Futsall: Kosova e mposhti edhe Qipron

Nikozi (Qipro), 31 janar 2017 – Përfaqësuesja e Kosovës në futsall e ka shënuar fitoren e dytë në raundin e parë kualifikues për Kampionatin Evropian 2018.

Pas fitores së thellë ndaj Norvegjisë, me rezultat 5 me 1, Kosova ka mposhtur edhe Qipron, me rezultat 3 me 1.

Lojtarët e Kosovës nuk e kanë nisur mirë ndeshjen dhe kanë pësuar gol në minutën e dhjetë të ndeshjes. Por, janë këndellur shpejt dhe që në pjesën e parë kanë shënuar dy gola. Nexhip Selimi dhe Fadil Goli kanë shënuar njëri pas tjetrit për vetëm 50 sekonda, për ta kaluar Kosovën në epërsi.

Fitorja është vulosur në pjesën e dytë, kur Malush Qerimi e ka shënuar golin e tretë për Kosovën.

Kosova udhëheq në Grupin E. Në xhiron e tretë e të fundit, Kosova do të luajë kundër Danimarkës. Asaj i mjafton edhe një barazim për t’u plasuar në fazën e ardhshme.

Ndeshja e fundit e Kosovës zhvillohet të enjten. (r.m.)

Comment

*