“Fronti i Jugut”: Rrëfim pas 27 vjetësh

Akademik Hivzi ISLAMI

 

Si dështoi plani i Franjo Tugjmanit që t’i shtynte shqiptarët të hapnin “Frontin e Jugut”? Kush e përkrahu e kush e kundështoi këtë plan, në takimin e përfaqësuesve partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, që u mbajt në Stubiçke Toplice, në periferi të Zagrebit?

 

 

 

Më 19-20 janar 1991 mbushen 27 vjet nga takimi i partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, të mbajtur në Stubiçke Toplice, një vend balneoturistik afër Zagrebit. E posedoj blokun me shënime që i kisha mbajtur në atë takim, në bazë të të cilit mund të rrëfej për ngjarjen, por disa çështje edhe i mbaj mend mirë; shënimet në bllok ishin si një lloj procesverbali për nevojat e mia. Ndërkaq, tezat për diskutim për synimet e lëvizjes shqiptare, strategjinë e veprimit dhe format e organizimit të përbashkët të subjekteve politike shqiptare në ish-Jugosllavi janë në qarkullim, meqenëse u janë shpërndarë pjesëmarrësve të takimit.

Ishte folur një kohë relativisht të gjatë në Kosovë se po kërkohej të mbahej një takim i përbashkët i përfaqësuesve të të gjitha partive politike shqiptare të Kosovës, të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi. Kërkohej që takimi të mbahej në Zagreb dhe atë do ta organizonte Tomë Berisha, kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Kroaci. Flitej se ishin ftuar disa veta nga LDK-ja, V. Surroi nga Partia Parlamentare, L. Pula nga Partia Socialdemokrate, L. Krasniqi nga Partia Demokristiane, H. Islami nga Partia Fshatare, B. Kavaja dhe H. Gorani nga sindikatat, pastaj individët A. Demaçi, M. Krasniqi, R. Qosja, I. Kurteshi, M. Bakalli, Sh. Maliqi, ndoshta edhe ndonjë tjetër. Në Prishtinë kishte hezitime për atë takim nga I. Rugova e të tjerë, por kishte edhe të tillë që e kërkonin me ngulm takimin. Këta që ishin pro, në fakt ishin pjesë e frontit kundër Rugovës (Demaçi, Qosja, Maliqi, Surroi, Bakalli, Kavaja, L. Krasniqi, L. Pula dhe ndonjë tjetër).

Pa LDK-në dhe Rugovën nuk mund të mbahej takimi. Pasi Rugova dhe LDK-ja e pranuan kërkesën për të shkuar, u caktua edhe data e mbajtjes së takimit; me sa më kujtohet Rugova erdhi në takim nga Evropa. Dy ditë para mbajtjes së mbledhjes Ali Aliu, Mehmet Kraja dhe unë u nisëm me një veturë të marrë me qira nga kompania “Kompas” e Lubjanës. Shkuam më herët, sepse Kraja donte ta regjistronte revistën “Ora” të LDK-së te Ministria e Informimit e Kroacisë. Në takimin e parë që patëm Aliu dhe unë me Tomë Berishën në një restoran të Zagrebit e hetuam qartë se ku do të na shpiente loja që ishte përgatitur. Që në minutat e para nuk u pajtuam me Tomë Berishën rreth emërtimit të takimit. Ai insistonte të quhej “Kuvend gjithëkombëtar shqiptar” apo “Kuvend historik gjithëshqiptar”. Ne e kundërshtuan dhe i thamë se kjo është shumë pretencioze dhe mund të quhet vetëm takim apo mbledhje konsultative e përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare në Jugosllavi. Morëm vesh se edhe Veton Surroi kishte arritur në Zagreb dhe në mbrëmje u takuam Ali Aliu, Veton Surroi, Mehmet Kraja, Tomë Berisha dhe unë, ku i hartuam tezat e mbledhjes (synimet e lëvizjes shqiptare, strategjinë e veprimit dhe format e organizimit të përbashkët të subjekteve politike shqiptare në Jugosllavi). Tomë Berisha vërtitej atypari, bënte telefonata, vendi-vend nuk i zinte. Dëgjuam gjithashtu se edhe Mahmut Bakalli ishte tashmë në Zagreb, për një kohë relativisht të gjatë, i vendosur në një hotel luksoz në qendër të Zagrebit; gjatë gjithë kohës kishte pasur në dispozicion edhe një mercedes për të shëtitur gjithandej nëpër Kroaci. Edhe pse Bakalli e përfaqësonte vetëm vetëveten, kishte marrë guximin që të dilte me kushtrimin për kryengritje të përgjithshme të armatosur në Kosovë, të cilin do ta quante “Kushtrim i Këshillit të Qëndresës Popullore të Kosovës”! Tekstin e kishte të përgatitur me makinë shkrimi.

