GJYQI I CINXËRIT

NAUM PRIFTI

Cinxëri fletartë kishte vënë përpara fletoren e muzikës dhe po këndonte një melodi me nota: -Do-si-sol-do-mi-fa-re-sol-si-la-sol-mi.

Ishte aq i dhënë pas këngës saqë nuk i vuri re fare dy brumbujt kur hynë shtëpinë e tij.

Edhe brumbujt nga ana e tyre mbetën si të mahnitur sapo dëgjuan këngën. Më i madhi prej tyre tha:

-Sa bukur këndon. Ç’zë që ka!

-Artist fare, – tha i dyti. –Le ta dëgjojmë deri në fund.

Dhe brumbujt ndenjtën te dera duke dëgjuar cinxërin fletëartë në tastierën e pianos.

-Ç’të jetë kjo këngë? – pyeti më plaku.

-Unë nuk marr vesh shumë nga muzika, por kur dëgjoj këtë melodi, më vjen të mbyll sytë dhe atëherë më dalin përpara fijet e barit, lule të kaltra e të kuqe, ngrohtësia e diellit dhe shushurima e erës.Më duket sikur jam në një livadh ku bari s’është korrur dhe bie erë tërfil dhe lule jonxhe dhe gjithë kjo më duket si një këngë për diellin.

-Për këngë është i vetmi, tha më plaku, i cili e ndjeu se brumbulli i ri sikur e kishte lavdëruar shumë cinxërin, por ç’e do, është dembel.Kopshtin e ka lënë fare pa punuar, sikurse e pe edhe vetë dhe shtëpinë e ka rrëmujë.

Atë çast Cinxëri fletëartë mbaroi këngën dhe filloi të shënonte notat në pentagram. Shënonte me nxitim notat dhe dukej që nga fytyra që i shkëlqente dhe nga sytë që i vezullonin se punonte me frymëzim.

-Veçantia, -i tha brumbulli duke i rënë lehtazi në sup, ju lutemi të na falni. Trokitëm por ju nuk dëgjuat dhe ne hymë drejt në dhomë.

-S’ka gjë, tha Cinxëri . –Po uluni ju lutem, pse rrini në këmbë?

-Nuk mund të ulemi, se nuk kemi kohë. Ne na dërgoi këtu karkaleci.

-Me siguri për koncertin që do të jepet të shtunën në televizion. Jam duke e përfunduar. Kjo që dëgjuat është një këngë për diellin dhe…

-Karkaleci është shumë i zemëruar dhe po të pret në zyrë. Tani të ma sillni, – e nderpreu me i vjetri.

 -Ke bërë ndonjë faj? e pyeti brumbulli i ri.

-Faj? Pyeti Cinxëri dhe filloi të mendohej mos kishte thyer diçka a mos kishte përmbysur ndonjë send, pa dashje -nuk më kujtohet, tha, – por kushedi edhe mundet.

-Karkaleci lexoi një libër me përralla të La Fontenit dhe që atëherë, u zemërua shumë dhe filloi të thërriste “Lipsari i keq!” po se për kë e kishte fjalën, nuk e mora vesh.

-Mbase për La Fontenin, – tha brumbulli i ri.

-Nuk besoj,- tha më i vjetri, -se atëherë duhet të thërriste ne zyre La Fontenin.

-Ke të drejtë.

-Sidoqoftë, ti vëlla shko dhe ia thuaj hapur. Po pate bërë gabim pranoje ndershmërisht,- e këshilloi brumbulli i ri. Po qe se nuk është e vërtetë, atëhere mos e prano sikur bota të përmbyset.

Cinxëri vajti dhe trokiti në derën e karkalecit Tak, tak, tak. Karkalei me duart prapa kurrizit vente e vinte nëpër zyrë që nga nga tryeza, deri te dera. Në një karrike pranë dritares rrinte ulur milingona, kurse afër makinës së shkrimit priste pilivesa.Të gjithë po prisnin Cinxërin.

-Ja tek erdhi, – tha pilivesa, duke i hapur derën.

