Gërxhaliu: Heronjtë e Kosovës janë biznesmenët, jo politikanët

Prishtinë, 11 mars 2018 – Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se agjendat politike të udhëheqjes aktuale të Kosovës po e pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

“Fjalët që kanë dominuar më së shumti në këto tri vjetët e fundit, definitivisht, kanë qenë fjalët ‘demarkacion’, ‘asociacion’ dhe ‘liberalizim’. Por, fati i këtyre tri problemeve shumë më tepër ka qenë në duart e deputetëve që flasin në emër të popullit, por më së paku veprojnë në emër të popullit”, ka thënë Gërxhaliu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, kjo kastë politike po krijon raporte armiqësore edhe me miqt e Kosovës.

“Vendet e tjera të rajonit edhe armiqtë po tentojnë t’i bëjnë miq, kurse ne miqt po i shndërrojmë në armiq dhe në kundërshtarë”, ka theksuar ai.

Gërxhaliu e ka lavdëruar kontributin e komunitetit të biznesit për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai ka theksuar se “heronj” të Kosovës sot janë biznesmenët dhe jo politikanët.

“Nëse dikush e meriton epitetin e heronjve të Kosovës të pasluftës, nuk janë politikanët që humbin kohë në tentativë për ta zbukuruar të kaluarën, por komuniteti i biznesit që e ndërton ardhmërinë, sepse krijon vende të reja të punës, gjeneron buxhet dhe, mbi të gjitha, i përshpejton proceset integruese dhe përmirëson imazhin e Kosovës”, ka theksuar ai.

Gërxhaliu ka treguar se bizneset kanë kërkuar nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, që të eleminohet burokracia dhe në pozita të rëndësishme të mos vendosen njerëz të padijshëm.

“Në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës, ku ishin afro 80 biznesmenë, kërkesa kryesore e tyre ka qenë: ‘Zoti kryeministër, ne nuk kërkojmë ndihmë, vetëm mos na pengoni. Në qoftë se mendoni të na ndihmoni, atëherë eliminoni burokracinë dhe mos lejoni që njerëzit e padijshëm të vendosen në pozita kyçe, sepse ata gjenerojnë korrupsion, ata gjenerojnë burokraci dhe nga kjo burokraci dëmtohet biznesi vendor dhe, në të njëjtën kohë, dëmtohet imazhi i Kosovës, ndërsa demotivohen i investitorëve të huaj’”, ka thënë Gërxhaliu.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka theksuar gjithashtu se sundimi i rendit e ligjit dhe ngritja e kapaciteteve në administratën publike janë parakushte themelore për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ne mund të flasim për reforma, për strategji, por në qoftë se nuk kemi sundim të rendit dhe ligjit, nuk kemi edukim të personelit në administratën publike, paraprakisht do të jemi të gjykuar për të dështuar”, ka thënë ndër të tjera Gërxhaliu.

Ai thotë se fuqia punëtore është sfida kryesore e sektorit privat të ekonomisë, e cila është bartëse e zhvillimit ekonomik të vendit, ndërsa rritja e pagave të punëtorëve të sektorit publik ë bën edhe më të rëndë barrën që e bart sektori privat.

“Ne e kemi mbështetur paraprakisht një rritje, e cila do të jetë drejtpërdrejt në linjë me rritjen ekonomike në Kosovë. Mirëpo, kjo që po ndodh me rritjen e pagave, vërtet është një momentum i ri dhe grushti më i rëndë që e godet sektorin privat”, ka thënë ai.

Por, Gërxhaliu shpjegon se komuniteti i biznesit nuk është kundër rritjes së pagave të atyre që e meritoijnë këtë.

“Nuk jam kundër rritjes së pagave, të themi, të mjekëve, të policëve, të atyre që vërtet kontribuojnë për ardhmërinë e Kosovës. Por, për fat të keq, sot kemi zyrtarë në institucionet e Kosovës, në administratën publike të stërngarkuar, të politizuar dhe të kriminalizuar që  me vite të tëra nuk bëjnë asnjë punë”, është shprehur ai. (r.m.)

Comment

*