 1921 Frenklin Ruzvelti u godit papritur nga sëmundja e polios që i gjymtoi këmbët. Ky qe një provim i vështirë për të. Për tre vjet rrjesht Frenklin Ruzvelti luftoi me sëmundjen duke refuzuar të dorëzohej. Në krah kishte të shoqen Eleonorën e cila ndryshe nga të tjerët e inkurajonte të mos dorëzohej. Pavarësisht nga dhimbjet e tmerrshme që i jepte sëmundja, ai e detyroi vehten të bënte ushtrime për të bërë të mundur që të ngrihej përsëri në këmbë. Në vitin 1924 zuri të hidhte hapat e para duke u mbështetur mbi paterica. Atë vit Frenklinit i u kërkua të bënte propozimin për president të SHBA të një miku të tij, në mbledhjen e organizuar për këtë qëllim në Nju Jork. Ishte hera e parë që ai dilte në publik që nga koha që sëmundja e kishte gozhduar në karriken me rrota. Në atë sallë të përmasave shumë të mëdha, në Madison Square Garden, duke ditur gjëndjen shëndetsore të Frenklin Ruzveltit mijra delegatë, ndjenë tensionin e atij momenti. Ai u ngrit nga karrikja, mori patericat e duke u mbështetur mbi to eci drejt podjumit. Kur mbërriti aty, hodhi një vështrim rreth e qark sallës së madhe. Delegatët u ngritën në këmbë dhe shpërthyen në duartrokitje duke përshëndetur kurajon e tij. Ai moment, shkëputja nga karrikja e ulokut, mbeti gjatë në mëndjen e amerikanëve dhe ngjalli admirimin e tyre për Frenklin Rusveltin.

 

Katër vjet më vonë, shërimi i tij kishte avancuar në atë shkallë sa ai vendosi kandidaturën për guvernator i Nju Jorkut.

 

Në 1930 nuk kishte asnjë dyshim në mëndjen e njujorkasve që Frenklin Ruzvelti do ishte presidenti i ardhshëm i SHBA. Në vitin 1932 vëndi po kalonte një situatë shumë të vështirë ekonomike.

 

Miliona njerëz humbën punën. Madje në qytete industriale papunësia arriti në 80%. Papunësia dhe varfëria i kishte bërë njerëzit të humbisnin shpresat. Ishte bërë pamje e rëndomtë të shikoje njerëz që gërmonin në kazanët e plehrave. Vendi po kalonte një dramë të madhe. Populli fajsonte presidentin Herbert Huver për gjëndjen e rëndë, por kjo nuk e pengoi atë të vinte kandidaturën për president sërish. Ndërkohë partia demokratike dha si kandidat për president Frenklin Rusveltin. Ai e pranoi kandidaturën duke fluturuar në Çikago për ta pranuar atë personalisht në mbledhjen që ishte organizuar për këtë qëllim.

 

“Unë u premtoj juve dhe vehtes një program të ri që do ta nxjerrë vëndin nga kriza ekonomike” tha ai. Askush s’e dinte atë kohë se çfarë ishte ai program e megjithatë njerzit e kuptuan se ishte fjala për një fillim të ri për të cilin ata kishin nevojë. Në nëntorin e vitit 1932 qytetarët amerikanë i dhanë Frenklin Ruzveltit votën e tyre si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Në mars 1933 kur Frenklin Rusevelt bëri betimin e presidentit, situata ekonomike në SHBA qe keqësuar edhe më shumë. Zëri i i sigurtë i presidentit që përcillte mesazhin e tij në popull i ngrohu zemrat e amerikanëve: “Pikë së pari, u tha ai qytetarëve amerikanë, më lejoni t’u them se nuk ka se çfarë t’i trëmbemi tjetër përveç frikës vetë.” Detyra që mori përsipër Frenklin Ruzvelti ishte e jashtëzakonshme.

