Gandisti i madh Ibrahim Rugova

Anton Çefa

(Me rastin e 75-vjetorit të lindjes)

 

Nga Anton Çefa

Në atë kohë kur në Evropën Lindore, komunizmin nuk e mbanin më këmbët dhe në Berlin po shembej Muri i turpshëm i ndarjes dhe i krimit dhe kur të gjithë popujt e Evropës po synonin të rindërtonin fatet e tyre; kur në Evropë, popuj të ndarë prej vitesh bashkoheshin me vullnetin e tyre dhe popuj të tjerë të bashkuar prej vitesh, ndaheshin po me vullnetin e tyre, kur në Ballkan po luheshin drama tejet tragjike, dhe kur populli shqiptar i Kosovës rrezikohej të humbte si lunatik shansin e vet historik, u shfaq në histori njeriu me idenë e madhe të shpëtimit dhe me një vullnet e këmbëngulje të çuditshme për ta realizuar atë, Ibrahim Rugova. Koha lindi njeriun e saj, Kosova birin e vet, populli i saj shpëtimtarin.
I dobët fizikisht, serioz dhe disi i sertë e me sy gjurmues me reflekse mendimtari, me profilin plot hije e drita të një intelektuali, në gropën e gjoksit të të cilit peshon një dhimbje e rëndë prej plumbi, e cila konkretizohej së jashtmi me një shall rreth qafës-shënjëzimin e robërisë së Kosovës së tij të dashur dhe lakun e mjerimit shekullor të popullit të tij.
Kishte punuar prej vitesh në frontin e letrave, gjithnjë i ndriçuar nga kjo dhimbje; tani i duhej t’i braktiste letrat dhe të hidhej në frontin e veprimit politik. Kosova e tij e shumëvuajtur kishte nevojë për ndriçim dhe drejtim. Ai e kishte ravijëzuar në ndërgjegjen e tij idenë e madhe të ndriçimit dhe drejtimit. Tani e tutje, mbi supet e tij të brishta do të mbante peshën e halleve të një populli, të një shteti që kërkonte të lindte që prej një shekulli. Tani e tutje, ai do ta organizonte popullin e tij dhe do ta drejtonte në rrugën e shpëtimit, duke shpallur dhe mbrojtur para gjithë botës idenë e tij të madhe. Tani e tutje, ai do të bënte luftë në krye të popullit të tij me armët e një shenjti.
Në rrethanat e dhunës më të përgjakshme e më shnjerëzore të armikut shekullor serb, Ai, me një mprehtësi të rrallë mendimi, me një zemër të madhe humane, me një transparencë të ndritur vizioni dhe me predispozitat shpirtërore të përballimit dhe mposhtjes së dhunës me mjete paqësore, orientoi popullin në rrugën e mbrojtjes së ekzistencës nacionale, që armiku synonte ta zhbënte, të ruajtjes së vlerave njerëzore e qytetëruese, që armiku kërkonte t’i zhdukte, në rrugën e ndritur të lirisë, pavarësisë, demokracisë dhe begatisë. Lëvizjes së fuqishme të popullit për liri e pavarësi, ai i dha zemrën dhe mendjen drejtuese – LDK- në, të parën parti demokratike në botën shqiptare dhe me një ndikim të fuqishëm në Ballkan dhe Evropë.
Simbas strategjisë së tij dhe nën drejtimin e tij, mori formë struktura shtetërore e Kosovës së lirë, duke filluar me shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë, në korrik të 1990-ës, me miratimin e Kushtetutës, po në atë vit, me Referendumin Popullor, një vit më vonë dhe me organizimin e zgjedhjeve të para të lira presidenciale dhe parlamentare, në vitin 1992. Kështu, nën dhunën e përgjakshme serbe, lindi shteti i shqiptarëve të Kosovës, një shtet i ri që nuk e kishte dashur kurrë dhe e kishte sakrifikuar bota e madhe. “Shteti paralel” – siç e quajti dikush – erdhi gjithnjë duke u përsosur dhe forcuar.
