GAP: Termocentrali “Kosova e Re” – i dëmshëm për buxhetin e Kosovës

Prishtinë, 3 mars 2019 – Ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ do të bllokojë energjinë elektrike të Kosovës nga tregu evropian dhe përkundër efektit dëmtues mbi konkurrencën ky termocentral shkel edhe të drejtën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kështu thuhet në raportin “Ndikimi i ndihmës shtetërore në tregun e energjisë elektrike në Ballkan” i prezantuar nga Instituti GAP në bashkëpunim me Institutin e Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

Drejtori ekzekutiv i Ballkan Green Foundation, Visar Azemi, tha se në Kosovë gjatë vitit 2017 janë dhënë 114 milionë euro për energjinë dhe minierat.

“Në Ballkan janë dhënë 1.2 miliard euro në sektorin e energjisë dhe miniera nga ndihma shtetërore ndërsa vetëm në Kosovë në vitin 2017 janë 114 milionë euro që është shifër shumë e madhe duke pas parasysh nevojat tjera që i kemi në Kosovë ku ndihma do të kishte qarkulluar në mënyra të ndryshme”, tha Azemi.

Ndërsa, Nora Latifi- Jashari nga Instituti GAP tha se ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ konsiderohet një dëm për buxhetin e Kosovës.

“Projketet e energjisë janë të shtrenjta dhe terheqja e investitoreve në këto projekte po krijon shumë vështirësi”, tha ajo.

Blendi Hasaj, gjatë prezantimit u shpreh se sipas vlerësimit preliminar të Sektoratit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE), termocentrali Kosova e Re është në kundërshtim me ligjet evropiane dhe ndihmën shtetërore.

“Një shembull ku Traktati i Komunitetit të Energjisë (TKE) bashkë me institucionet e BE-së nuk kanë arritur të jenë efektiv në parandalimin e një projekti të Ndihmës Shtetërore është ai i Kosovës. Në maj të vitit 2017, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë kompletoi dhe miratoi tërë kornizën rregullative e cila është në pajtim me kërkesat e Pakos së Tretë të Energjisë te BE-së. Megjithatë, në vitin 2017, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar Marrëveshje për Blerje të Energjisë (MBE) me Coutour-Global, për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re me kapacitet neto prej 450MW. Më ketë MBE, qeveria mori përsipër obligimin për të paguar ngarkesën për kapacitet dhe blerë energjinë elektrike të gjeneruar në një periudhë 20 vjeçare”, tha ai.

Sipas tij, nëse projekti për këtë termocentral miratohet, Kosova rrezikon t’i pezullohet e drejta e votës në Këshillin e Ministrave të Sektoratit  të TKE, ta dëmtojë vetën në procesin e bashkimit në BE.

Petrit Pepaj, drejtor menaxhues në Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, tha se Kosova ka një treg të brendshëm që ka monopolin e vet.

“Që nga 2005 ka pas dinamikë të punës dhe pakënaqësi, ne jemi me kapacitete të njëjta të burimeve elektrike. Kemi ardhur në një moment ku kemi prit 14 vjet, jemi në të njëjtën situat, a duhet të ketë kapacitete të reja që të mos ketë reduktime. Bizneset dhe familjët kanë pësuar humbje për shkak të mungesës së kapaciteteve. Institucionet e vendit kanë përgjegjësi për këtë”, tha Pepaj.

Në anën tjetër ai shtoi se ‘Kosova A’ duhet të mbyllet ose e njëjta të zëvendësohet me kapacitet të njejtë osë më të mëdha.

“Kosova A duhet me u mbyllë dhe ka qenë në plan me u mbyllë në 2017. Dëmet që na shkaktohen janë të njohura dhe të elaborume në shumë projekte. Rritja di të jetë e pashmangshme 35 euro që bëhet nga gjeneruesit ekzistues dhe asetet janë të zhvlerësuara dhe kanë vlerë 0, rritja mund të jetë në 50 më e lartë në vitin 2021”, u shpreh ai.

(Kallxo.com)

Comment

*