George HW Bush u shtrua në spital, për shkak të një infeksioni

Houston (Texas, USA) – Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, George H.W. Bush, është hospitalizuar në Houston, për shkak të një infeksioni, menjëherë pas funeralit të bashkëshortes së tij, Barbara.

Zëdhënësi i ish presidentit, Jim McGrath, ka shkruar në rrjetin social Twitter se 93 vjeçari Bush “po merr trajtime dhe duket se po shërohet”.

Ai ka treguar se Bush është pranuar të dielën në spitalin Methodist të Houstonit, pas një infeksioni që u përhap në gjak.

Barbara Bush u varros të shtunën, në një ceremoni në të cilën morën pjesë i shoqi, George H.W. Bush, i biri  George W. Bush, dhe ish presidentët: Bill Clinton e Barack Obama me bashkëshortet e tyre, si edhe zonja e parë aktuale e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.

Bushi plak e përdor një karrocë dhe një skuter elektrik për të lëvizur, për shkak të sëmundjes së Parkinsonit. Ai i është nënshtruar trajtimit mjekësor në spital disa herë gjatë viteve të fundit, për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

George Herbert Walker Bush ishte presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara, nga viti 1989 deri në vitin 1993.

I lindur më 12 qershor të vitit 1924, në Milton të Massachusettsit, ai ishte edhe ligjvënës, drejtor i CIA-s dhe nënpresident i Ronald Reaganit.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*