Gjykata e Lartë mbetet pa dy gjyqtarë, Thanza e Ndreca rrëzohen nga vettingu

Tiranë, 17 korrik 2018 – Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur për shkarkimin e dy gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Tom Ndrecës dhe Admir Thanzës.

Vendimi është marrë pas konstatimit të parregullsive në deklarimet e pasurive, por edhe të integritetit të tyre.

Në seancën e parë, Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit ka marrë vendim për largimin nga detyra të gjyqtarit Tom Ndreca. Gjatë shqyrtimit të dosjes së tij, ishte konstatuar një diferencë e pambuluar e pasurisë në vlerë prej 1 milion e 300 mijë lekësh.

Sipas KPK-së, Ndreca nuk e kishte deklaruar as një procedim të kunatit të tij  për prodhim dhe shitje narkotikësh.

Në seancën e dytë, KPK ka marrë vendim për shkarkimin e gjyqtarit Admir Thanza. Në seancën e shqyrtimit të dosjes së tij është konstatuar mosdeklarimi i një dënimi të vitit 1999, kur Thanza kishte qenë gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës.

Gjyqtari ka thënë se në atë kohë ai e kishte marrë përsipër dënimin e dhënë për kunatën e tij, e cila e kishte kryer një vjedhje, vetëm që nipi i tij 9 vjeçar të kurohej në Itali.

Të enjten, në KPK do të shqyrtohet dosja e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Deri tani, nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, vendimin për qëndrim në detyrë e ka marrë Edmond Islamaj. Por, ky vendim është apeluar nga komisioneri publik. (r.m.)

Comment

*