Gjykata në Gjilan dënon dy persona për përfshirje në korrupsion

Prishtinë 11 dhjetor 2014 – Një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, i kryesuar nga gjyqtari Afrim Shala, të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka shqiptuar dënimin ndaj të akuzuarit I. K. në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) muajve burgim efektiv dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 Euro, po ashtu i shqiptohet edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik, në kohëzgjatje prej dy viteve, pas mbajtjes së dënimit me burgim. Gjykata gjeti se i akuzuara I. K., shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Gjilan, ka kryer veprën penale, marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pasi që i njëjti me datë 10.12.2013 rreth orës 14:00 minuta, në cilësinë e personit zyrtar – Inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në mënyrë të tërthortë ka kërkuar dhe pranon dhuratë në shumën prej 2.000 Euro, nga i dëmtuari L. B., me qëllim t’ia mundësoj barazimin e stoqeve të kompanisë së tij, ashtu që pas bastisjes së Policisë së Kosovës në Gjilan, paratë gjenden në xhepin e të akuzuarit I. K. të cilat edhe i merren dhe sekuestrohen.

Ndaj të akuzuarit N. H. shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) muajve dhe dënimi me gjobë në shumën prej 500 Euro, të cilat dënime nuk do të ekzekutohen, nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, në afat prej dy vjetëve, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë.

I akuzuari N. H., shqiptar, Shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Gjilan, ka kryer veprën penale, ndihma në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit, nga neni 33 paragrafi 1 lidhur me nenin 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Pasi që i njëjti me datë 10.12.2013 rreth orës 14:00, me dashje ka ndihmuar personin zyrtar – të akuzuarin I. K. për realizimin e përfitimit material në shumën prej 2.000 Euro. Të akuzuarit I. K. ka për të ju llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim. Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë. Gjykata Themelore e Gjilanit është themeluar më 1 janar 2013, në pajtim me Ligjin për Gjykatat, si gjykatë e shkallës së parë për komunat: Gjilan, Kamenicë, Viti, Novobërdë, Ranillug, Partesh, Kllokot, Juridiksioni i Gjykatës Themelore mbulon të gjitha çështjet, përfshirë ato penale, civile, ekonomike, administrative dhe rastet me të mitur.

B.S.

Comment

*