Gjermania mund ta vë në agjendë liberalizimin e vizave, nëse ka shumicë të kualifikuar

Bruksel, 30 qershor 2020 – Sot në mesnatë Kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian e e merr Gjermania. Presidenca Gjermane e BE-së do ta ketë prioritet kryesor miratimin e kornizës financiare dhe të fondit për përballje me pasojat e pandemisë së koronavirusit. Por, sipas një diplomanti të lartë gjerman, në rendin e ditës do të vihen edhe tema tjera.

Disa deputetë të Parlamentit Evropian i kanë shkruar kancelares gjermane që gjatë kryesimit të BE-së të Vihet në rend dite edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, pasi Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara.

Zyrtarë të lartë gjermanë janë shprehur publikisht në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Por, Franca, Holanda dhe disa shtete tjera të BE-së deri më tash nuk e kanë mbështetur një vendim të tillë.

Një diplomat i lartë gjerman u ka thënë gazetarëve se për liberalizimin e vizave kërkohet një shumicë e kualifikuar e vendeve anëtare në Këshillin e BE-së dhe se, nëse Gjermania vlerëson se ekziston një shumicë e tillë, atëherë do ta vendosë në rend dite.

“Nëse e shohim se nuk ka shumicë të kualifikuar atëherë do të vazhdojmë të punojmë prapa skenës”, ka thënë ky diplomat gjerman.

Pos liberalizimit të vizave, Gjermania dëshiron që gjatë kryesimit të saj me BE-në të avancojë edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ka ardhur koha që të ketë lëvizje pozitive në këtë drejtim gjatë këtij viti. BE-ja është e gatshme të luajë rolin e saj në lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje në mënyrë që të ketë progres edhe në procesin e integrimeve evropiane”, ka thënë një diplomat i lartë gjerman, citon REL.

Gjermania do të tentojë që gjatë presidencës së saj të BE-së të nisë edhe negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Por, diplomati i lartë gjerman ka tërhequr vërejtjen se në këtë drejtim nuk mund të ketë garanci. Ai ka thënë se do të jetë më lehtë në rastin e Maqedonisë së Veriut se sa në ratin e Shqipërisë, por ka theksuar se Gjermania do të tentojë ta avansojë edhe këtë temë.

Për secilin hap në procesin e zgjerimit, vendimet miratohen me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare.

(r.m.)

Comment

*