Georgia do të rinumërojë të pesë milionë votat, me dorë

Nga Ruben Avxhiu

Georgia (Xhorxhia) do të jetë shteti i parë në SHBA që do të rinumërojë të gjitha votat për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Joe Biden ka fituar në këtë shtet me vetëm 14,000 vota më shumë se Donald Trump, nga 5,000,000 vota gjithësej.
Dallimi mes të dyve është vetëm 0.3% e votave. Sipas ligjit të shtetit në Georgia, nëse fituesi nuk ka më shumë se 0.5% më shumë se humbësi, votat numërohen edhe njëherë nga fillimi, nëse e kërkon një prej kandidatëve.
Siç dihet, Donald Trump po sfidon në gjyq fitoren e demokratit Biden, në disa shtete të vendit. Nga këto Georgia do të jetë e para ku po rishikohet rezultati.
Për gati 30 vjet Georgia ka qenë një shtet republikan. Herën e fundit që një demokrat ka fituar aty ka qenë Bill Clinton në 1992. Mirëpo, në vitet e fundit demokratët kanë shkurtuar diferencën dhe për herë të parë kanë pasur shpresa të mëdha për fitore këtë nëntor.
Numërimi me dorë kërkon kohë dhe angazhim të madh njerëzish. Praktikisht një komisioner i lexon me zë, një e vërteton dhe një e shënon për çdo qendër votimi në 159 kontetë e shtetit.
Megjithë këtë sipërmarrje masive, zyrtarët janë të sigurtë se rezultati do të çertifikohet në 20 nëntor.
Puna mund të mos mbyllet aty. Nëse do të aprovohet një tjetër kërkesë e tillë, të gjithë rinumërimet e ardhshme do të bëhen nëpërmjet makinës që skanon të gjitha fletëvotimet e printuara.
Përmbysja e rezultateve me rinumërim janë të rralla. Ato kanë ndodhur vetëm kur diferenca ka qenë diku në disa qindra vota. Me 14,000 vota në epërsi, fushata e Joe Biden është e bindur se rinumërimi vetëm sa do të konfirmojë fitoren. Për fushatën Trump, ky është një shans për të treguar se ka pasur parregullsi. Madje edhe një shkurtim i diferencës do të quhet fitore. Ndërkohë beteja ligjore vijon në 5-6 shtete të tjera, ku Biden ka marrë shumicën.

Comment

*