GAP: “Kosova e Re” do të rëndojë ekonomitë familjare, bizneset dhe buxhetin

Prishtinë, 15 prill 2018 – Instituti GAP ka prezantuar një pjesë të analizës me titull “Ndikimi i TC ‘Kosova e Re’ në tarifat e energjisë elektrike”.

Agron Demi, analist i politikave në Institutin GAP, , gjatë prezantimit të raportit para gazetarëve, ka shpjeguar se në vitin 2005 Qeveria e Kosovës kishte planifikuar që termocentrali “Kosova C” të kishte kapacitet 2,100 MW, me një kosto prej 3.5 miliardë eurosh, por me ndërrimin e qeverisë, në fund të vitit 2008, u ndryshua edhe projekti i termocentralit të ri, i cili u riemërtua “Kosova e Re”.

“Fillimisht u propozua që termocentrali i ri të ketë kapacitet prej 1000 MW, për t’u ndryshuar më vonë në 600 MW. Në mars 2012 Qeveria e Kosovës dërgoi tek katër kompanitë e parakualifikuara thirrjen finale për ofertim. Nga katër kompanitë e parakualifikuara, më 23 nëntor 2015 u shpall ofertuesi i vetëm – Contour Global. Përkundër asaj se thirrja për ofertim ishte dërguar duke u bazuar në Ligjin për prokurimin publik, i cili parasheh si të suksesshëm një proces tenderues me së paku dy oferta, Qeveria nuk e anuloi procesin përkundër marrjes së vetëm një oferte. Fillimisht Qeveria u arsyetua se procesi është shpallur dhe menaxhuar duke u bazuar në rregullat e Bankës Botërore, më vonë ky arsyetim u ndryshua duke thënë se është projekt i partneritetit publiko-privat. Duke filluar nga 2018, do të filloj faza e prokurimit për zgjedhjen e ndërtuesit të termocentralit ‘Kosova e Re’, për tu finalizuar gjatë 2019 pjesa financiare dhe data e transferit të lokacionit. Më 2019 do të filloj edhe ndërtimi i termocentralit, i cili do të përfundohet dhe filloj prodhimin në vitin 2023”, ka thënë ai.

Demi ka thënë se ndërtimi i “Kosovës së Re” do të ketë ndikim të madh në ekonominsë e vendit, në buxhetin e shtetit, në ambientin dhe në shëndetin e qytetarëve, etj.

Por, ai ka treguar se në këtë raport të Institutit GAP është analizuar vetëm ndikimin që do të ketë ndërtimi i termocentralit të ri në tarifat e energjisë, duke u bazuar në marrëveshjen e nënshkruar mes Qeverisë dhe Kompanisë “Global Contour”.

Blend Hyseni, hulumtues në Institutin GAP, ka treguar se për të paraqitur ndikimin e kostos së termocentralit “Kosova e Re” në çmimet e energjisë elektrike me shumicë si dhe tarifat e konsumatorëve fundorë janë marrë  për bazë të dhënat e publikuara në Kontratë, si edhe të dhënat e tregut të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

“Pasi që raporti financiar i kontratës nuk është finalizuar ende, kalkulimi i saktë i çmimit të energjisë elektrike me hyrjen në operim të TC ‘Kosova e Re’ është i vështirë. Megjithatë, duke marrë parasysh disa parametra të ofruara në kontratë, ndryshimet e mundshme në raportin financiar nuk do të kenë ndikim të madh në çmimin e energjisë elektrike”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, me ndërtimin e TC “Kosova e Re” çmimi i cili do të paguhet nga konsumatorët fundorë do të ketë një ngitje kumulative prej 44 për qind në krahasim me çmimin aktual. Ndërkaqë, çmimi mesatar me shumicë do të rritet në rreth 61.4€/MWh apo rreth 86% rritje kumulative në krahasim me çmimin aktual.

“Modeli i paraqitjes së rritjes së çmimeve të energjisë elektrike për vitet 2018 – 2026 është tejet konservativ ngase nuk merr për bazë investimet tjera që do të bëhen në tregun e energjisë, siç janë dekomisionimi i TC Kosova A, investimet në TC Kosova B prej afër 300 milionë eurove dhe investimeve tjera në mihje të cilat detyrimisht do të reflektohen në tarifa. Prandaj, uljet eventuale të çmimit të synuar prej 80€\MWh nuk do të rezultojnë në tarifa më të ulëta sesa ato që janë paraqitur në këtë analizë”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, grupet më të goditura nga rritja e çmimit të energjisë do të jenë familjet që jetojnë nën kufirin e varfërisë.

“Sipas raportit të vitit 2015 mbi varfërinë në konsum në Kosovë, janë 50,000 familje të cilat nuk marrin ndonjë ndihmë shtetërore. Nëse bazohemi në të dhënat e prezantuara nga ZRRE rreth shumës së faturuar nga KEDS për amvisëritë, çmimin mesatar aktual të energjisë elektrike dhe numrin e konsumatorëve aktivë, del se fatura mujore e energjisë së këtyre qytetarëve do të jetë mbi 18% (40 Euro) e të ardhurave mujore të tërë familjes”, ka thënë Hyseni.

Ai ko folur edhe për ndikimet që do të kenë tarofat e reja te konsumatorët industrialë.

‘Nga investitorët e mëdhenj të huaj në Kosovë, njëherësh konsumatorë industrialë, ‘Ferronikeli’ dhe ‘Sharrcemi’ varen në masë të madhe nga çmimi i energjisë elektrike. Konkretisht, ato konsumojnë së bashku mbi 12% të energjisë së prodhuar në vend dhe furnizohen direkt nga rrjeti i transmisionit. Çmimi me të cilin janë furnizuar këto dy ndërmarrje ndër vite nuk ka kaluar vlerën prej 50 Eurosh për MWh, vlerë kjo më e ulët se ajo për shitjen e energjisë elektrike me pakicë tek konsumatorët dhe bizneset e vogla. Por, në rast të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’, vetëm ngarkesa për kapacitete, 60 Euro për MËh, do të jetë më e lartë se tërë çmimi i furnizimit te Sharrcemit dhe Ferronikelit aktualisht”, ka shpjeguar ai.

“Në këto kushte, thuajse do të jetë i pamundur vazhdimi i operimit të dy konsumatorëve industrialë, ‘Ferronikeli’ dhe ‘Sharrcem’”, ka theksuar ai.

Hyseni ka theksuar gjithashtu se, bazuar në të gjeturat e Institutit GAP, “termocentrali i ri do të rëndojë tej mase buxhetin e ekonomive familjare, do të rrisë koston operative të bizneseve dhe do të ketë ndikim negativ në buxhetin e Kosovës”.

Në fund të prezantimit, Agron Demi, ka thënë se në interpelancën për kontratën e “Kosovës së Re”, e cila do të zhvillohet të seancën e Kuvendit të Kosovës, të thirrur për të hënën, më 16 prill 2018, do të duhet t’i kërkohej ZRRE-së një raport zyrtar për impaktin që do të ketë ndërtimi i këtij termoventrali në tarifat e energjisë.

Analizën e plotë mund ta gjeni Këtu.

(r.m.)

Comment

*