Gjykata e Shkupit fut pykë në komunitetin mysliman në Maqedoninë e Veriut

Emin AZEMI

Pyka që ka futur Gjykata Themelore e Shkupit, duke krijuar hapësira juridike për dezintegrim dhe përçarje në mesin e besimtarëve myslimanë në Maqedoninë e Veriut, hap shumë dilema e paqartësi mbi rolin e mekanizmave të ndryshëm shtetëror, si  pjesë e ndonjë strategjie e cila si synim përfundimtar ka pikërisht rrënimin e bazës shpirtërore të njerëzve dhe shkëputjen e lidhjeve të tyre me realitetin sakral, social, kulturor e etnik që i rrethon. Ka të ngjarë që kjo pykë vjen edhe nga ndonjë pyll i yni, i prerë gabimisht, pa lejen e pronarit të vërtetë (!)

 

Gjykata Themelore në Shkup ka regjistruar një bashkësi islame paralele dhe ky akt ka shkaktuar reagime e dilema të caktuara në opinionin publik. Të parët që reaguan ishin krerët e BFI-së, duke e cilësuar regjistrimin e  të ashtuquajturës Bashkësia Islame Selefiste Dar el Hadith si “akt i turpshëm dhe shumë i dëmshëm për unitetin e muslimanëve të Maqedonisë së Veriut”, duke  e kualifikuar  atë si “pjellë e strukturave dashakeqe”.

Gazetarët dje (e enjte) në Shkup janë munduar të mësojnë diçka më shumë rreth kësaj bashkësie të re islame, por pa sukses, sepse ende nuk ka një deklarim zyrtar nga themeluesit e saj mbi motivet, nevojat dhe arsyet konkrete që i kanë detyruar ata ta ndërmarrin një hap të këtillë.

Ende pra, opinion publik  nuk është njoftuar se cilat mangësi e pamjaftueshmëri i paska BFI që po ndikokan në themelimin e një bashkësie islame paralele këtu në Maqedoni.

Derisa të kemi një sqarim zyrtar nga drejtuesit e kësaj bashkësie të re islame, rreth këtyre dhe dilemave të tjera të hapura, opinion publik do të ngelë pa një përgjigje kryesore, që duhet të vijë nga institucionet e  drejtësisë: Si ka mundur të regjistrohet Bashkësia Islame Selefiste Dar el Hadith, pa respektuar disa norma elementare ligjore?

Në radhë të pare kjo bashkësi është regjistruar pa përfillur paraprakisht mendimin e pesë komuniteteve institucionale fetare në Maqedoninë e Veriut, ashtu siç e parasheh ligji.

Pastaj, në praktikën juridike të Maqedonisë është i freskët rasti i dënimit me tre vite burgim të peshkopit Jovan Vranishovski, një instalacion i Kishës Ortodokse Serbe, i cili ngarkohej me vepër penale “themelim të Kishës Ortodokse paralele me Kishën Ortodokse Maqedonase”.

Nëse Maqedonia ka një sistem unik të drejtësisë, atëherë ai duhet të vlejë njësoj për të gjitha komunitetet fetare. Në të kaluarën gjykatat kanë qenë shumë aktive në pengimin e krijimit të kishave ortodokse paralele, ndërkohë që në rastin konkret, Gjykata Themelore në Shkup, përmes vendimit për regjistrimin e Bashkësisë Islame Selefiste Dar el Hadith, që mban vulën e  gjykatëses Suzana Donçevska, është treguar e njëanshme në zbatimin e ligjeve, duke ka shkelur arbitrarisht frymën e unitetit dhe mirëkuptimit fetar të myslimanëve në Maqedoninë e Veriut.

Çka janë këto gjykata në Maqedoni që herë sillen si nënë, e herë si njerkë ndaj qytetarëve? Në praktikën dhe logjikën juridike ka plot boshllëqe që lënë hapësirë për ambiguitete semantike, mirëpo në një situatë ku janë qartësisht të parapa rregullat dhe normat ligjore, siç është rasti me regjistrimin e një bashkësie islame paralele, atëherë lind dyshimi nëse ky akt është krejt i rastësishëm, apo ka një frymëzim dhe ndonjë prapavijë të caktuar?!

Pyka që ka futur Gjykata Themelore e Shkupit, duke krijuar hapësira juridike për dezintegrim dhe përçarje në mesin e besimtarëve myslimanë në Maqedoninë e Veriut, hap shumë dilema e paqartësi mbi rolin e mekanizmave të ndryshëm shtetëror në dizajnimin e jetës fetare të qytetarëve.

Ka të ngjarë që kjo pykë vjen edhe nga ndonjë pyll i yni, i prerë gabimisht, pa lejen e pronarit të vërtetë (!)

Nëse ky është hapi i parë për të shkërmoqur një organizim tradicional të myslimanëve që është zhvilluar kryesisht përmes BFI-së, atëherë synimi shkon përtej kornizave të nevojave që kanë besimtarët myslimanë në Maqedoni. Ky synim prek thelbin e të (mos)qenit koherent brenda një besimi dhe një tradite fetare.

Nuk është kurrfarë fshehtësie se praktikat dhe ritualet fetare të besimtarëve islam në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë, kanë nuancat e tyre, varësisht nga doktrina dhe metodologjia e shkollave juridike. Sipas dijetarëve islam, këto nuanca paraqesin pasuri dhe një mundësi më fleksibile për të shfaqur hapur  vijimësinë e kultivimit të Islamit përmes katër Meth’hebe( Meth’hebi Hanefi, Meth’hebi Malikij, Meth’hebi Shafij, Meth’hebi Hambelij).

Për rrjedhojë, të gjitha këto shkolla juridike, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kanë qenë dhe janë të mishëruara, në mënyra të ndryshme, edhe në traditën islame të këtushme, por kjo në asnjë mënyrë nuk justifikon nevojën që secila prej këtyre shkollave juridike të ketë nga një bashkësi fetare. Ose, më konkretisht, vetë besimtarët islamë dhe drejtuesit e tyre fetarë për çdo ditë ballafaqohen me divergjenca e nuanca të ndryshme në praktikimin dhe predikimin e doktrinave islame, por në realitet ka ndodhur që të gjitha këto organizime te kenë vetëm dy kulme brenda të cilave myslimanët zhvillojnë jetën e tyre fetare në Maqedoni: BFI dhe  BASHKËSIA FETARE BEKTASHIANE.

Gjithçka që shkon përtej këtij mozaiku, prish jo vetëm harmoninë brendafetare të myslimanëve, por hap edhe shumë deriçka, ku mundësia për manipulim me grupe e drejtime të caktuara, ka gjasa të bëhet pjesë e ndonjë strategjie e cila si synim përfundimtar ka pikërisht rrënimin e bazës shpirtërore të njerëzve dhe shkëputjen e lidhjeve të tyre me realitetin sakral, social, kulturor e etnik që i rrethon.

Comment

*