GJENERALI M. DHE DJALI ME ÇOKOLLATË

Nga Sinan Kamberaj

 

 

 

Si e ke emrin bukurosh?

Braho, iu pergjegj ai

Sa vjeç je?

Dymbëdhjetë, – tha, duke i fshehur dy

 

Po ti, e ti

Ti atje?

 

“Merrini, se s’do të hani mē”!

 

Çunit me çokollatë në dorë

I ngriu shikimi –

Si dhe shokëve të tij ..

 

“Merri, – urdhëroi Rreshterin –

Çoji atje –

Poshtë” …

 

Fëmijët me çokollata në duar

U nisën mbas Rreshterit

 

Gjeneral M.  numëroi  krismat në Luginë –

Kujtoi mbiemrin e vet *)

Dhe preku armën në brez!

 

*

Shumë ujë rrodhi e rrodhi

Nën Urën e Driniës …

 

Djali me çokollatë

Sot do të mbushte 34

Pa ato që ia fshehu Gjeneralit M. atëherë …

 

Kur u kthye në Sallë

Gjyqtari Alphons Orie iu drejtua:

Mr. Mladić, a e pranoni krimin?

 

Gjenerali M. ulēriu si bishë:

– Protestoj!

Nuk e njoh këtë Gjyq!

 

– Burg të përjetshëm!, – tha Z. Orie

Dhe e lëshoi çekanin mbi tavolinë

 

“Kur ka ndodhur kjo?” –

pyeti vetën Gjenerali M.

Pastaj zu të përmjerrej

Dhe heshti

 

Ai kërkoi leje nga Gjyqtari

Të shkonte në banjo

Dhe u kthye sërish i lagur

 

Sakaq iu shfaqen sytë e ngrirë të Brahos:

Po ata sy, si dikur !

Pastaj pa kurrizin e tij dhe të shokëve

Pastaj pa horizontin e Srebrenicës në muzg …

 

Dhe u ul

 

“Merre, merre”, i tha Braho

“Ta hash nga pak –

Se mjaft do të keshë kohë”

 

“Shporru!

Unë nuk ha çokollatë!” –

U çart Gjenerali M.

Dhe u ngrit në kēmbë

Duke prekur vendin bosh të pistoletës

 

U ngrit sërish

Mbylli veshët nga jehonat e Luginēs

Dhe u ul me vrull

 

– Ju duhet të qëndroni në këmbë Mr. Mladić! – tha gjyqtari gjentil

 

Gjeneralit M. iu duk prapē e vogël

Gjykatorja dhe Serbia

 

– Protestoj!,  tha

Dhe u ngrit e u ul

E u ngrit e u ul –

Në shurrë të vet –

Çull

Duke murmuritur

Gj – Gj – Gj…

 

Paptitmas ngriti kryet lart

Dhe me instinktin e oficerit

Çoi dorën nē brez ..

 

Iu bë se dikush thirri:

Gjeneral, Gjeneral!

 

Ai s’e kushte ditur asnjëherë

Sa pranë qëndrojnē në Fjalor

Fjala Gjeneral

Me fjalën Gjenocid!

——

*) mlad = i ri (serbisht)

Comment

*