Gashi: “Vendimi i Kushtetueses ishte i pritshëm“

Prishtinë, 28 maj 2020 – Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e shpall kushtetues dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit të kryeministër të ardhshëm ka qenë i pritshëm.

“Vendimi ishte i pritshëm, sepse ka qenë e qartë kur është shkruar Kushtetuta. Ka qenë e qartë kur është interpretuar kjo çështje në vitin 2014 dhe qëndrimi që ne bashkarisht kemi mbajtur me Vetëvendosjen dhe partitë e tjera në atë kohë të opozitës dhe është i qartë edhe sot“, ka thënë Gashi për televizionin “Klan Kosova“.

“Vullneti i popullit deklarohet në Kuvend dhe Kuvendi përmes vullnetit të popullit vendos për institucionet e tjera”, ka theksuar ai.

Gashi ka thënë se beson që seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për votimin e Qeverisë “Hoti“ do të mbahet para ditës së hënë.

“Pasi vendimi është nxjerrë në orët e vona, ne akoma nuk jemi konsultuar, por besoj se nesër në mëngjes do të konsultohemi. Procedura është shumë e thjeshtë. Duhet vetëm një letër për Kryetaren e Kuvendit nga unë, si Kryetar i Grupit Parlamentar, ku caktojmë ditën dhe orën kur mbahet seanca, derisa të tjerat janë të përfunduara”, është shprehur ai.

Gashi është shprehur i bindur se LDK-ja i ka siguruar votat e nevojshme të Kuvendit për votimin e qeverisë së re.

“Unë e kam dorëzuar në Zyrën e Parashtresave të Kuvendit kërkesën për seancë me 61 nënshkrime dhe kjo çështja e votave nuk besoj se është më çështje diskutimi. Për formimin e qeverisë duhen të paktën 61 deputetë dhe unë minimumin e nevojshëm për formimin e qeverisë tashmë e kam dorëzuar”, ka thënë ai.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së ka shprehur bindjen se Lëvizja Vetëvendosje do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vetëvendosja e ka përkrahur këtë opsion kushtetues për Kosovën në vitet 2014 dhe 2017. Besoj se shumë shpejt do ta kalojnë dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, siç kemi bashkëpunuar në pushtet dhe në opozitë. Lufta politike është e tillë”, është shprehur ai. (r.m.)

Comment

*