Ky takim mbahej në një situatë tepër të tensionuar në Kroaci dhe në gjithë ish-Jugosllavinë. Ende ishte në fuqi urdhëresa e Kryesisë së RSFJ-së për çarmatosjen e formacioneve paraushtarake në Kroaci dhe skadonte pikërisht më 20 janar 1991, ndërsa Stipe Mesiqi, si kryetar i kësaj Kryesie nga Kroacia, kishte kërkuar të shtyhej edhe disa ditë afati i realizimit të kësaj urdhërese. Me siguri, kjo shtyrje kishte lidhje edhe me këtë takim. Tomë Berisha dhe Vetoni kërkuan që në takim të merrnin pjesë delegatët tanë të Kuvendit në ekzil. U morëm vesh që të vinin disa delegatë, me Ilaz Ramajlin në krye. Kështu edhe ndodhi. Në takim nuk erdhën të ftuarit A. Demaçi, R. Qosja, M. Krasniqi, I. Kurteshi, L. Pula-Beqiri, Sh. Maliqi, H. Gorani dhe ndonjë tjetër. Arsyet nuk i mësuam.

Nga shënimet e mia del se takimin e hapi Tomë Berisha, kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Kroaci, si nikoqir. Në Kryesi të punës ishin edhe Ibrahim Rugova, Veton Surroi dhe Ali Aliu. Ibrahim Rugova, si përfaqësues i partisë më të madhe shqiptare, foli pas Tomës, duke propozuar nga duhet të shkojë diskutimi. Nga regjistri i diskutantëve, rezulton se në takim erdhën: I. Rugova, F. Agani, A. Aliu dhe M. Kraja nga LDK-ja; H. Islami nga Partia Fshatare; V. Surroi nga Partia Parlamentare; L. Krasniqi nga Partia Demokristiane; B. Kavaja nga sindikatat e Kosovës; Sh. Rrahimi dhe S. Ibrahimi nga Partia e Prosperiteti Demokratik të Maqedonisë dhe H. Ramadani, këshilltar i kësaj partie; I. Halimi nga Partia Demokratike Popullore e Maqedonisë; R. Halimi dhe R. Hasani nga Partia për Veprim Demokratik në Luginë të Preshevës; L. Lulgjuraj nga një parti shqiptare në Mal të Zi dhe dikush tjetër. Mahmut Bakalli nuk e përfaqësonte askend, sikundër dhe Fran Berisha, për të cilin ne në fillim mendonin se kishte ardhur si përfaqësues i ndonjë partie shqiptare nga Mali i Zi, por doli se ai ishte aty vetëm si vëlla i T. Berishës; Frani ishte më i zëshmi në atë takim për hapjen e “Frontit të Jugut” (diskutoi shumë herë, me shumë ndërhyrje e ofendime). Ishin të pranishëm edhe M. Nexhipi (nga Maqedonia) nga Lidhja Demokratike e Shqiptarëve të Kroacisë, specializant në stomatologji në Zagreb, H. Miniri, më vonë pronar i hotelit “Miniri” në Tiranë, Zef e Tomë Marku nga LDSH të Kroacisë. Nga Kranji i Sllovenisë kishte ardhur biznismeni nga Maqedonia Isak Ramadani, i cili, me sa shihet nga “stenogrami” im, nuk kishte marrë pjesë në diskutim. Nga delegatët e Kuvendit të Kosovës morën pjesë I. Ramajli, S. Hashani, B. Gjurgjeallo, M. Shabani, S. Skenderi, N. Hoxha dhe H. Muharremi. Sigurisht ka pasur edhe pjesëmarrës të tjerë që nuk i kam në bllok.

