Gazetari Uran Krasniqi u tregon brazilianëve epërsinë e ekipit fantastik futbollistik të shqiptarëve verilindorë

Një intervistë për Kosovën e futbollit me gazetën nga Brazili “Estadão”, një media e madhe në Brazil, me miliona ndjekës.

“Me rekomandimin tim gazeta u është drejtuar edhe kryetarit të Federatës, Agim Ademi, dhe futbollistit brazialin të Feronikelit, Jean Carioca, kontaktimin e të cilëve e kam lehtësuar”-shkruan në fb gazetari Uran Krasniqi nga krahina e madhe vendimmarrëse e Shqipërisë verilindore në shtetformim e sipër Kosova.
Krasniqi thekson se paraqitjet e tij nuk janë konvencionale futbollistike, por se “më pëlqen që të flasë duke gërshtetuar edhe historinë, politikën e kujtimet personale”.

Me lejen e Krasniqit publikohet biseda e tij me gazetën braziliane.

“Para publikut brazilian ishte e nevojshme të përmendej kolonializmi, një koncept i njohur për atë pjesë të botës, si dhe të shprehë habinë për mosnjohjen e Kosovës”-vijon ai.

– Sa popullor është futbolli në Kosovë?

Futbolli në Kosovë ka qenë gjithmonë popullor, por mundësitë për zhvillimin e tij kanë qenë të kufizuara. Kosova është përballur me kolonializmin serb për njëqind vjet dhe zhvillimi i futbollit nuk ka qenë në agjendën tonë. Por edhe pse nuk kishim një skuadër më parë, shumë lojtarë të Kosovës kanë luajtur në Evropë. Riza Lushta dhe Naim Kryeziu, të cilët janë nga Kosova, kanë luajtur në Serinë A gjatë viteve 30-40. Dhe në ditët e sotme lojtarët e mirënjohur të Kosovës janë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami. Futbolli në Kosovë sot po zhvillohet edhe pse klubet tona nuk janë ende në nivelin e kombëtares sonë.

– Sa është i popullarizuar futbolli brazilain në vend?

Futbolli brazilian është shumë i njohur në Kosovë. Fëmijët tanë sot mbajnë fanellat e Neymar dhe Coutinho, por vite më parë ata kanë veshur fanellat e Ronaldos dhe Ronaldinhos. Në kohën kur fillova të shikoj futboll më 1994, Brazili kishte arritur në finalen e Kupës së Botës dhe madje kishte fituar kampionatin. Ndeshjet u mbajtën sipas kohës amerikane kur ishte natë në Kosovë, por dëshira për të parë Romarion, Bebetot dhe Cafun ishte më e madhe se nevoja për gjumë. Kështu që Kosova e njeh mirë Brazilin. Kosova quhet Brazili Ballkanik. Por në Kosovë njerëzit janë të befasuar nga një fakt: pse Brazili nuk e njeh Kosovën? Nuk e njeh atë si një shtet të pavarur dhe as për futboll.

– Cilat janë pikat e forta të këtij ekipi?

Filozofia e skuadrës së Kosovës është loja sulmuese. Edhe kur rezultati është i pafavorshëm, Kosova nuk e ndal sulmin. Unë mendoj se kjo është pika më e fortë e ekipit.

– Cila është ndjenja kombëtare para play off-it?

Para play-off ekipi ka shumë mbështetje. Ne mezi presim marsin e vitit 2020.

– Si ishte e mundur për të krijuar një skuadër të fortë në një vend ku kombëtarja filloi të luante rregullisht vetëm disa vjet më parë?

Diaspora e Kosovës është shumë e fuqishme. Shumë futbollistë që kanë lindur në vendet e zhvilluara të Perëndimit treguan gatishmërinë e tyre për të përfaqësuar Kosovën.

– A mendoni se futbolli mund të konsiderohet një mënyrë për të ndihmuar vendin të njihet më shumë?

Po futbolli mund ta bëjë vendin tonë më të famshëm. Kroacia dikur ishte një vend jo shumë i njohur, por pasi arriti në finalen e Kupës së Botës, të gjithë po flisnin për Kroacinë.

– A është përballur kohët e fundit kombëtarja me ndonjë sjellje mosrespektimi nga një ekip tjetër?

Zakonisht pritet të ndodhë kur Kosova të takohet me vendet që kanë miqësi me Serbinë. Hera e fundit ishte kur Kosova luajti me Çekinë. Ata shfaqën pankarta “Kosova është Serbi”.

Absurde, sepse mbi 90 përqind e qytetarëve të Kosovës nuk janë serbë.

– Si do të ishte mjedisi në vend nëse do të kishte një ndeshje kundër Serbisë ose ndonjë ish-Jugosllavi tjetër?

Kosova është e gatshme të luajë kundër Serbisë, por UEFA ka parandaluar një përballje të tillë në ndeshjet kualifikuese, si dhe në fazën grupore të Kampionatit Evropian. Por nëse skuadrat përparojnë në çerekfinale, atëherë ndeshja nuk mund të shmanget. Kështu që një ditë Kosova dhe Serbia mund të luajnë.

UEFA gjithashtu ka parandaluar një ndeshje mes Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës. Kjo është për shkak të Republikës Srpska, e cila është pjesë e shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës.

Kosova nuk ka probleme me ish republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Kohët e fundit Kosova ka luajtur me Malin e Zi dhe pritet të luajë me Maqedoninë Veriore.

Comment

*