Gënjeshtrat greke vazhdojnë për të mbuluar genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë

Sali Bollati – 28 nentor

Nga Sali Bollati

 

Si një ndër mbijetuesit e masakrave të shovinistave grekë; megjithëse sot mbi 80 vjeçar; nuk mund të harroj tmerret e masakrave, mbajtjes në burg ose më saktë ne Kampin e Përqëndrimit dhe shpërnguljen me dhunë nga 27 Qershori deri më Dhjetor 1944.

Ishim ne Shqiptarët Autoktone që jetonim prej mijëra vjetësh në shtëpijat dhe tokat tona.

Ishim ne SHQIPTARET e ÇAMËRISË që simbas Naimit të Madh flisnim

“Me këto milera fjalë e me Gluhë Perëndie GLUHËN e EMBËL TË PERËNDISË-SHQIPEN!!

Ndërsa Theofan Noli shkruan:

NË do BESË e BUJARI, ÇAP NË ÇAMËRI!!

Pra sapo kisha mbushur 7 vjeç, Zervistat, bashkëpuntorë te Nazi stave gjermane, duke filluar me 27 Qershor e deri ne Dhjetor 1944 filluan Genocidin mbi Shqiptarët Etnike,duke masakruar e vrare mbi 600 njeres te pafajshem ne Paramithi ose mbi 2700 ne gjithe Çamerine dhe shperngulur me dhume mbi 30.000 per ne Shqiperi.

Midis tyre më masakruan e më vranë Gjyshin Muharem 82 vjeçar,mbasi e kishin tërhequr zvarrë në shkallët e gurta,në fund të oborrit të shtëpise. Babain Ibrahim 52 vjeçar e rrëmbyen zbathur dhe e masakruan dhe e vranë tek shkolla, Nanen Betulla 36 vjeçare mbasi e rrëmbyen nga krahët tona, e masakruan dhe e vranë mbrenda Xhamisë se Bollatatëve, Vëllain, Ferhatin 13 vjeçar e pushkatuan rrugës ku po shkone tek Halla Shazije.Ndërsa në burgun ose më qartë në Kampin e Përqëndrimit,po në Paramithi, vdiqën nga sëmundjet dhe uria Gjyshja Ruhije 72 vjeçare dhe motra e vogel Makbule 2 vjeçe. ndërsa vëllai 5 vjeç Faruku vdiq, duke hecur në Dhjetorin e ftohtë nga uria kur sapo arritëm në Dukat të Vlores.

Poeti atdhetar Gjergj Komnino , ja si përshkruan më 1945, Genocidin ose më mirë Holokaustin që kryen shovinistat grekë ndaj Shqiptarëve në Paramithi e në gjithë Çamërinë, te publikuar në “Zëri I Çamërisë “ 22 gusht 1945.Shkruar për masakrat çnjerëzore të kryera nga bandat greke të gjeneralit famëkeq Zerva mbi popullësinë e pa fajshme të Paramithisë më 27,28 e 29 Qershor 1944.

 

PARAMITHI, PARAMITHI!

Paramithi, Paramithi

O pellg me gjak,

O vënd fatzi,

Aty ku hyn fashisti grek,

Ku hapen varre me hendek,

Ku çdo hendek është një varr,

Për çdo Çam për çdo Shqiptar,

Ku një zervist, nazist-gjerman,

Një katil, një shpirt katran

Po bën batërdi,

Jo s’është grek

As palikar

Për trimëri,

Po një kusar

Një mercenar

Një faqezi.

Është turp I tokës ku u le,

Një I pabesë, një I pafe,

O dorë mizore me çfarë mënxyre

Lakmitë gjaksore t’u ngosën?

Ku janë kufomat të bëra vandak

Të shtrira përdhe pa faj pa gjak,

Ku vallë u groposën?

Paramithi, qivur I mjerë

Ku janë gjashtëqind të nderë me pabesi?

Me gjuhë të kafshuar kërkon të të flasim?

Me fyt të këputur kërkon të bërtasim?

Pa këmbë, pa duar kërkon të lëvizim?

Oh! Ç’farë të padisim?

Dy zgavrat-kokalla ti njomim me lotë?

Kurrë!!

Se ç’vepër të ndotë, se ç’farë torture

Askush s’mund ta thotë.

Shiko kufomat,si qiellin munxosin,

Shiko zervistat, si po na çfarosin

Në befasi!!

Ah! Hesht hipokrit, ç’bën sikur s’sheh

Kur klithma e jonë u ngjit gjer në re

O mershë e fëlliqur në botën e re,

Këlysh I zervës sulet mbi ne,

Si qen I tërbuar dhe s’ka kush e ndal,

Dhe s’ka kush e vret,

U ngjall prapë fantazëm e skelet!

O Çam Martir

O grek I lirë,

Ngrehu dhe zhduki këta vampirë me furri!