Cinxëri i përshëndeti me kokë dhe posa pa një karrike të lirë, u ul në të.

-E di pse të kemi thirrur? –e  pyeti Karkaleci. -sepse ti na ke turpëruar. Ke turpëruar veten tënde dhe gjithë farefisin.

Cinxëri u ngrit në këmbë dhe pyeti: -Më thoni, ç’kam bërë?

-Po, do të them. Ju dimrin e kaluar keni shkuar në mes të dëborës dhe i keni kërkuar milingonës grurë dhe ushqime të tjera, tamam si lipsar.

-S’është e vërtetë, – u përgjegj Cinxëri.

-Uh, çfarë gënjeshtari! Ja tek e kam të shkruar këtu, e thotë La Fonteni, lexoje edhe vetë po deshe.

I zemëruar karkaleci i vuri përpara përrallën e la Fontenit, e pak më vonë dhe një libër tjetër.

-Ja edhe një tjetër. Mos do të thuash se edhe Çajupi s’të ka parë? Dëgjoje se ç’thotë:

Cinxëri i marrë,

Gjithë beharë,

E shkoi duke kënduar,

Në kopshte të lulëzuar

-Dikush prej tyre duhet të të ketë parë, kur ti me një trastë dhe me një shkop vajte e trokite te dera e milingonës. Iu akove dhe i the se ke mbetur pa bukë. Dhe ajo të pyeti, ‘’Po në verë, ç’bëre, pse s’punove? Ti iu përgjegje : atëhere unë këndoja” Dhe milingona ta preu: “Atëhere këndove, tani kërce! Unë bukë s’të jap! Kështu apo jo?

-Kështu, tha Milingona. -Ja tek e kemi të shkruar edhe në libër.

-Unë s’kam vajtur t’i kërkoj as milingonës dhe as ndonjë tjetri, qoftë edhe një kokërr gruri, -tha Cinxëri i vendosur.

-Shiko mirë, – i tha Karkaleci, se po të dalë e kundërta do të ta marr atë kitarën dhe do ta bëj copë-copë. Artistë lipsarë ne nuk duam.Cinxëri vuri dorën mbi kitarë, sikur të donte ta mbronte nga ndonjë e keqe.

-Le t’i marrim faktet me radhë, tha karkaleci.Ti gjithë verën ke kënduar livadh më livadh Kjo është e vërtetë apo jo?

-E vërtetë, – pranoi cinxëri.

-Pra nuk ke punuar, – tha karkaleci. –Ky është fakt.

-Më falni, tha Cinxëri fletëartë, po pse të këndosh, të kërcesh, nuk është punë? A mos është e lehtë të bësh prova me javë të tëra, derisa të vijë dita të japësh koncertin dhe të dalësh në skenë? Do të doja të ishit në vendin tim që të provonit shqetësimet, netët pa gjumë, lodhjen, merakun kur pyes veten si do ta presin këtë këngë? Nuk e di a më besoni, por sa herë dal në skenë më dridhen gjunjët. Karkaleci e dëgjoi i menduar. Heshtjen e prishi milingona. Ajo tha: Ç’punë e madhe! Unë s’dua, por po të dua, këndoj më mirë nga ty!

-Hesht!- i tha Karkaleci, mos u mburr kot  Ti nuk ke zë dhe nuk këndon dot, sikur edhe njëqind vjet të vazhdosh Liceun. As unë vetë, s’kam zë.

-Atëhere si është kjo punë? pyeti Karkaleci. Hë Pilivesë, si thua ti? Pilivesa mori librat dhe i lexoi me shumë kujdes. E pastaj tha me seriozitet. Këto janë fabula të shkruara nga La Fonteni dhe Çajupi për…

-Hesht! – i tha Karkaleci. -Më mirë të pyesim ndonë gjykatës. Ai do të na e shpjegojë. Dhe kështu vendosën të shkonin dhe të pyesnin ndonjë gjyqtar.

Por këtë mund ta gjeni edhe ju vetë pa vajtur te gjykatësi.

Mars 2018

Comment

*