Me një këmbëngulje të paparë, ai shpalli para mbarë botës: në Washington, në Bruksel, në Londër, në Romë, në New York, në Berlin e kudo, të drejtën dhe vullnetin politik të popullit të tij: “Kosova e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Ai, një figurë minore që nuk e njihte askush, nuk e përfillte askush dhe që shumëkush e kundërshtonte dhe çuditej me të, arriti të njihet e të vlerësohet, të respektohet dhe të dëgjohet, të miratohet dhe të përkrahet nga bota e madhe. Kështu, ai e bëri Kosovën problem të botës së madhe.
Rugova i ofroi Evropës rrugën gandiane të popullit të Kosovës, që do ta çlironte atë dhe do ta bashkonte me Evropën, së cilës i takonte fizikisht dhe shpirtërisht. Kosova, vendi i tij, ishte Dardania ilire e dikurshme me rrënjë të një qytetërimi të lashtë “që qëndron në themelet e civilizimit modern evropian”, siç ia pati kujtuar ai vetë Senatit Evropian. Vërtet, Perandori i Bizantit, Justiniani, i cili i pati dhënë Evropës që në shek. VI ligjët qytetare -“Corpus Juris Civilis”-, që patën shërbyer si bazë e sistemeve ligjore për pjesën më të madhe të shteteve evropiane, qe bir i tokës dardane.
Përmes rezistencës paqësore, përsëri, Dardania e ditëve të sotme po i reflektonte Evropës dritë qytetëruese. Me trupëzimin në praktikë të idesë së tij të madhe, ai po i jepte Evropës çelësin magjik të paqes së Ballkanit, – gadishullit të mbrujtur me barot e gjak, – çelësin e vëllazërimit e të tolerancës së popujve ballkanas, çelësin e stabilitetit dhe të integrimit në Evropën e Bashkuar.
Evropa dhe bota e kuptoi dhe e përkrahu. Dhe kur pushtuesi serb, armiku i përjetshëm i popullit shqiptar, në figurën udhëheqëse të satrapit që dha llogari në gjyqin e Hagës, u lëshua si ulkonja e etur për gjak mbi popullin e pambrojtur, Evropa vendosi ta korregjojë gabimin e vet të dikurshëm dhe, me nxitjen e përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndëshkuan kriminelin. Me sakrifica të mëdha dhe me flijimin e bijve të saj më të mirë që i dolën në mbrojtje me armë në dorë, Kosova fitoi lirinë dhe u fut në rrugën e pavarësisë dhe të demokracisë.
* * *
Ai vdiq, pa e gëzuar shpalljen formale të pavarësisë, së cilës i kushtoi jetën; por mermeri i kujtesës, në të cilin ndërgjegjja popullore gjithshqiptare ka gdhendur madhështinë e tij, është i pavdekshëm. I renditur krah figurave më të larta që ka nxjerrë kombi shqiptar, si Presidenti i parë i Kosovës martire, në shërbim të lirisë dhe pavarësisë të së cilës vuri veten me një përkushtim flijues dhe me zotësi të pashoqe, ai do të jetojë përjetësinë e lavdisë historike.
Rugova nuk qe dhe nuk do të mbetet thjesht vetëm një personalitet shqiptar a ballkanik. Vlerat e tij shtrihen më përtej në Evropë dhe në të gjithë botën, sepse ai, me idetë e praktikën e tij, e sidomos me krijimin e strukturave shtetërore paralele në Kosovë, dha një ndihmesë të re me vlera të veçanta origjinale në luftën paqësore për çlirim dhe të drejta njerëzore të të gjithë popujve të robëruar, ndihmesë që i pasuroi dhe i zhvilloi më tej idetë dhe praktikën e rezistencës paqësore të Gandit , “satyagraha-n” gandiste.

One Response to “Gandisti i madh Ibrahim Rugova”

Read below or add a comment...

  1. Gege Kosova says:

    Mahat Magandi kolonisteve anglez ju bllokonte-mbyllte rruget,nuk ju pergjegjte ne asnje kerkese shteterore,nuk paguante taksa,nuk kryente asnje obligim sherbyes ndaj dhe nga shteti kolonizator, Vetem sa pengonte gjitha format e pengimit fizik,pa mjete dhune veprimtarine e qeveritareve angleze,

Comment

*