Një ditë para takimit Kraja dhe unë shkuam në selinë e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve të Kroacisë, ku ishin dhe selitë e disa partive të tjera të Kroacisë. Aty na dhanë një makinë shkrimi dhe i shtypëm tezat orientuese, duke i sistemuar dhe plotësuar ku na dukej e nevojshme. Dikush na shërbente, na sillte ujë dhe kafe, një tjetër na bënte fotografi, të cilat kurrë nuk i pamë.

Mendonim se takimi do të mbahej diku në Zagreb, por në mbrëmje na thanë se do të shkojmë në një banjë, në Stubiçke Toplice, afër 40 km larg Zagrebit, të cilën unë e dija, sepse kisha qenë dy herë kur isha student i shkallës së tretë në Zagreb. Me të arritur atje, në mbrëmje, i morëm dhomat, pritnim të shkonim në darkë. Darka ishte “galla”. Duket që regjimi i Tugjmanit, bashkë me T. Berishën, ishin përkujdesur mirë, sepse shpresonin se do ta pranonim kërkesën për hapjen e “Frontit të Jugut”. Hizmetin për këtë paraprakisht e kishin bërë Tomë Berisha dhe Mahmut Bakalli.  Në hotelin e banjës pamë se po defilonin disa shqiptarë të armatosur. Nuk e njihja asnjërin. Thanë se janë ushtarakët e Tomës. Rugovën e ruanin natën para derës, me pushkë. Nuk e dinin apo e dinin se Rugova dhe ne të tjerët (Aliu, Kraja, Vetoni dhe unë) do të ktheheshim në Prishtinë me makinë nëpër gjithë Kroacinë dhe Serbinë.

Më 19 janar, paradite, filloi takimi në një sallë të bukur. Takimin e hapi Tomë Berisha, dukshëm i pakënaqur, ngase e nuhati tashmë se ne nuk ishim për ta plotësuar kërkesën e Tugjmanit. Nuk foli gjatë. Sipas shënimeve të mia, ai propozoi formimin e një ”Këshilli për Vetëndihmë dhe Vetëmbrojtje pa dhunë”, me kërkesën që aktivitetet të bashkërendoheshin me Kuvendin e drejtuar nga Ilaz Ramajli dhe me Qeverinë e Kosovës, të drejtuar nga Jusuf Zejnullahu. Në fakt, nën petkun e këtij ”Këshilli” Toma kishte mision krejt tjetër! Pas Tomës filloi diskutimi. Sipas shënimeve të mia, diskutuan gjithsej 22 veta, por pati gjithsej 49 diskutime, përfshirë diskutimet nga disa herë nga të njëjtit diskutantë, por edhe ndërhyrjet. Rekordin për ndërhyrje e mbante Fran Berisha, i cili, siç u pa,  e bënte vetëm avokatin e Tugjmanit dhe të kërkesës së tij për hapjen e ”Frontit të Jugut”. Diskutuan: I. Rugova, A. Aliu, V. Surroi, S. Rahimi, F. Berisha, H. Islami, M. Bakalli, B. Kavaja, H. Ramadani, T. Berisha, R. Halimi, L. Krasniqi, I. Ramajli, H. Ramadani, L. Lulgjuraj, I. Halimi, S. Ibrahimi, B. Gjurgjeallo, M. Nexhipi, F. Agani, H. Muharremi, M. Kraja.

Në paraqitjen e parë, pra para leximit të kushtrimit për kryengritje, Bakalli e hodhi tezën për luftë të armatosur. Ishte kjo përpjekja e parë për të matur pulsin, por Rugova menjëherë i tha se luftë nuk mund të shpallim, sepse nuk kemi as fuqi e as përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA-ja. Numri i ithtarëve të opcionit të luftës në fillim dukej se nuk ishte i madh, prandaj, nga frika se do të dominojë opcioni i luftës politike për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për t’u siguruar përkrahja më e gjerë për ”Frontin e Jugut”, Bakalli doli me kushtrimin për kryengritje! Disa filluan të trimëroheshin  dhe në momente situata tensionohej. Duke lexuar kushtrimin, F. Agani më tha te veshi: “Ja çka bën pleqëria”. Ia ktheva: “Nuk është punë pleqërie, por papërgjegjësie dhe idiotizmi”; Bakalli atëherë i kishte vetëm 55 vjet! Përveç Tomë Berishës dhe Mahmut Bakallit, që tashmë kishin marrë obligimet nga pushteti i Tugjmanit, Fran Berisha, ishte më agresivi. Ai i ofendonte kundërshtarët e luftës së armatosur, sidomos Rugovën, duke e quajtur “dezinformues, mjegullues, të paperspektivë, frikacak, mjeran, tradhtar” e çka jo tjetër.

