Furnela me vajguri

Pierre-Pandeli Simsia

Tregim

 

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Atë ditë të dielë, mesdita sapo kishte rënë dhe babai nuk ishte kthyer akoma në shtëpi.
– Nuk do vonohem shumë, i tha mamasë kur doli nga shtëpia, ndërsa ajo po gatuante ushqimin e drekës.
Ishte ditë e bukur, e ngrohtë, ditë pranvere dhe ne, në ditë të tilla, tavolinën e ngrënies e shtronim në oborin përpara shtëpisë. Na shijonte shumë ushqimi, ambienti përreth të ulur në tavolinë nën hijen e pemëve të oborit tonë.
Në një cep të oborit, prindërit tanë kishin sajuar edhe një vend të vogël në formë vatre që shërbente edhe si vend gatimi. Aty mbanim furnelën e gatimit dhe, në mungesë të vajgurit, mungesë e shpeshtë, mamaja kishte zgjedhur praktikën më të përshtatshme për gatim dhe ngrohjen e ujit për larjen e teshave, ndezjen e zjarrit në atë vatër që drutë nuk na mungonin.
Ne tre vëllezërit nuk mund të uleshim në tavolinën e ngrënies pa u mbledhur të gjithë së bashku. Ishte rregulli i familjes sonë që ne e zbatonim me përpikmëri.
Dy vëllezërve të mi më të vegjël se unë u ishte sosur durimi i pritjes së babait; këtë, ata e shprehnin me veprimet e tyre.
Vëllai më i vogël, që mbahej edhe më çapkëni i familjes, dy tri herë kishte shkuar tek tenxherja me gjellë, e kishte hapur kapakun dhe me vështrimin e tij mbi atë çfarë kishte gatuar mamaja nuhaste aromën e këndshme të gjellës dhe ndihej se i shtohej edhe më shumë urria për të ngrënë.
– Hhhhhhh! – u duk se morri frymë thellë vëllai. E vendosi kapakun mbi tenxhere dhe me hapa të ngadaltë eci drejt tavolinës ku ishte shporta me bukë.
Pa u menduar shumë, zgjati dorën në shportë dhe këputi një copë bukë.
– Ohuu! – foli me ngadalë, por që u dëgjua edhe nga ne tre të tjerët, sikur donte të thoshte: – Babi, kush e di se sa shumë vonohet.
Mamaja që po i shoqëronte veprimet e tij, dukej se e vështronte dhimbshëm pa e dhënë veten.
– E di, zemër, që ju ka marrë urria, nuk keni faj, por, edhe babin duhet ta presim.
– Edhe sa orë duhet ta presim babin, mama? – foli menjëherë vëllai duke u përtypur. – Të paktën, të na thoshte që do vonohet… Të lutem, mama!
– Babi është shumë korrekt me orarin, biri im; ju këtë e dini shumë mirë. Ndoshta, diçka e papritur do ti ketë dalë – foli mamaja me zë të ulët duke ndjerë edhe dhimbje. – Nëse ke shumë urri dhe nuk mund të presësh, mund të të nxjerrë gjellë e të hani – vazhdoi mamaja të flasë dhe vështrimin e hodhi edhe nga ne dy të tjerët.
Askush nga ne të tre nuk foli.
Pas pak, unë si vëllai më i madh që jam, ndërhyra dhe thash: – Le të presim edhe pak, por, ju dy të tjerët, nëse nuk mund të duroni dot, mund të uleni e të filloni të hani.
Dy vëllezërit e mi më të vegjël panë njëri tjetrin në sy dhe nuk folën.
Heshtjen e thyenin cicërimat e zogjve përreth. Pas pak asaj heshtjeje, u dëgjua zhurma e lehtë e portës.
Dera e portës u hap dhe ne pamë të hyjë babai.
