Fuqia ekonomike e Kosovës – më e vogla në rajon

Prishtinë, 3 korrik 2013 – Të gjithë treguesit e një analize të marrëdhënieve ekonomike e tregtare të Kosovës me vendet e rajonit dëshmojnë një pozicion shumë të disfavorshëm të saj, në raport me këto vende. Madje, kur këta tregues krahasohen me vitet e kaluara, prej vitit 2008 e këndej, del se në pozicioni i Kosovës vetëmsa është përkeqësuar.

Këta tregues u prezantuan në një tryezë të rrumbullakët që u mbajt të mërkuren, në Prishtinë, ku u publikuan rezultatet e një analize mbi marrëdhëniet ekonomike e tregtare të Kosovës me 12 vende të rajonit, të realizuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED). Në fokus të analizës ka qenë pozita ekonomike të Kosovës në raport vendet fqinje, me vendet e CEFTA-s dhe me vendet e rajonit që janë anëtare të BE-së.

Autori i analizës, Shpend Kursani, gjatë publikimit të saj, fuqia ekonomike e Kosovës është shumë e vogël në raport me fuqinë e përgjithshme ekonomike të rajonit dhe kjo është pasojë e ngecjes së zhvillimit të brendshëm ekonomik dhe sidomos e ngecjes së sektorit prodhues, I cili nuk i mbulon as nevojat e konsumit të brendshëm, prandaj mbulohet nga importet.

Sipas analizës, në periudhën 2008-2012 në Kosovë ka pasur një rritje ekonomike vjetore mesatare prej 4.5 për qind, por ajo është shoqëruar nga një inflacion prej mbi 5 për qind, i cili ka pasur ndikim negativ në rritjen reale të ekonomisë së Kosovës.

Sipas treguesve të analizës, në periudhën e fundit pesëvjeçare, Kosova ka importuar shumë më shumë nga vendet e rajonit se sa ka eksportuar në këto vende. Maqedonia, Serbia dhe Turqia kanë qenë eksportuesit më të mëdhënj në Kosovë, ndërsa për import nga Kosova është e para Shqipëria.

Njëri nga treguesit kryesorë të zhvillimit ekonomik, ai i Invetsimeve të Huaja Direkte (IHD), flet për rënie tepër të madhe, në raport me fuqinë ekonomike të vendit e veçanërisht në raport me fuqinë e investimeve. Sipas analizës së KIPRED-it, në periudhën 2008-2012 Investimet e Huaja Direkte kanë shënuar një rënie për 37.61 për qind, ndërsa investimet e huaja direkte nga vendet e rajonit kanë shënuar rënie për 11.55 për qind. Turqia është investuesi më i madh në Kosovë. Ajo ndiqet nga Sllovenia, Bullgaria, etj.

Kjo është analiza e parë e KIPRED-it në lidhje me marrëdhëniet të Kosovës me shtetet e rajonit. Ky institut do të realizojë edhe katër analiza të tjera të raporteve të Kosovës me këto vende: analiza e marrëdhënieve politike të Kosovës me vendet e rajonit, analiza e marrëdhënieve të Kosovës me rajonin në sektorin e sigurisë, analiza e marrëdhënieve ndëretnike të Kosovës me rajonin dhe analiza e anëtarësimit të Kosovës në organizata dhe forume rajonale.

Këto analiza realizohen me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

R.M.

 

Comment

*