Gjerasim Qiriazi, një farë e fryteve të diturisë

(Fjala e hapjes së ceremonisë së zbulimit të varrit të rilindasit të madh shqiptar Gjerasim Qiriazi, në Strumicë, në Maqedoninë e Veriut, të shtunën, më 14 nëntor 2020)

Dr. Skender ASANI

Dua ta ndaj me gjithë juve gëzimin se ja më në fund, atë që kishim pëshpëritur në një rreth të ngusht miqësh e kolegësh, sot mund ta bëjmë publike.

Sot ndodhemi para një guri, që nuk shënjon vetëm vendodhjen e një varri, por edhe trajektoren e një bote shpirtërore brenda së cilës lëvizi familja Qiriazi.

Në këtë trajektore e gjejmë edhe Gjerasimin, i lindur dhe rritur në Manastir, dhe brenda një moshe relativisht të re, atë e shohim vazhdimisht në lëvizje, kryesisht i ngarkuar me aktivitete që lidheshin me përhapjen e mësimeve ungjillore në gjuhën shqipe. Konkretisht ai drejtoi  bashkësinë ungjillore në gjuhën shqipe në qytetin e Manadstirit

Gjerasim Qiriazi jetoi vetëm 35 vite, deri më 24 janar 1894, kur i mbylli sytë për të fundit herë, por porositë që ai ia la të motrës Sevastisë dhe mbarë familjes, për të vazhduar përpjekjet iluministe në emancipimin dhe edukimin e popullit në frymën e shkronjave shqipe, dhanë fryte disa vite më vonë, konkretisht më 1908 kur në Manastir u mbajt Kongresi i Alfabetit, një ngjarje kjo e madhe kombëtare që kishte kaluar nëpër dyert e shtëpisë së Qiriazve.

Gjerasimi edhe pse nuk e arriti ta përjetojë këtë ngjarje, fryma e tij megjithatë kishte ngelur, madje e gdhendur me shkronjat shqipe në varrin e tij disa vite para Kongresit të Alfabetit. Pra. Gjerazimi nuk ishte dëshmitar i ngjarjeve të bujshme që do të ndodhin më vonë, mirëpo nderimi ndaj tij u bë pikërisht ashtu siç e meritonte ai. Sepse vetëm kështu do të shkonte në vend amaneti i tij për një përparim iluminist, mbi baza të tolerancës me fqinjët dhe mbi vizionin për një të ardhme pa barriera dhe paragjykime në mes të popujve, ashtu siç e shpreh edhe kjo ditë e sotme një realitet me diversitete fetare, ku varret shndërrohen në porosi dhe mision për më shumë afrim dhe tolerancë ndëretnike e ndërfetare.

Siç mund ta shohim, pranë varrit të Gjerazim Qiriazit prehet edhe një bashkëpunëtor i tij i afërt, Gjon Ciko, një librashitës shqiptar. Në gurin e varrit të tij, dikur në Manastir, por tani në Strumicë, shënohet se ai lindi në Korçë, më 1850 dhe vdiq më 1922 . Sikundër dihet, Gjon Ciko u përfshi në elitën kulturore të qytetit të Korçës, jo vetëm si shpërndarës i Shkrimit të Shenjtë në shqip, por edhe si drejtuesi i parë i takimeve ungjillore dhe si anëtar i Shoqërisë së Mësimit Shqip në Korçë, e cila u themelua për të mbështetur punën e Mësonjëtores.

Figurat emblematike si kjo e Gjerasim Qiriazit, nuk lindin shpesh, por ato mjaftojnë të na kujtojnë edhe kur nuk jetojnë më, se punët e dobishme janë si fara që hidhet, frytet e së cilës mund të shijohen më vonë. Një prej atyre fryteve e kemi dhuratë edhe nga Gjerazim Qiriazi, sepse drita e diturisë që vazhdon të përhapet gjithandej është një farë e mbjellë prej tij para më shumë se një shekull.

Qoftë i bekuar emri i Gjerazim Qiriazit!

Strumicë, 14 nëntor, 2020

Comment

*