Accra (Ghana) , 12 nëntor 2019 – Gana e ka tërhequr njohjen e Kosovës, bëri të ditur ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendi të Afrikës Perëndimore.
“Qeveria e Ganës ka vendosur të tërheqë njohjen e Kosovën si një shtet i pavarur”, i tha agjencisë AFP zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Ganës, Charles Owiredu.
Ai tha se arsyet e tërheqjes së njohjes i janë komunikuar edhe Serbisë.
“Vendimi për njohjen e Kosovës doli të ishte i nxituar”, thuhet në njoftimin e autoriteteve të Ganës.
“Gana e ka marrë parasysh dialogun midis Serbisë dhe Kosovës që synon zgjidhjen e çështjes”, thuhet më tutje në njoftim, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha të hënën se Gana e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Por, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me pretendimet e ministrit serb Daçiq për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gana.
“Metodat e mirënjohura dhe të bazuara në shembuj të tjerë që po i përdorë Daçiq me lobuesit e tij me histori të dyshim kriminale, janë në proporcion të zhdrejtë me politiken paqësore rajonale, paqen dhe harmoninë në mes shteteve”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Në vitin 2018, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja Selma Frences Mancell, e cila është ambasadore jorezidente e Ganës në Kosovë, me seli në Turqi.
Më 23 janar 2012, Gana e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Po atë vit dy vendet kanë vendosur edhe marrëdhënie diplomatike.
(r.m.)