Gërxhaliu thërret ministrin Hamza të mos e zbatojë vendimin për pagat e qeveritarëve

Prishtinë, 13 qershor 2018 – Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i ka bërë thirrje ministrit të Financave, Bedri Hamza, që të mos e nënshkruajë vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë të qeverisë, i cili ka hasur në reagime të ashpra kritike në Kosovë.

“Vendimi për rritje të pagave nga ana a qeverisë së Kosovës është në kundërshtim me zhvillimin ekonomik të Kosovës. Unë ftoj ministrin Hamza të mos e nënshkruajë këtë vendim pasi që ky vendim do të dëmtojë shumë Kosovën”, ka thënë Gërxhaliu për Ekonomia Online.

Ai ka thënë se vendimi për rritje enorme të pagave për një pjesë të zyrtarëve shtetërorë do të dëmtojë edhe më shumë sektorin privat, i cili në kohët e fundit po ndeshet me shumë probleme të mëdha sa i përket gjetjes së fuqisë punëtore, pasi që shumë të rinj ëndërrojnë të punësohen në administratë publike.

“Vendimi për rritje të pagave e dëmton Kosovën, në aspektin ekonomik, social, integrues, e në veçanti në aspektin psikologjik e demotivues për të rinjtë”, ka theksuar Gërxhaliu.

Ai ka thënë se bizneset kanë shpresuar se qeveria do të merrej më shumë ne edukimin e zhvillimin ekonomik si dhe me promovimin e ndërmarrësisë dhe ka theksuar se Qeveria Haradinaj, me vendimi për rritjen e pagave pë veten, bie ndesh me këto objektiva.

“E tërë kjo e dëshmon edhe shqetësimin tjetër që sot më shumë mbrohen interesat e grupeve të caktuara se sa interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Gërxhaliu.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se beson “në profesionalizmin dhe etikën” e ministrit Hamza dhe se shpreson se ai nuk do ta nënshkruajë këtë vendim. (r.m.)

Comment

*