 

Ai e filloi duke grumbulluar pranë vetes profesorët më të shquar të ekonomisë të kohës për të marrë këshillat e tyre në përmirësimin e gjendjes së vendit. Problemi që kërkonte vëmendje urgjente ishte sistemi bankar që ishte pranë kolapsit. Shumica e bankave ishin mbyllur. Vetëm katër orë pas inagurimit të tij si president, Ruzvelti thiri sekretarin e thesarit dhe e urdhëroi të bënte planin e një legjislacioni të ri për regullimin e sistemit bankar. Ditën tjetër ai lëshoi dy urdhëra ekzekutivë. I pari mbyllte bankat që ishin ende të hapura, me qëllim që të ndalonte njerëzit nga tërheqja e gjithë të hollave që kishin depozituar dhe urdhëri i dytë ndalonte eksportimin e floririt. Këto dy aksione të shpejta i dhanë kohë qeverisë për tu hedhur në aksion. Në datën 9 mars kongresi amerikan u mblodh në një sesion emergjence. Ekspertët dhe ligjbërësit punuan natë e ditë për të ringjallur sistemin bankar. Nga këto përpjekje doli ligji i ri që u vinte në ndihmë bankave private dhe i jepte presidentit kontroll të plotë mbi transportin e floririt. Në mbrëmjen e 12 marsit familjet amerikane ishin mbledhur pranë radiove për të dëgjuar fjalën e presidentit mbi situatën aktuale. Nuk ishte një fjalim formal, por ishte një informacion që presidenti i jepte popullit për hapat që po merreshin për regullimin e situatës. Këto, “biseda rreth zjarrit”, siç e morën emrin, u bënë të shpeshta dhe ndihmuan në ngjalljen e shpresës dhe besimit në popull. Mesazhi i presidentit me fjalët inkurajuese që bankat ishin të sigurta përsëri pati kaq influencë në popull sa të nesërmen e asaj dite, në bankat e Amerikës u bënë më shumë depozitime, se tërheqje të hollash. Në muajt që pasuan administrata e presidentit Ruzvelit ndërmori masa që ndikuan në përmirësimin e tërë aspekteve të jetës amerikane për ta nxjerrë vendin nga kriza nëpërmjet agjensive të ndryshme që u ngritën për këtë qëllim. Por më e rëndësishme ishte punësimi i të papunëve, veçanërisht të rinjve dhe sigurimi i të moshuarve.

Për këtë ndihmoi shumë ligji që solli bashkëpunimin biznesmenëve me qeverinë. Nëpërmjet tij presidenti hapi fronte pune dhe siguroi mallra me çmime të përballushme nga popullsia. Ligji qe një kompromis midis qeverisë dhe bizneseve të mëdha me leverdi të dyanshme. Një marrëveshje e tillë nuk kishte ndodhur kurrë. Në 16 qershor, 100 ditë pas mbledhjes së emergjencës, administrata e presidentit Ruzvelt kishte nxjerrë 15 ligje të rëndësishme.

Gjatë viteve të krizës ekonomike, Nju Jorku kishte kryetar bashkie Fiorello La Guardia, i pari italian në këtë post. Ai ishte një burrë i palodhur dhe gëzonte popullaritet të madh. Administrata e presidentit Frenklin i dha një ndihmë të madhe financiare Nju Jorkut, kryesisht për ndërtimin e shtëpive të banimit, urave, etj. Nju Jorku prezantoi të parin plan të sigurimit shëndetsor në vënd për punëtorët me të ardhura të pakta.

Në vitin 1934 ekonomia e vendit dha shënjat e para të përmirësimit.

Të ardhurat kombëtare në krahasim me një vit më parë ishin rritur 50 përqind dhe 5 milion qytetarë amerikanë ishin punësuar. Presidenti u dha sigurimin ekonomik atyre që dilnin në pension pas moshës 60 vjeç.

Programi ekonomik (“New Deal”) i Frenklin Ruzveltit e rriti shumë autoritetin e qeverisë. Sidoqoftë masat ekonomike që mori presidenti nuk kaluan pa opozitë. Të pasurit e kuptuan se ndryshimet që po bënte Rusvelti për t’i ardhur në ndihmë popullsisë së thjeshtë mund të limitizonin fitimet e tyre. Rritja e taksave në vitin 1935 solli edhe rritjen e urrejtjes së tyre ndaj presidentit. Ruveltit i u vunë epitete si “diktator” “komunist” e tradhëtar i klasës së vet”.