– Më në fund, erdhe – tha i papërmbajtur vëllai i vogël dhe, siç e kishte zakon, shprehje të tilla i shoqëronte me buzëqeshje, sa që shpesh babi me shaka dhe me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël, i thoshte: – Kjo buzëqeshja jote, na i ha kokën neve. – Dhe pas atyre fjalëvë, i afrohej vëllait, e puthte duke e vazhduar puthjen edhe me ne dy vëllezërit e tjerë.
– Më falni për vonesën – u shfajësua babai duke ngjitur tri shkallët e gurrta që shkëlqenin nga bardhësia e gëlqeres që mamaja jonë i tregonte kaq shumë kujdes.
Babai në duar mbante një kuti kartoni në ngjyrë të bardhë.
Eci drejt mamasë dhe, siç bënte zakonisht kur hynte në shtëpi, u përshëndetën dhe u puthën në buzë. Në të njëjtën kohë mamaja zgjati dorën për të marrë atë kuti të bardhë që babai mbante në dorë.
Pastaj babai erdhi drejt nesh me radhë, na puthi në faqe ashtu sikurse edhe ne ia kthenim me puthjet tona në faqe.
– U vonova – tha babai pa u ulur, – sepse bleva këtë. Sapo erdhi furnizimi në dyqan, mbajta radhën dhe, e bleva. Bleva një furnelë me vajguri, grua – vazhdoi ai të flasë; – e bleva nga ato të mirat, – ndërkohë që mamaja kishte filluar ta hapte kutinë.
Ne pamë një furnelë me vajguri në ngjyrë të blertë.
Mamaja po e shikonte furnelën me kërshëri. Po i shdriste fytyra nga gëzimi dhe kënaqësia.
– E bleva nga këto të mirat, grua, – përsëriti babai të njëjtat fjalë.
Mamaja nuk foli, lëvizi kokën në shenjë pohimi pa i hequr sytë nga furnela.
Me shprehjen “E bleva nga këto të mirat” babai e kishte fjalën për furnelat që ishin të të njëjtës formë por me çmime të ndryshme.
Tregëtoheshin dy lloje furnelash që punonin me vajguri; furnela 60-të lekëshe që ishin furnela metalike të lyera me bojë dhe furnela 80-të lekëshe që ishin furnela material xingo që pastroheshin lehtësisht dhe dukej se ishin më të rezistueshme.
Ne ishim një familje shtresë mesatare dhe të ardhurat financiare në familjen tonë nuk i kishim shumë të mjaftueshme, ndaj dhe furnelën që kishim në përdorim dhe që ishte vjetëruar e kishim blerë 60-të lekëshe.
Mamaja jonë ishte shumë meraklie në mirëmbajtjen e furnelës me vajguri dhe të tenxhereve të gatimit. Për pastrimin e tyre përdorte majën e një thike të vogël dhe një rrjetë teli.
Furnela që kishim në shtëpi vetëm ato ditët e para të blerjes e kishte ruajtur bukurinë dhe pastërtinë, por më vonë, gjatë përdorimit dhe viteve të shkuara, boja lyerëse i ishte djegur.
Mamaja aty pranë mbante lecka të ndryshme të prera nga rrobat tona të vjetra që i përdorte në pastrimin e furnelës. Ndërsa kanatjeret tona të vjetra i përdorte vetëm për dhjetë fitilat ndezës të furnelës. Kanatjeret ishin material pambuku të përshtatshëm për fitil furnele.
Edhe pse ne disa herë e lyenim furnelën me bojë vaji apo me varak të bardhë ose të verdhë, pas disa ditë përdorimi, ajo kthehej në gjendjen e mëparshme dhe mamasë i duhej ta pastronte duke përdorur majën e thikës apo rrjetë teli.
Rrjetën e telit bashkë me ujin e ngrohtë me sapun, mamaja e përdorte edhe në larjen dhe fërkimin e dyshemesë së dhomave të shtëpisë.
Një ditë, ndërsa po përdorte majën e thikës për të pastruar furnelën, në gishtin tregues të dorës së majtë, poshtë thoit, i ishte futur një cifël e vogël ndryshku.
