Gjosha: Opozita po e mendon edhe bojkotin total të Kuvendit

Tiranë, 1 tetor 2018 – Deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha, ka thënë se opozita po e diskuton edhe mundësinë e bojkotit total të parlamentit.

“Po, është një alternativë, e cila është duke u menduar, duke parë edhe mënyrën se si ne po vijojmë me aktualitetin politik në vend, me ngjarjet e fundit. Opozita ka pasur disa opsione që tashmë ia ka parashtruar mazhorancës, siç ka qenë edhe vettingu në politike, ku ne kemi një projektligj të depozituar që pret një ‘po’ apo një ‘jo’ nga mazhoranca dhe ka hasur në debate të shumta gjatë gjithë kësaj kohe. Nëse do të kishim një ‘jo’ të prerë të mazhorancës, besoj që këtu do të ishte fillimi i fundit të dialogut mes palëve politike dhe i marrjes së një rruge tjetër, përveç asaj institucionale”, ka thë Gjosha në televizionin “Ora News”.

Duke folur për vetingun në politike, Gjosha ka thënë se LSI nuk e përjashton as opsionin e zgjedhjeve të parakohshme, ndonëse mendon se për këtë është ende heret të flitet.

“Unë besoj se është pak herët për të folur për zgjedhjet. Të gjitha mundësitë janë aty. Opozita i ka të gjitha alternativat, e ka gjithë forcën. Duhet të luftojë me programin e saj, me qytetarët shqiptarë, për t’i ndërgjegjësuar ata. Nuk është e nevojshme për të pritur zgjedhjet, nëse duhet t’i japim fund një pushteti të tillë, një mënyrë të keqqeverisjes që po ndodh në këtë vend. Ndaj të gjitha mënyrat e tjera, protestat dhe reagimi qytetar,janë të mirëpritura dhe ne do të jemi aty në çdo rast që qytetarët do ta kërkojnë nga opozita”, është shprehur ajo. (r.m.)

Comment

*