Ditën e parë, shqiptarët e Maqedonisë, të cilët ishin edhe deputetë në Parlamentin e atjeshëm, meqenëse ishin mbajtuar tashmë zgjedhjet parlamentare, nuk ishin për rezistencë të armatosur. Atë ditë, Shukri Rrahimi vetëm tha që bashkimi kombëtar të mos shtrohet pa pëlqimin e Shqipërisë. Por, gjatë natës, i kishin përpunuar: morëm vesh se Mahmut Bakalli, përmes Hysen Ramadanit (funksionar i lartë në ish-Federatën jugosllave nga Maqedonia) kishte ndikuar të ndërronin mendimin dhe, të nesërmen, Shukri Rrahimi kërkoi që edhe shqiptarët e Kosovës t’ua tregojnë thikat regjimit serb dhe të formojnë shtabet e luftës, kështu që u rreshtua në anën e Tomës, Bakallit dhe Franit, ndërsa Sami Ibrahimi bërtiste “luftë dhe luftë…”!

Pjesë e bllokut anti-Rugovë ishte edhe Veton Surroi, bashkë me Tomën, Franin, Mahmutin, Burhanin, Lazërin dhe shqiptarët e Maqedonisë, të nesërmen. Megjithatë, Vetoni e kuptoi shpejt nga po shpiente qëllimi i akterëve të “Frontit të Jugut” (Toma,  Bakalli dhe Frani) dhe u tërhoq, duke kërkuar që të respektohej rendi i ditës. E kundërshtoi Shukri Rrahimin dhe tha se të zbresim në nivel të thikave e shtabeve është e rrezikshme. Në një moment të tensionimit të situatës e kundërshtova rreptë Shukri Rrahimin, duke i thënë: “Kush do të luftojë, kur ju të gjithë do të ktheheni në vendet tuaja, ju bile drejt në Parlament të Maqedonisë, meqë jeni deputetë?”. Shtrova nevojën e një qëndrimi unik të shqiptarëve rreth regjistrimit të popullsisë dhe braktisjes së APJ-së nga ushtarët shqiptarë. Vetoni angazhohej për rrugën e një rezistence aktive, por as paqësore e as të armatosur, siç thoshte, sikundër që nuk e preferonte as aventurizmin politik, por as oportunizmin politik. E kërkonte një këshill apo komitet të rezistencës apo qëndresës jashtë partive dhe jashtë Kuvendit, por kërkonte që ai të përkrahej nga partitë dhe nga Kuvendi. Në këtë drejtim, e lexoi një proklamatë. Në “stenogramin” tim nuk është e përfshirë proklamata dhe nuk mund ta parafrazoj.

Pasi u shterën diskutimet, në fund të ditës së dytë, u bë një rezyme e pikave konsensuale të partive politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Dhe krejt në fund, u formua komisioni për të përgatitur një komunikatë për opinion nga Veton Surroi, Mehmet Kraja dhe Riza Halimi. Komunikata e shkurtër, pak e ndryshuar, nuk e dinim nga kush, u emitua në Radio-Zagreb, atëherë e vetmja dritare informative e shqiptarëve, në kohëzgjatje prej 5 minutash, në ora 22,30 minuta. Nuk zgjati as disa ditë, Tugjmani, i pakënaqur me përfundimin e takimit, e zhvendosi këtë emision në ora 1,30 pas mesnatës, kurse pas disa ditësh e mbylli krejtësisht.

Ne nuk ishim në dijeni se zhvillimi i punimeve po incizohej. Fakti se më vonë qarkullonin disa versione të incizimeve të takimit, tregon se ai ishte përgjuar nga disa shërbime. Takimin kanë mundur ta incizonin KOS-i i APJ-së, sigurimi shtetëror jugosllav, sigurimi serb, shërbimet e pushtetit të Tugjmanit apo edhe shërbimet e huaja.

