Gazetari Nebi Qena u pengua të mbulonte takimin Netanyahu – Princi William për shkak se është musliman

Gazetarit të agjencisë prestigjioze të lajmeve, Associated Press,kosovar, Nebi Qena, të martën i është ndaluar ta përcjellë vizitën e princit William të Britanisë në rezidencën zyrtare të kryeministrit të Izraelit, pasi agjentët izraelitë të sigurisë e kanë pyetur për fenë dhe për origjinën etnike të tij.

Qena, kryeproducent televiziv i AP-së për territorin e Izraelit dhe të Palestinës, është ndaluar në hyrje të rezidencës së Benjamin Netanyahut për 45 minuta, prandaj ai nuk ka arritur ta përcjellë ngjarjen, ndërsa gazetarët e tjerë janë lejuar të hyjnë.

Zyra e Netanyahut ka kërkuar falje më vonë, duke thënë se gjithçka ka qenë “gabim njerëzor”, transmeton Gazeta Express.

Qena, shqiptar, i lindur në Kosovë, ka edhe pasaportë të Shqipërisë. Ai punon në AP që 10 vjet, ndërsa tri vite i ka kaluar në Jerusalem.

Ai ka thënë se është pyetur vazhdimisht nga rojat e sigurisë për “origjinën etnike” të tij.

Kolegët e tij nga AP që ishin në vend të ngjarjes, por edhe ata në redaksinë e agjencisë në Jerusalem, janë pyetur nga ndihmësit e Netanyahut për fenë e Qenës, dhe nëse ai është musliman, ndërsa ata janë munduar t’ia sigurojnë hyrjen në rezidencën e kryeministrit izraelit.

Qena ishte akredituar për ta përcjellë ngjarjen dhe ishte siguruar se do t’i lejohej hyrja. Ishte  paraparë që AP ta xhironte ngjarjen për shërbime të mediave ndërkombëtare.

“Associated Press e dënon këtë verifikim ashiqare etnik dhe fetar të një gazetari të AP’së dhe i bën thirrje zyrës së kryeministrit që të ndërpresë menjëherë këto praktika të anshme”, ka thënë Lauren Easton, drejtore për marrëdhënie me media të AP-së.

Mediat ndërkombëtare edhe në të kaluarën janë ballafaquar me probleme të ngjashme me sigurimin izraelit, për shkak të verifikimit etnik.

Zyra e Netanyahut ka thënë se incidenti me Qenën është shkaktuar nga një “gabim njerëzor”. Ajo ka paralajmëruar se rasti “do të hetohet dhe do të ndërmerren menjëherë ndryshime të nevojshme”. /Express/

Comment

*