Ndërkohë që Amerika merrej me rikuperimin e saj, Evropa po përgatitesh për të përballuar një rrezik të ri: fashizmin. Gjatë viteve 1932 deri në 1936 Hitleri kishte marrë kontrollin e qeverisë gjermane dhe po përgatiste vëndin për luftë. Nga ana tjetër Musolini kishte pushtuar Etiopinë. Frika e një koalicioni fashist në Evropë sa vinte e rritej. Në një mesazh për Kongresin, në 1939, presidenti Ruzvelt bënte thirje për unitet për të përballuar një rrezik eventual të ardhshëm. Pas pushtimit të Çekosllovakisë nga Gjermanët dhe Shqipërisë nga italianët, ishte e qartë se me futjen e Evropës në luftë, SHBA zor se do të mund të qëndronte jashtë saj.

Njerzit e admironin dhe e besonin Frenklin Rusveltin aq shumë saqë i dhanë atij votat për të tretën herë, (në vitin 1940) duke thyer kështu traditën e vendosur nga babai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Uashintoni i cili me shembullin e tij kishte vendosur precedencën për zgjedhjen e presidentit jo me shumë se dy herë.

Ishte 7 dhjetori i 1941. Ditë e Diel. Zëri i radios thyente qetësinë e mbrëmjes duke dhënë një lajm të papritur dhe tronditës. Një valë prej 189 avionësh luftarakë japonezë kishin sulmuar papritur bazën ushtarake detare në Pearl Harbor. 170 aeroplanë amerikanë ishin shkatërruar pa arritur të ngriheshin në ajër. 19 anije luftarake amerikane kishin dalë jashtë përdorimit , 2400 oficerë të vrarë dhe 1300 të tjerë të plagosur. Ishte katastrofa më e madhe që kishte ndodhur ndonjeherë në historinë e forcave të armatosura të Amerikës.

Lajmi u dëgjua nga një milion familje amerikane. Qytetarët amerikanë u shokuan. Lajmi i tmerrshëm vazhdoi të përsëritej tërë atë pasdite dhjetori deri natën vonë. Shpërndarësit e gazetave nëpër rrugë thërrisnin: Ekstra! Ekstra! Gazetat shpërndanin lajmin tek ata që nuk e kishin dëgjuar në radio.Të nesërmen në orën 12.30 të pasdites Shtetet e Bashkuara dhanë përgjigjen e tyre. Pas një çerek shekulli historia po përsëriste vetveten. Përfaqësuesit e kongresit Amerikan u mblodhën në një sesion të përbashkët. Kur presidenti Delano Roosevelt u shfaq në hyrjen e sallës së kongresit, të githë vunë re shënjat e një nate të gjatë, tronditëse. Hyrja e tij në sallë u pasua nga duartrokitje të menjëherëshme dhe thirrje. Ata u përkisnin partive të ndryshme, opozitare me njëra tjetrën. Deri dje disa e kishin mbështetur presidentin në politikën e tij, të tjerë e kishin kundërshtuar. Me sulmin japonez, të gjitha diferencat u u zhdukën njëherësh. Ata u radhitën të bashkuar pas presidentit të tyre. Presidenti ishte simboli i fuqisë së SHBA, përfaqësuesi i kombit të tyre. Presidenti Ruzvelt duke folur për ngjarjen e një dite më parë tha: “Sulmi i djeshëm mbi ishujt Hauaji i ka shkaktuar një dëm të madh flotës amerikane dhe forcave të armatosura. Shumë amerikanë humbën jetën e tyre.

Shumë anije amerikane u bombarduan midis San Franciskos dhe Honolulus… Besoj që shpreh vullnetin e Kongresit dhe të popullit amerikan kur deklaroj që ne jo vetëm do të mbrojmë veten tonë por do të sigurojmë që ky rrezik të mos kanoset më në të ardhmen. Me besim në forcat tona të armatosura, me vendosmërinë e patundur të popullit tonë, ne do të triumfojmë… Unë i kërkoj Kongresit të deklarojë gjendjen e luftës me Japoninë duke filluar që nga 7 dhjetori 1941, ditën e diel.” Përgjigja e Kongresit qe e menjëhershme.

Për herë të parë pas një çerek shekulli populli amerikan u bashkua me një qëllim të vetëm: për të mbrojtur Amerikën dhe jetën e qytetareve te saj …

 

Comment

*