– Oohh! – Lëshoi një klithmë mamaja, duke u munduar të mos e japë veten edhe pse e ndjeu shumë dhimbjen. E lidhi me një fasho gishtin që rridhte gjak dhe vazhdoi pastrimin e furnelës.
Pas disa ditësh, plaga në gisht mori infeksion të rëndë që duhej ndihma e mjekut për ndërhyrje kirurgjikale, por që pas ndërhyrjes kirurgjikale, i la një shenjë të dukshme estetike, shtrembërim në në majën e gishtit që do ti mbetej gjatë gjithë jetës së saj.
Sa herë që ia shikonim atë gisht, ndjenim dhimbje brenda qenies sonë shpirtërore edhe pse mamaja nuk e jepte veten.
Nuk mjaftoi infeksioni i gishtit të mamasë, por, meqenëse ajo furnelë kishte disa vite përdorimi, shpesh herë, në pjesën e poshtëme të fitilave merrte flakë dhe duhej ndërhyrja jonë ti hidhnim ujë për ta shuar.
Merakun e ndonjë zjarri të mundshëm nga furnela e kishim të gjithë ne në familjen tonë.
Që nga ajo ditë, babi e kishte vendosur, madje e mendonte shpesh me veten e tij; ajo furnelë e vjetër që ishte bërë e papërdorshme, duhej hedhur menjëherë dhe priste rastin më të parë furnizimin e radhës në dyqan të blinte një furnelë të re material xingo.
– Mos e shiko shumë, grua. Punofsh gëzuar! – I tha babai mamasë.
Mamaja nuk foli. Ngriti kokën, e pa babain në sy sikur donte ti thoshte: “Mirë e ke ti, por, sikur po më vjen keq edhe për atë të uruar 20-të lekëshe më shumë edhe pse punën e bëjnë të dyja njësoj.”
Çuditërisht, babai sikur ishte në mendjen e mamasë dhe kuptoi atë çfarë ajo po mendonte.
– Grua, mos u mendo shumë; ta vëmë në përdorim furnelën dhe ta gëzojmë.
– Jo tani – foli menjëherë vëllai i vogël; – jo tani. Të hamë njëherë drekën, pastaj ta përdori mami.
Ne të gjithë qeshëm.
……………………………………………………………………………………..
Mamaja jonë ndëroi jetë para disa javësh.
Para se ta përcillnim për në banesën e fundit, iu afruam shtratit mortor për ti dhënë lamtumirën e fundit, për ta parë, për ta puthur për të fundit herë atë fytyrë të bukur që edhe pse ishte në ngjyrën e dyllit, na u duk engjëllore, e bukur, ashtu siç kishte qenë gjatë gjithë jetës së saj.
Në shtratin mortor mamaja flinte në gjumin e saj të përjetshëm.
Në duart e kryqëzuara, sipër trupit të saj të pajetë, i dallohej edhe ajo shenjë e shëmtuar në gishtin tregues të dorës së djathtë.
Ia preka duart mamasë! Ia ledhatova ato duar të ftohta, të ngrira, të palëvizshme!
Ato duar, që sa e sa shumë herë ia kisha prekur, ia kisha puthur! Ato duar, që sa e sa shumë herë i kishim ndjerë në trupin tonë, të na preknin në ledhatimet, në përkëdheljet e saja të shoqëruara me fjalët më të ëmbla!
Ato duar të ngrohta, të arta, mjeti më i mirë për të na hequr lodhjen, ilaçi më i mirë për të na shëruar!
E vështrova dhimbshëm për të fundit herë mamanë tonë, të mirën mama dhe, bashkë me dhimbjen e madhe që po ndjeja në ato çaste, shikoja edhe atë shenjë në gishtin e saj tregues.
Ajo shenjë shtrembërim, sikur po ma shtonte edhe më shumë dhimbjen.
Mamaja jonë e bukur, po merrte me vete edhe atë shëmtim në gishtin e saj!

Comment

*