Lufto për jetë, lufto për Atdhe,

Ballkan I Ri të jetë për ne,

Një çerdhe e dashur për Paqe edhe Liri!

Paramithi, Paramithi edhe tani

Po shoh kukudhin si po ha

Eshtra dhe gjak nga im vëlla!!

Nga Gjergj Komnino, e publikuar në “Zëri I Çamërisë “ 22 gusht 1945..

 

Në gjithë Çamërinë mbas masakrave të tmershme u vranë dhe pushkatuan mbi 2900 njerëz të pafajshëm,kryesisht fëmijë e pleqë, ndërsa rrugës së dimrit për në Shqiperine Nënë vdiqën edhe mbi 2000 të tjerë, këta varrosur në Plloçë.

Pra nga rreth 30.000 njerëz, mbi 5.000 humbën jetën ose mbi 12% e popullësisë Çame

Kohët e fundit në atë vënd që partizanët na mirëpritën dhe na hypën në makinë, është ngritur një permendore si falenderim për mikëpritjen e Çamëve nga bashkeatdhetaret tane ne Dukat te Vlores).

Në Dokumentat e Departamentit të Shtetit të SHBA-së me nr.84/3 të Misionit Amerikan në Tiranë 1945-1946, shkruhet:

“Simbas informacioneve që kam mundur të mbledh në lidhje me Çështjen Çame, më 1944 dhe deri në muajt e parë të vitit 1945; autoritetet në Greqinë veriperëndimore kryen masakra të tmershme dhe dëbuan me dhunë 25.000 çamë, banorë të Çamërisë nga shtëpijat e tyre, ku ata kishin jetuar në shekuj dhe I hodhën ata matanë kufirit, mbas u kishin rrëmbyer tokat dhe pasuritë e tyre. Shumica e 2900 të vrarëve ishin fëmijë sepse ata dhe pleqtë përbënin shumicën e refugjatevë”

Por, qëllimet e vërteta të shovinizmit grek për pastrimin e Çamërisë nga Shqiptarët autoktone, shprehen qartë në një letër që udhëheqësi I masakrave gjenerali famëkeq grek N.Zerva I shkruan më 1956, një miku dhe ish bashkepuntori të tijë në masakrat:

“I dashur Koco Dani, Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin e atdheut nga çamët musulmanë, të cilët qëndruan 500 vjetë mbi qafë të helenizmoit, duke ja bërë të mundur malësorëve të zbresin në fushat pjellore e ti gëzojnë ato. Për këtë ta ndjejmë vehten krenarë

“Vdes i qetë se bëra ate që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha; ulurima fëmijësh, nuse dhe gra nudo, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë… burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helenë !”.

(S.Muselimi-Istoriko peripato ana tis Thesprotias”).

Kështu u vu në zbatim spastrimi etnik I Çamërisë Shqiptare me qëllim për të ngjallur pretendimet shoviniste mesjetare për të ashtuquajtur fantazëm vorioepir. Që sot shovinistat grekë me në krye Janullatosin, nën heshtjen e qeverive dhe politikanëve pa dinjitet të Tiranës, po përdorin të gjitha metodat bizantine për greqizimin e pjesës veriore te Shqipërisë së Jugut.

Çamëria është Shqipëri, atje edhe sot jetojnë një pjesë e popullatës Çame e besimit të krishterë që flasin shqip, por fatëkeqësisht nuk e ndjejnë dorën e Nënës që i ka braktisur por ata aqë shumë e kërkojnë.

Dhe “çudia” vazhdon kur edhe ministri i jashtem grek Kocias deklaron në mes të Tiranes me paturpësi dhe injorancë se “Çështja Çame nuk ekziston”???

Për grekët “ekzistojnë” pretendimet sipas të cilave ushtarëve grekë t’u ngrihen vareza në tokat Shqiptare; në një kohë kur ne Çamërinë Shqiptare atje, jo vetëm që nuk lejojnë të hyjnë Shqiptarët Çamë të lindur në Çamëri; por njëkohësisht kanë zhdukur çdo gjurmë Shqiptare atje.

Pra ka ardhur koha e domosdoshme Për Mbrojtjen e të Drejave të Njeriut. MBROJTJA E DINJITETIT KOMBËTAR që për disa “politikanë të zgjuar” quhet Nacionalizëm, DUHET TË JETË NË QËNDËR TË BISEDIMEVE me grekët për çdo problem që ata përpiqen ta ngatërojnë. Komisioni që duhet ngritur sa më parë, duhet të përfshijë SPECIALISTA ME NJOHIE KONKRETE TE PROBLEMIT KOMBËTAR, SIMBAS LIGJEVE NDËRKOMBËTARE TË MBROJTJES SË TË DREJTAVE TË NJERIUT!!

 

Sali Bollati-Shqiptar Paramithiot. New York, Dhjetor 2017

Comment

*