FSHF dënon kampionët e Skënderbeut

Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit merr vendim më në fund për Skënderbeun

Skuadrës korçare, e ndëshkuar nga UEFA për trukime, me 1 vit mospjesëmarrje në Kupat e Europës, i janë shtuar penalitete të tjera.

Bëhet fjalë për dënime të rënda, sikurse ëshytë heqja e titullit kampion të sezonit 2015-2016, i cili automatikisht shkon për llogari të Partizanit, që u rendit i dyti në kampionatin përkatës (do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv për ta vulosur këtë gjë).

Veç kësaj, klubit korçar i është vendosur edhe një gjobë prej 20 milionë lekësh të vjetra, si dhe i janë hequr 12 pikë nga renditja e sezonit të kaluar (2016-2017).

Me një fjalë, nuk ka zbritje nga kategoria për Skënderbeun, sikurse përflitej nën zë.

Ai do të ketë mundësinë edhe të luajë në Ligën e Europës, teksa tashmë ka mësuar edhe kundërshtarin nga Andora.

Pas zbritjes së 12 pikëve nga Etika, i bie që Skënderbeu e ka mbyllur sezonin e fundit në kuotën e 60 pikëve, duke mos e rrezikuar vendin e tretë në klasifikim. Kjo, për shkak se Luftëtari i vendit të katërt ka më pak pikë se korçarët, edhe pas dënimit, vetëm 44 pikë.

Dënimi i UEFA-s për të mos marrë pjesë në Ligën e Kampioneve sezonin e kaluar ekuivalentohet në njëfarë mënyre me heqjen e titullit (2015-2016). i ashtuquajturi “kampion moral”, që e naltonin me forcë te Partizani, tashmë zyrtarizohet në favor të tij, duke e bërë skuadrën e kuqe me 16 tituj kampioni në histori.

“Demat” zëvendësuan korçarët në Champions sezonin e kaluar, duke iu qasur europës si kampionë realë të Superiores.

Gjë që u “vulos” sot nga Komisioni i Etikës, i cili njeh dhe ligjëron faktin se Skënderbeu ka trukuar ndeshje, sikurse kishte nënvizuar UEFA dhe CAS-i i Lozanës.

Telesport

 

Comment

*