Pas përfundimit të takimit të përfaqësuesve të partive politike shqiptare në Jugosllavi, aty në Banjë, u mbajt një takim më vete i të gjithë përfaqësuesve nga Kosova me delegatët e Kuvendit të Kosovës. Diskutuan sipas radhës: I. Rugova, I. Ramajli, S. Hashani, B. Gjurgjeallo, M. Shabani, S. Skenderi, N. Hoxha, B. Kavaja, H. Muharremi, F. Agani, A. Aliu, H. Islami, I. Ramajli. U diskutua për gjendjen në Kosovë e mundësitë për kapërcimin e saj dhe për pozitën e delegatëve, e cila njëmend ishte shumë e vështirë. Ata ndjeheshin si të braktisur nga institucioneve e kohës në Kosovë.

Rugova, Surroi, Aliu, Kraja dhe unë do të ktheheshim me veturën me të cilën kishim shkuar, të “Kompas-it”; por në udhëtim do të na bashkoheshin edhe Rugova e Surroi, që e kishin të aranzhuar një takim në Ambasadën e Francës në Beograd. Me të arritur në Beograd, këta dy hynë në Ambasadë, kurse ne të tre e pyetëm rojën e saj (serb ishte) se a mund ta linim veturën para Ambasadës e ai na tha se po. Kur u kthyem, veturën e kishte marrë “marimanga”. Me mjaft probleme e gjetëm dhe e morëm në rrethinën e Beogradit. Në ndërkohë, Rugova dhe Surroi kishin mbaruar punë në Ambasadë, ku edhe kishin drekuar. Derisa u bë puna të niseshim, ra terri dhe e morëm rrugën për në Prishtinë, ku arritëm pas mesnatës. Rrugës na ndalën disa herë patrullat e policisë. ”Kapllarët” e Tomës që në hotel, në Stubiçke Toplice, e ruanin me pushkë Rugovën derisa ai flinte, mbetën në Zagreb, ndërsa Rugova udhëtoi bashkë me ne nëpër Kroaci, ku u vinte era luftë, dhe pastaj nëpër Serbi, deri në Prishtinë.

Aventurierët e kohës, çfarë ishin Tomë Berisha dhe Mahmut Bakalli, dy ish-udhëheqësit ushtarako-partiakë në Jugosllavinë komuniste, ishin zotuar te regjimi i Tugjmanit se do t’i fusnin shqiptarët e Kosovës dhe, rrjedhimisht, të gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi, në një luftë krejtësisht të pabarabartë dhe shqiptarët do të bëheshin “kurban” për interesat e këtij regjimi. Angazhimi i tyre për luftë të armatosur vinte në kohën kur bashkësia ndërkombëtare, në krye me SHBA-të, përmes ambasadorit në Beograd, W. Zimmermann, bënte apel çdo ditë që shqiptarët të mos e pranonin provokacionin që po u përgatitej nga të gjitha anët në ish-Jugosllavi. Atëherë Amerika ishte e zënë me luftën e Gjirit. Një herë, kur ambasadori amerikan erdhi në Prishtinë, u shtrua çështja e përjashtimit të punëtorëve nga puna, numri i të cilëve kishte arritur në afër 100.000. Burhan Kavaja nga BSPK-ja tha se kemi përgatitur një plan për t’i kthyer punëtorët në punë. Përgjigja decidive e ambasadorit Zimmermann ishte: “Mbështetjen e Amerikës këtu nuk e keni, sepse kjo do të thotë luftë, ndërsa Amerika nuk e përkrah luftën”.

