Gjermania do të ketë një të ngarkuar për viktimat e regjimit komunist

Dosjet e sigurimit të shtetit të ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë do të transferohen më në fund në Arkivin Federal. Këtë e miratoi të enjten, më 19.11.2020, pas një debati parlamentar, Bundestagu gjerman, me votat e dy partive qeverisëse, kristiandemokrate e kristiansociale dhe socialdemokrate (CdU/CSU dhe SPD) si edhe të dy partive opozitare, Të Gjelbrit (Bündsnis 90/ Gruene) dhe Liberalët (FDP). E Majta (Die Linke), pasardhëse e partisë sunduese të ish-RDGJ-së, abstenoi, Ndërsa partia populiste  e krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AFD), votoi kundër.

Një i ngarkuar për viktimat

Ministrja e Shtetit për Kulturë, Monika Grütters, (CDU) tha se “transferimi nuk i jep fund trajtimit të së shkuarës”. Ajo tha se dosjet do të ruhen për “kujtesën e tërë shtetit”.

Dosjet do të jenë në dispozicion të personave të prekur dhe të hulumtuesve, sikurse edhe më parë. Ndryshon vetëm baza juridike.

Roland Jahn in Taiwan

Shefi i Autoritetit te Dosjeve, Roland Jahn

Ligji i jep fund kështu aktivitetit të Entit të Dosjeve, pikërisht 30 vjet pas rënies së Murit të Berlinit. Për viktimat e regjimit të atëhershëm në RDGJ do të ketë një të ngarkuar të posaçëm në parlamentin gjerman. Ai do të vendoset nga Bundestagu në qershor të vitit të ardhshëm, kur të përfundojë mandati i shefit aktual të Entit për Ruajtjen e Dokumenteve të Stasit, Roland Jahn.

E djathta dhe e Majta kritikojnë

AFD-ja e kritikoi faktin që vetëm 30 vjet pas rënies së Murit të Berlinit do të caktohet një person i ngarkuar për viktimat e regjimit të atëhershëm. Sipas deputetit të saj, Götz Frömming, ky është një vendim sa për t’ua mbyllur gojën organizatave të të përndjekurve.

Ai tha se “autorët janë ende mes nesh” dhe, me kalimin e dosjeve në Arkivin Federal, “do të varroset një institucion i rëndësishëm”. Ai gjithashtu u ankua që në Gjermani ende nuk ka një katedër ku studiohet e kaluara në kohën e diktaturës.

Deputetja e së Majtës (Die Linke), Simone Barrientos, e përshëndeti faktin që tani dokumentet do të kalojnë në Arkivin Federal. Por, ai kritikoi se në projektligj nuk ishte sqaruar se si do të mbulohen kostot e transferimit. Barrientos, në fjalën e saj, e përshëndeti faktin që do të ketë tani e tutje një të ngarkuar për viktimat, por ajo tha se termi viktimë duhet të sqarohet më mirë.

Deutsche Geschichte | Berlin 2012 | Papierschnipsel Stasi-Akten

Një pjesë e materialeve të gjetura nga aktivistët në janar 1990 ishin grisur ose djegur

Tri dekada, tre emra

Histori a autoritetit gjerman të dosjeve zuri fill menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, në vitin 1989, kur organet e atëhershme të sigurimit kishin nisur djegien e dosjeve të tyre në oborrin e Ministrisë së Rendit në RDGJ. Aktivistë të të drejtave të njeriut e sulmuan selinë e Sigurimit të Shtetit, STAS, dhe i konfiskuan të gjitha dokumentet që mbetën aty. Ata nuk pranuan t’ia dorëzonin dokumentet Arkivit Federal të Gjermanisë së bashkuar, një vit më pas. Prandaj edhe në kontratën e bashkimit të Gjermanisë u caktua ngritja e institucionit të dosjeve, më i madhi i këtij lloji në të gjithë botën.

Ka qenë traditë që në zhargonin e gjuhës politike në Gjermani, enti i dosjeve të identifikohej me drejtorin e tij. Prandaj, edhe ky organ ka pasur deri tani tre emra: Joachim Gauck, i cili ka qenë edhe president i Gjermanisë, Marianne Birthler dhe Roland Jahn.

(Anila Shuka, DW)

Comment

*