GAP: Nga Ligji për Faljen e Borxheve përfituan të pasurit

Prishtinë, 28 shkurt 2018 – Instituti GAP ka mbajtur tryezë, ku është prezantuar edhe analiza “Efektet e Ligjit për faljen e borxheve”.

Berat Thaqi, analist i politikave në Institutin GAP, ka thënë se Ligji për Faljen e Borxheve ishte miratuar si instrument fiskal, me anë të të cilit Qeveria shpresonte të shlyeheshin borxhet e qytetarëve dhe bizneseve dhe të stimuloheshin konsumatorët të paguanin me rregull detyrimet ndaj shtetit.

Ai ka thënë se Ligji për Faljen e Borxheve më shumë i ngjan një lehtësimi administrativ për institucionet se sa faljes ligjore të borxheve, me që borxhet ishin parashkruar apo vjetërsuar dhe për to nuk mund të ngrihej padi.

Ai ka treguar se ndryshe nga Kosova, Maqedonia dhe Kroacia kanë miratuar nisma ligjore për faljen e borxheve të familjeve në asistencë sociale dhe pa kushtëzime.

Nora Jusufi, hulumtuese në Institutin GAP, ka thënë se procesi i faljes së borxheve në Kosovë nuk ka qenë transparent dhe nuk është raportuar saktë.

“Komisioni për mbikëqyrjen e faljes së borxheve në Ministrinë e Financave nuk ka arritur të sigurojë raporte nga të gjitha ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore dhe të dhënat për faljen e borxheve nuk kanë qenë të qasshme për publikun. Megjithatë, sipas të dhënave të mbledhura nga Instituti GAP nga dhjetë ndërmarrje publike dhe dy institucione shtetërore, janë falur rreth 56% e borxhit të mbledhur deri në fund të vitit 2008. Ndërkaq, për periudhën 2009-2014, janë shlyer 30% e borxheve”, ka thënë Jusufi.

Sipas saj, përfituesit më të mëdhenj të ligjit ishin qytetarët me të hyra të larta mujore.

Ajo ka thënë se Ligji është vlerësuar si pjesërisht i suksesshëm, për shkak të gjendjes së dobët ekonomike të qytetarëve dhe mungesës së efikasitetit të gjyqësorit.

Kjo analizë i rekomandon Ministrisë së Financave që të publikojë të dhënat e detajuara për faljen e borxheve, ndërsa Qeverisë së Kosovës i rëkomandon që me automatizëm t’u falen borxhet familjeve që gjenden në skemën e asistencës sociale deri në vitin 2008. Ndërkaq, Zyrës Kombëtare të Auditimit i sugjeron ta bëjë auditimin e rregullsisë së procesit të faljes dhe shlyerjes së borxheve.

Fatmir Gashi, zëvendësministër i Financave, është pajtuar me të gjeturat e Institutit GAP dhe ka pranuar se ministria nuk i ka ende shofrat përfundimtare të këtij procesi. Ai ka theksuar se ky ligj ka ndihmuar të falen borxhet deri në 2008, kur kanë qenë në fuqi rregulloret e UNMIK-ut.

Ai ka thënë se është shqetësues trendi i pagesës së borxheve pas faljes së borxheve dhe ka treguar se në vitet 2016 dhe 2017 janë rritur borxhet ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

Gashi ka theksuar se më nuk do të ketë falje të borxheve dhe se ministria do ta publikojë listën e bizneseve që nuk paguajnë tatim.

Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm, ka deklaruar se rekomandimi i Institutit GAP për auditimin e performancës së Ligjit për Faljen e Borxheve do të përfshihet në planin e punës së këtij institucioni për vitin 2018/2019.

Sipas Osmanit, menaxhimi i ligjit ka qenë i paqëndrueshëm, kurse dështimi kryesor ka qenë moszbatimi i nenit 5 të ligjit që kërkon nga të gjitha ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore që të hartojnë listat e personave që do të mund të përfitonin nga ky ligj.

Sipas tij, vetëm Aadministrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës i kanë përpiluar listat e tyre.

Raif Preteni, drejtor i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, ka thënë se niveli i performancës në këtë sektor gjatë viteve 2015 dhe 2016 është rritur, nëse merret parasysh rritja e shkallës së inkasimit që është shënuar me zbatimin e Ligjit për Faljen e Borxheve.

Sipas tij, rritja më e madhe e shkallës së inkasimit të borgjeve është shënuar gjatë këtyre dy viteve, kur ajo ka arritur 74% përkatësisht në 86%.

Në tryezë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ndërmarrjeve publike, të komunave dhe të institucione tjera publike. (r.m.)

Comment

*