Problemi tjetër i ithtarëve të luftës ishte se kush do ta organizonte dhe kush do ta bënte luftën në terren? Kush do ta mbështeste “Këshillin e Qëndresës Popullore të Kosovës”? Pa mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk mund të bëhej asgjë, sepse ajo e kontrollonte gjithë situatën në terren. Përfaqësuesit e LDK-së (Rugova, Agani, Aliu, Kraja), H. Islami, R. Halimi, V. Surroi dhe pjesëmarrës të tjerë e kundërshtuan opsionin e luftës së armatosur, kurse disa mbetën neutralë. Nervoza dhe sjellja arrogante e obliguesve të luftës sa vinte e shtohej. Lazër Krasniqi, që ishte në anën e këtyre obliguesve, pyeti disa herë: “Çka jemi ne këtu? Ne jemi për të sjellë vendime”. Ashti sukurse mbështetësit e luftës, ai insistonte të formohej një instancë “demokratike” shqiptare. Mirëpo, “Këshilli i Qëndresës Popullore të Kosovës” në krye me Bakallin dhe Tomë Berishën do të mbetej në Zagreb!  Organizimi i luftës së armatosur i mbetej Lidhjes Demokratike e Kosovës. Me gjithë tensionet e krijuara, të cilat u shoqëruan edhe ofendimeve të ndryshme, pas kundërshtimit të rrepët të Rugovës e përfaqësuesve tjerë të LDK-së, si edhe e të tjerëve, mbisundoi arsyeja dhe opsioni i luftës nuk u pranua.

Sipas “heronjve të luftës”, lufta do të hapej në Kosovë, ndërsa disa nga “heronjtë” do të qëndronin në Zagreb (Tomë e Fran Berisha, Mahmut Bakalli, Muharrem Nexhipi, Zef e Tomë Marku, etj.), disa të tjerë do të aterronin me avion në Shkup, për të vazhduar luftën politike në institucionet e Maqedonisë (Hysen Ramadani, Shukri Rahimi, Sami Ibrahimi, Ilaz Halimi); Lekë Lulgjuraj nga Mali i Zi do të zbarkonte në Podgoricë. Kështu, luftën do ta bënin shqiptarët e Kosovës, ndërsa prej saj do të përfitonin regjimi i Tugjmanit dhe “heronjtë e luftës”. Në qoftë se lëvizja e atëhershme politike në Kosovë, e cila quhej “Alternativa Kosovare”, ndonëse pa eksperiencë politike, ka bërë diçka për ta vlerësuar për Kosovën dhe shqiptarët në atë kohë (evitimi i gjakderdhjes dhe i eksodit masiv), atëherë kjo ishte pikërisht kundërshtimi i opsionit të luftës në Stubiçke Toplice dhe përqafimi i opcionit të rezistencës paqësore.

Vështruar nga perspektiva e sotme, duket joshëse kërkesa për luftë të armatosur kundër Armatës Jugosllave, në fillim të vitit 1991, kur ishin në prag të shpërthimit luftërat e armatosura të Serbisë, së bashku me APJ-në, kundër popujve joserbë, në radhë ta parë kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve. Nga kjo perspektivë, shqiptarët që asokohe kërkonin luftë të armatosur, sot ata mund të dalin fare lehtë “trima” dhe “patriotë”, ndërkaq ata që e kundërshtuan këtë luftë edhe më lehtë mund të cilësohen si “frikacakë” dhe “tradhtarë”!

Sigurisht se shqiptarët nuk ishin ata që do ta pengonin luftën në Kosovë. A do të kishte luftë varej nga vlerësimi i Serbisë dhe i APJ-së. Mirëpo, hyrja në aventurën në të cilën ishin zhytur Tomë Berisha e Mahmut Bakalli ishte rrezik shumë i madh për të gjithë shqiptarët, deri në fshirjen e tyre nga faqja e dheut. Çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve do të ishte harruar, sikundër u harrua problemi i Krajinës së Kninit dhe i serbëve të Kroacisë, pas tragjedive të mëdha që ndodhën në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegocinë, madje në sy të gjithë botës dhe në prag të Marrëveshjes së Dejtonit (1995). Kur u poqën kushtet, të brendshme dhe të jashtme, shqiptarët e kapën pushkën dhe lufta e tyre në Kosovë (UÇK), në Luginën e Preshevës (UÇPMB) dhe në Maqedoni (UÇK) solli rezultate pozitive. Por, kjo ndodhi 8-10 vjet më vonë, kur u mor mbështetja e faktorit ndërkombëtar dhe kur Serbia u akuzua nga bashkësia ndërkombëtare si shkaktare dhe fajtore e luftërave dhe e tragjedive njerëzore dhe dhe dëmeve materiale. Tomë Berisha, atëbotë, bënte jetën e tij në Zagreb, ndërsa në prag të luftës së Kosovës, Bakalli takohej tinëzisht, pa e autorizuar askush,me pjesëtarë të sigurimit serb (J. Stanishiqi i Millosheviqit etj.)! Pra, këta nuk i kapën pushkët dhe nuk e bënë organizimin e luftës në Kosovë!

