Geraldo Rivera tregon bisedën e tij, “me zemër të hapur”, me Presidentin Trump

Geraldo Rivera, gazetar, prezantues televiziv, që ka krijuar vetë në vite debate të shumta me sjelljen e tij, ka treguar për një bisedë që ka bërë së fundi me “mikun tim Donald Trump.”
“Ai tha se ishte realist dhe se do të bënte atë që duhet”, shkroi ai në rrjetin Tuitër, duke nënkuptuar se Trump do të pranonte humbjen nëse vërtetohet që ka humbur.
“Mirëpo, ai do që të shohë çfarë do të ndodhë në shtetet e diskutuara lidhur me çertifikimin etj”, tha Rivera. “Ai dukej i vendosur për të luftuar për çdo votë dhe nëse humbet do të tregojë se sa shumë ka arritur”.
Rivera njihet me Trump prej shumë vitesh, nga jeta në New York, po edhe nga koha kur Trump bënte emisionin “Apprentice” në television.
Biden është shpallur fitues në zgjedhjet e 3 nëntorit, por Trump ka refuzuar deri tani të pranojë humbjen duke paditur komisionet zgjedhore për lejim votash të paligjshme në disa shtete e duke kërkuar rinumërime të votës në disa të tjera.
Georgia është shteti i parë ku do të nisë rinumërimi. Disa përplasje të forta në gjyq priten në Pennsylvania, Nevada, Wisconsin, Michigan dhe Arizona.
Është interesant se pak ditë më parë, Geraldo Rivera shkroi në mbështetje të Hashim Thaçit duke kujtuar “ditët e zymta të agresionit serb kundër Kosovës së vogël”. Ai tha se nuk i dinte detajet e akuzës, por mund të thoshte se Thaçi “ishte një xhentëllmen dhe patriot, që luftonte për të mbrojtur popullin e tij nga një armik shumë më i madh dhe më vdekjeprurës. Shumë shqiptarë të Kosovës vdiqën në atë luftë”.
Një mbështetës i Presidentit Trump në vite, ai i ka bërë thirrje këto ditë që të jetë krenar për mënyrën sesi konkurroi në këto zgjedhje dhe të tërhiqet me dinjitet.
Sot, pas bisedës me të, Rivera e krahasoi presidentin me boksierët e peshës së rëndë që e dinë se e kanë humbur ndeshjen me pikë se të gjithë gjyqtarët kanë votuar kundër tij, por është i vendosur të vazhdojë deri në fund të faundit të fundit, me shpresën se mos qëllon një nokaut që do ta shpallë fitues. Sado të vogla shanset, ai do të luftojë deri në fund.
“E megjithatë, kur të tingëllojë këmbana e fundit, ai do t’i bindet”. (Ruben Avxhiu)

Comment

*