Gjashtë asamblistë të Ferizajt largohen nga LDK-ja, i bashkohen Vjosa Osmanit

Prishtinë, 25 dhjetor 2020 – Gjashtë asamblistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj janë larguar nga kjo parti dhe i janë bashkuar ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, e cila do të garojë në zgjedhjet e ardhshme nacionale me një iniciativë qytetare.

Hysnije Shamolli-Mustafa, Hesat Shatrolli, Balton Dërguti, Ekrem Mustafa dhe Burim Karameta, të cilët janë larguar nga LDK-ja, kanë thënë se këtë hap e kanë ndërmarrë pas dështimit të përpjekjeve për të bashkuar degën e përçarë të partisë në Ferizaj.

“Nuk ka qenë dëshirë e as synim i asnjërit prej besh që të largohemi nga LDK-ja, por meqë dega e saj në Ferizaj ishte përçarë keq pas humbjes në zgjedhje locale, e edhe më keq pas humbjes në zgjedhjet e fundit qendrore, në të cilat fitoi vetëm një candidate nga Ferizaj, ne morëm një iniciativë për të bashkuar degën. Mirëpo, nga kryetari dhe nga disa të tjerë, ne u paraqitëm si përçarës, u injoruam totalisht dhe, siç ishin mësuar tashmë, një ekip aty vazhdoi me kapjen e Degës, duke vendosur pesë nënkryetarë, pa u konsultuar fare me ne, ndonëse na kishin premtuar që do ta ftojnë mbledhjen e kryesisë për të gjetur formën e unifikimit”, ka thënë Shamolli-Mustafa për Klan Kosovën.

Ajo ka thënë se grupi kishte kërkuar të takohej me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, por ai nuk kishte pranuar.

“U munduam ta takojmë edhe kryetarin e partisë për të gjetur një zgjidhje, por as ai nuk e pa të arsyeshme përpjekjen për unifikim te degës“, ka thënë ajo.

Shamolli – Mustafa ka thënë se pasi janë shpërfillur përpjekjet e tyre për konsolidimin e degës, ata kanë vendosur t’i bashkohen Vjosa Osmanit. Ajo ka theksuar se zonja Osmani është e vetmja që i ka mbajtur premtimet që u janë dhënë qytetarëve nga  zyrtarët e LDK-së.

“Ne i shterëm te gjitha mundësitë për bashkim dhe, për të mos shkelur tutje parimet tona dhe për të qëndruar besnikë ndaj premtimeve që LDK i kishte dhënë para zgjedhjeve, vendosëm të takohemi me njeriun e vetëm që nuk ka dalë nga premtimet që ua ka dhënë qytetarëve dhe kjo është Vjosa Osmani“, është shprehur Shamolli Mustafa.

Në degën e LDK-së në Ferizaj ka pasur probleme edhe gjatë zvgjedhjeve të brendshme në parti. Në një nëndegë të kësaj partie ka pasur edhe përplasje fizike midis dy grupeve.

(r.m.)

Comment

*