Në qershor të vitit 1993, pasi pëlciti lufta në Kroaci dhe në BeH dhe kur u pa se çka ndodhi dhe çka po ndodhte, Tomë Berishën dhe Zef Markun i takova në Tiranë, para hotelit “Dajti”. Toma më tha: “Ju kosovarët dolët të mençur”, duke aluduar në takimin e Stubiçke Toplicës. Por, ai  nuk deshi të bisedonte më gjatë, u bë sikur nuk kishte kohë. Atëherë, T. Berisha i kishte kërkuar falje për qëndrimin e mbajtur në Stubiçke Toplice edhe një udhëheqësi të lartë të LDK-së.

Për mendimin tim, gjykuar nga ky takim, Mahmut Bakalli ishte një njeri tejet i papërgjegjshëm. Në dimrin e vitit 1996 kur Demaçi, Qosja dhe Bakalli kishin hapur një fushatë të tërbuar kundër Rugovës, më thirri Iljaz Kurteshi dhe më tha se a mund të takoheshim me Bakallin. U pajtova dhe zhvilluam një bisedë të gjatë, në shtëpinë e Bakallit. Ishte hera e parë që hyja në shtëpinë e Bakallit, të cilin edhe nuk e njihja mirë. Ai u ankua se e kishte mashtruar Qosja. Ai e kishte botuar një shkrim kundër tij, në gazetën ”Zëri”, ka por kur Bakalli e kishte bërë gati përgjigjen, ai i kishte thënë: “Të lutem, mos e boto, sepse në numrin e ardhshëm do ta korrigjoj!”. Ai nuk e bëri kurrë korrigjimin. Mashtrimi ishte i stilit të tij! Me atë rast, në prani të I. Kurteshit, i cili angazhohej sinqerisht për çështjen, Bakallit ia përmenda mbledhjen në Stubiçke Toplice dhe kushtrimin e tij për kryengritje dhe nga ai e mora përgjigjen: “Krejt kishte qenë gabim”! Ta quash vetëm gabim një sjellje të tillë që do t’i çonte shqiptarët në masakra dhe deportim masiv për vetëm disa ditë ishte në anën tjetër të arsyes.

Në qershor të vitit 2003, në Tiranë, njëri nga pjesëmarrësit e takimit në Stubiçke Toplice (një delegat i Kuvendit) më tha se pas refuzimit të kërkesës për hapjen e luftës së armatosur në Kosovë, në kuadër të ”Frontit të Jugut”, ka ekzistuar plani që të likuidoheshin të gjithë kundërshtarët e kërkesës së shtruar në Stubiçke Toplice! Për këtë kishim dëgjuar edhë më parë.

Në atë kohë (fillimi i vitit 1991), futja e ushtarëve shqiptarë që ende shërbenin në APJ në Gardën Kroate ishte kaptinë në vete. Forcat politike shqiptare të asaj kohe në Kosovë angazhoheshin që shqiptarët ta braktisnin armatën jugosllave, gjë që edhe ndodhi, ndonëse kjo ishte me shumë probleme dhe rreziqe. Edhe këtu Tomë Berisha me “kapllarët” e tij u përfshi në një lojë tejet të rrezikshme. Në këtë lojë të ndyrë, mjerisht, ishte përfshirë edhe Zekeria Cana, atëherë veprimtar i KMLDNJ me seli në Prishtinë. Ai, me revole në dorë, i kërcënonte ushtarët shqiptarë: “Në Gardë! Në Gardë!” Ai atëherë shetiste nëpër Kroaci dhe mbante kontakte me D. Paragën, kryetar i Partisë së Drejtësisë, dhe me qarqet e pushtetit kroat!

 

Prishtinë, 19 janar 2018

 

(Autori është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ai ka marrë pjesë në takimin e mbajtur më 19 e 20 janar 1991, në Stubiçke Toplice, në periferi të Zagrebit, si kryetar i Partisë Fshatare të Kosovës.) 

Comment

*