Gjergj Xhuvani, regjisori i filmit të ri klasik shqiptar

Natasha Lako

Gjithë këto ditë kam mbajtur dorën për të mos shkruar për atë që kohët e fundit po i ndodh kinematografisë shqiptare, por që nuk e di kush. Kam thënë, le të iki vera. Sepse e di që shumica e të rinjve, në pamundësi për të ndërtuar shoqërinë e tyre, si një motër me të gjithë europianet e tjera, e ka më të lehtë ta ndiej veten të integruar me gjithë botën, vetëm kur vesh fustanet dhe xhaketat e sezonit, ose ndjek kinematografinë botërore.

Ndoshta edhe kur sheh reklama të ndryshme, që ndërrojnë përditë. Dhe ka mundësi, që edhe snobët e ditës, të thonë: Në djall të vejë edhe kinematografia shqiptare. Por vdekja nuk pyet për sezone edhe për ditë vere. Dhe kësaj kinematografie i ka humbur në një spital të Romës një nga regjisorët më në zë të saj të pasviteve ’90, Gjergj Xhuvani.

Kineasti që u formua si asistent-regjisor në brumin e Kinostudios, dhe tregimtari që talentin e tij të rrëfimit ia dedikoi filmit shqiptar.

Regjisori i filmit të ri klasik shqiptar. Dhe kështu duhet thënë se u nda prej botës shqiptare edhe kinematografike, të cilën e konfiguroi, edhe triumfalisht, edhe tragjikisht, si me lamtumirën e sotme. Njeriu që nuk la t’i krijohej boshllëku deri në humnerë, kinematografisë, të cilës i kushtoi jetën. Dhe që mund të thuhet që vijoi gjuhën kinematografike, jo vetëm për ta shpëtuar, por për t’i dhënë një nder të ri: Shfaqjen e njeriut brenda rrethanave të frustruara. Të gjithë e dinë suksesin e filmit “Parullat”, që sot citohet në të gjithë kritikën botërore, i cili flet për trysninë e dy mësuesve nga fshati në kohën e rrethuar prej gurëve të parullave ideologjike të mbërthyera në faqe mali.

“I dashur armik” me trysninë e njerëzve të ngërthyer në një luftë ku nuk kanë vendosur ata vetë të jenë kundër njëri-tjetrit. E më pas “Lindje, Perëndim, Lindje”, me trysninë e një grupi sportistësh pas kolapsit të një regjimi, ku për herë të parë duhet të gjejnë rrugëzgjidhjet vetë. Kjo sa për të kujtuar disa filma të Xhuvanit, që ishte në proces postproduksioni me filmin e tij të fundit. Rregullat e reja të vendosura arbitrarisht për filmin shqiptar, nuk do ta lejonin Gjergj Xhuvanin të bashkëpunonte me shkrimtarin e përvojave të hidhura mbi trup, shkrimtarin e tij Dhimitër Xhuvani, që mund të quhet edhe ati i tij natyral edhe shpirtëror, për një liri të re shprehjeje dhe fryme realiste.

Një rrugë krijuese që e lidhi me aktoren e talentuar Luzia Xhuvani, e cila më tepër se asnjëherë tjetër, pas traumës së madhe brenda familjes dhe dënimit të të birit për krimet e kryera, ka luajtur në thellësi dilemat hamletiane, kur njeriu papritur gjendet në një çark. Dhe drama është gracka, ku shpirti do të mbyllet si laraska. Një trysni e re kalon nga krijimtaria artistike në jetën e drejtpërdrejt të Gjergj Xhuvanit, derisa kthehen në botë tragjike.

Punëtori i palodhur i kinematografisë, njeriu besnik i miqësive, ëndërrimtari i projekteve të vazhdueshme, i palëkunduri në formimin e tij, edhe mbi të gjitha njeriu social që dha trysnitë edhe përpëlitjet njerëzore, pa asnjë melodramatizëm dhe shtirje, u nda nga jeta e tij kinematografike para kohe. Në këtë botë kaq të hapur, ku producentët janë gati të vjelin nga bota aq sa u duhet, për ta kthyer filmin në stilin e reklamave ose PPP-ve, që monitorojnë doganat, vetëm e vetëm se ndonjë njeri nuk di tjetër se ç’është filmi, në vend tënd, Gjergj Xhuvani, do të kemi këtej e tutje ndonjë skenarist të huaj, që do të na e tregojë se si e koncepton ai realitetin shqiptar sot. Dhe përsëri e përsëri: Në djall kinematografia shqiptare.

