Gazetari gjerman evokon kujtime për tmerret e luftës në Kosovë

Prishtinë, 2 maj 2019 – Gazetari gjerman Elias Bierdel mbajti sot një ligjëratë para studentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Filologjisë të universitetit të Prishtinës. Bierdel, që për shumë vite ka punuar për radion publike të Gjermanisë, ARD, ndau e të pranishmit përvojat e tij nga raportimet prej Kosove në vitet 90’të.

Bierdel ka qenë një ndgazetarët e rrallë të huaj që ka qëndruar në Prishtinë edhe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s. Ai kishte raportuar deri në momentin kur mediumi për të cilin punonte e kishte urdhëruar që ta lëshonte Kosovën.

Bierdel tregoi se udhëtimin e parë në Kosovë e kishte bërë në vitin 1996, pasi kishte biseduar me një shqiptar në Gjermani, i cli ia kishte shpjeguar gjendjen e rëndë në Kosovë.

Bierdel tha se kishte dyshimet e veta për tregimin e shqiptarit nga Kosova, pasi në atë kohë nuk besonte se mund të ndodhte diçka e tillë në zemër të Evropës. Mirëpo, ai kishte mbetur i habitur kur kishye ardhur në Kosovë dhe e kishte vërtetuar se gjendja ishte edhe më e rënde se sa ia kishte përshkruar miku i tij shqiptar.

Me t’u kthyer në Gjermani ai kishte realizuar një reportazh për gjendjen në Kosovë, për radion gjermane “Deutschlandfunk”, të cilin e kishte titulluar “Aparthejdi në zemër të Evropës”, mirëpo redaktorëve u ishte dukur shumë i rëndë ky titull dhe e kishin riemëruar në “Përditshmëria në Kosovë”.

Sot, para auditorit në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë u dha reportazhi i plotë, ku dokumentohej represioni që ushtronte në Kosovë regjimi i Serbisë.

Pas kësaj, Elias Bierdel ishte kthyer edhe shumë herë në Kosovë, si korrespondent i Radios Publike ARD, dhe, siç e dëshmon edhe vetë, ka qenë prej gazetarëve të rrallë të medieve gjermane që ka shkuar në terren dhe ka vërtetuar nga dora e parë krimet që bëheshin nga forcat serbe në gjithë Kosovën.

Ai tregoi se kur kthehej nga terreni në Prishtinë kërkonte sqarime nga Ministria e atëhershme e Informatave e regjimit të Millosheviqit se përse po granatoheshin fshatrat dhe përse po përdoreshin tanket, ndërsa nga zyrtarët serbë e kishte marrë përgjigjen se ushtria po bënte manovra dhe se ishte e kuptueshme që ata duhet ta përdornin diku edhe municionin.

Bierdel kishte insistuar të qëndronte në Kosovë edhe pas fillimit të bombardimeve ndaj caqeve serbe. Ai ishte strehuar në një familje shqiptare në Taslixhe, prej ku, edhe me ndihmën e familjarëve shqiptarë, mundohej të konfirmonte lajmet për ngjarjet dhe të përgatiste kronikat e tij për edicionet e ARD-së.

Specifikisht, Bierdel foli për rastin e vrasjes së avokatit të shquar,Bajram Kelmendi dhe të dy bijve të tij, e cila kishte ndodhur në ditën e parë të bombardimeve.

Ai foli për urrejtjen e madhe të forcave serbe të cilat kishin shfryrë mllefin e tyre me më shumë se njëqind plumba në trupat e viktimave, si dëshmi që nuk e kishin qëllim vetëm t’i privonin nga jeta, por edhe të shfrynin egërsinë e tyre.

Të brengosur për sigurinë e gazetarit të saj, Radio ARD e kishte urdhëruar Bierdelin të largohej nga Kosova. Ai kishte pranuar të largohej nga Kosova, vetëm pasi ARD-ja i kishte thënë se nuk do t’ia transmetonte më kronikat dhe kur ishte koshient se po e rrezikonte edhe familjen shqiptare te e cila banonte.

Ai kishte marrë rrugën drejt Maqedonisë, i kamufluar si punëtor humanitar. Në Ferizaj ai ishte arrestuar nga forcat serbe dhe ishte keqtrajtuar nga ushtria dhe policia serbe, për të cilat tha se ishin nën të njëjtën komandë qendrore. Aty ai kishte parë qindra shqiptarë të keqtrajtuar dhe të ngujuar në ndërtesën e policisë. Pas një alarmi për bombardime të NATO-s, ai ishte evakuuar nga ndërtesa, ndërsa shqiptarët ishin urdhëruar të shkonin në bodrumin e saj, në mënyrë që edhe po të bombardohej ndërtesa shqiptarët të cilësoheshin si viktima të NATO-s.

Bierdel kishte arritur të kalonte në Maqedoni prej nga kishte raportuar deri në ditën e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Ai ishte ndër gazetarët e parë që kishin hyrë në Prishtinë, më 12 qershor 1999.

Bierdel tregoi se kishte vazhduar të raportonte për tmerret e luftës në Kosovë – për vrasjet, për shkatërrimet e shtëpive dhe të pasurisë.

Ai tha se personalisht është kundër zgjidhjes së konflikteve me luftë, por theksoi se në rastin e Kosovës kjo ishte krejt e pamundur. Ai tha se politika paqësore e Ibrahim Rugovës nuk ishte përkrahur sa duhet nga bashkësia ndërkombëtare, kurse forcat serbe duhet të ndaleshin me forrcë për të mos e zhdukur një popull të tërë.

Përvoja e Kosovës dhe takimet me refugjatë e kishin bërë Elias Bierdelin të merrej më shumë me ndihmë ndaj njerëzve në nevojë se sa të raportonte për mjerimin e tyre.

Më vonë, Bierdel e la gazetarinë për t’u bërë udhëheqës i organizatës humanitare “Kap Anamur”.

Sot ai merret me të drejtat e refugjatëve dhe me integrimin e tyre në shoqëri.

(RTK)

Comment

*