Dhe iku një kineast, që filmin e dinte ta ndërtonte me duart e tij, që nga skenari, po të donte të shprehej, siç e kërkon liria e krijimit. Iku një bazament dhe një model, në kohën e rrezikut që kinematografinë shqiptare ta trajtojnë sa për paret e një asistencë sociale. Iku një nga autorët që mbante një ekuilibër, në këtë kohë kur duket se kanë më tepër rëndësi shërbimet edhe lehtësimet për xhirimet e të huajve në Shqipëri, sesa prodhimi serioz i filmit, si ai i Gjergj Xhuvanit, që e çoi metrazhin e filmit të gjatë në sesionet më inkurajues në Festivalin e Filmit në Kanë. Iku regjisori që duhet t’i mësonte edhe drejtuesit të sotëm të prodhimit të filmit se regjisori nuk është një rrogëtar i zakonshëm, por krijues i mirëfilltë që shkruam me gjuhën e imazhit, në një proces të pandalshëm të filmit autor, që ndryshe nga gjithë bota synohet të nëpërkëmbet nga ata që nuk e arrinin dot.

Por jo një Gjergj Xhuvani! A do të dijnë miqtë e rinj të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, që mendohet të vlerësojnë filmat shqiptarë, duke ngatërruar juritë ndërkombëtare të Festivalit të Filmit dhe të Miss Bukurive, me këshillat miratues të krijimtarisë së mirëfilltë shqiptare, kur konkurrimi ndërkombëtar është i garantuar gjatë procesit të gjatë filmik, që në momentin kur ka të drejtën që të paraqitet në Euroimazh (Euroimages) ose kur gjen bashkëproducentë të huaj. Të koncentrosh thjesht biznes ose punë rrogëtarësh në kinematografi, në një vend si Shqipëria, i ngjan vërtet Don Kishotit të Mançës, në kohën që e gjithë agrikultura po mbështetet dhe zhvillohet nën regjimin financiar evropian.

Gjergj Xhuvani e kishte fituar këtë frymë bashkëpunimi edhe e dinte që përpara se puna krijuese do të kishte shumë mund. Pesha e krijimtarisë së tij ekuilibronte të gjithë aventurën e la asistencë sociale të rreth 170 filmave të metrazhit të shkurtër të prodhuar gjatë këtyre viteve. Ata që kanë kërkuar ta mundin Gjergj Xhuvanin, qoftë edhe me lajka, e dinë se ai ka pas të rinj që u ka qëndruar në kokë edhe u ka falur eksperiencën edhe autoritetin e vet, për një kinematografi të qëndrueshme edhe solide, por që vanitozët e këmbejnë me biseda dhe vendime kafenesh. Gjegj Xhuvani na mëson se ai vet formësoi kinematografinë shqiptare të pasviteve ’90, me shumë pak të tjerë, disa prej të cilëve u vënë më tepër rëndësi pareve se krijimtarisë.

Ata që duan të thjeshtë regjinë edhe bashkëpunimet në një profesion argatësh le të thonë sa të duan: Në djall kinematografia shqiptare. Gjergj Xhuvani është një gurë i rëndë kinematografik, krijimi i të cilëve do të ndalojë shumë njerëz të bëjnë marrëzira dhe eksperimente me filmin shqiptar, sepse një ekip filmi mund të ketë shumë bashkëpunëtorë të huaj, por një vepër quhet shqiptare, kur shpreh konstitucionin e vet shpirtëror dhe transmeton mesazhet e veta me të cilat pasurohet kinematografia botërore.

Sot për sot, i ka mbetur vetëm asaj të ketë nevojën të shprehet në shqip me të gjithë kuptimin e fjalës, për çdo kinematografi kombëtare, në mbrojtje të diversitetit europian si pasuri. Dhe merre me mend sikur projektet shqiptare t’i miratojë një specialist i vërtetë nga një vend ku priren dhe pasurojnë botën plot sukses prirjet e arteve parciale! Pastaj edhe një specialist nga Bollivudi, që i di se ku u rreh shqiptarëve, se në një botë snobësh, me që nuk ka parfum shqiptar, fare lehtë mund të thuhej: Në djall kjo kinematografi që kemi.

Por, ja që nuk na lë humbje e parakohshme e Gjergj Xhuvanit, me qëllim që në kinematografinë e sotme të saj të mos krijohen humnera të reja. Dhe herë tjetër le të flasim për vendime gati tragjike, por që duhet që të kemi sy dhe veshë për të vënë gishtin mbi plagë, sepse çfarë nuk mund të ndodhë nga mendjelehtësia për të përsëritur pa e ditur as vet: Në djall le të vejë kinematografia shqiptare. Por sot na ka humbur një kineast që na lë porosi me humbjen e tij të themi: Amen atij që i kushtoi jetën imazhit filmik dhe krijoi figurën e regjisorit shqiptar të pas viteve ’90. Amen për konturimin e sotëm, edhe transfigurimin e plotë të shoqërisë shqiptare. Amen kinematografisë që shfaq fytyrën që kemi ose zotërojmë. Amen përjetësisë që lë jo pas!

Comment

*